E Shtunë, 31 Tetor 2026

Padia e PS: Partia e Petro Koçit na dëmton në zgjedhje

 

Armand Bajrami

Partia Socialiste padit në Gjykatën e Tiranës Partinë Socialiste të Vërtetë ‘91 të Petro Koçit. Me anë të kësaj padie, PS kërkon që gjykata të detyrojë partinë tjetër të ndryshojë emrin dhe stemën e saj. Lajmi bëhet i ditur nga burime zyrtare të Gjykatës së Tiranës. Mësohet se arsyeja e dorëzimit të kësaj padie në gjykatë është ngjashmëria mes emrave dhe simboleve të dy partive dhe pasojat që mund të sjellë kjo në zgjedhjet e qershorit 2009. Pas regjistrimit të padisë, në gjykatë është hedhur shorti elektronik, i cili ka përcaktuar gjyqtarin që do të shqyrtojë këtë çështje. Bëhet e ditur se shorti i djeshëm ka përcaktuar gjyqtaren Elbana Lurri, për shqyrtimin e padisë së bërë nga Partia Socialiste kundër forcës politike të krijuar nga Petro Koçi. Ndërsa në ditët në vijim pritet të caktohet data e fillimit të këtij procesi gjyqësor mes partisë më të madhe opozitare në vend dhe një nga partitë më të reja të së majtës.
PADIA 
Padia e cila mban numrin 7072 është regjistruar dje në Gjykatën e Rrethit Tiranë. Në rolin e paditësit në këtë çështje është Partia Socialiste e Shqipërisë, ndërsa si palë e paditur Partia Socialiste e Vërtetë ’91. Objekti i ankesës së PS-së është “detyrimi i Partisë Socialiste të Vërtetë 91, të ndryshojë emrin dhe stemën e saj”. Sipas padisë së paraqitur në gjykatë, PS kërkon pezullimin e regjistrimit në Gjykatën e Tiranës si person juridik i Partisë Socialiste të Vërtetë ’91. “Kërkojmë pezullimin e regjistrimit të vendimit nr. 1448 datë 26.02.2009 të Gjykatës së rrethit gjyqësor Tiranë, për regjistrimin si person juridik të Partisë Socialistë të Vërtetë ‘91 në regjistrin e Partive Politike pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tirane”, thuhej në padi. Gjithashtu, në padi kërkohet edhe ndalimi i përdorimit të emrit, të inicialeve dhe të stemës nga partia e paditur, deri në zgjidhjen përfundimtare të konfliktit gjyqësor. “Kërkojmë ndalimin e përdorimit të emrit Partia Socialiste e Vërtetë 91, të inicialeve PSV 91, si dhe të stemës deri në zgjidhjen përfundimtare të konfliktit gjyqësor”, thuhet më tej në padinë e PS.
Konflikti
Gjykata e Rrethit të Tiranës, në 30 dhjetor 2008, nuk pranoi të regjistronte Partinë Socialiste ’91. Arsyeja e këtij vendimi qëndronte në ngjashmërinë e emrit që ka ky subjekt politik, me Partinë Socialiste. Gjykata konstatoi se dhe stema e PS ‘91, përputhej me stemën e PSSH. “Të dyja stemat paraqiten në formë rrethore, me dy rrathë me ngjyrë të jashtme jeshile, njeri më i madh e tjetri më i vogël, me të njëjtën qendër, brenda hapësirës së të cilëve, është shkruar emri i partisë, kurse në qendër të emblemës rrethore ndodhet një dore e mbledhur, e cila mban trëndafilin e kuq, në një sfond jeshil, me ngjyrë më të çelët se rrethi i jashtëm”, u shpreh gjykata në vendim e saj të mëparshëm. Një muaj më vonë, Gjykata e Tiranës pranoi regjistrimin ligjor të partisë së udhëhequr nga Petro Koçi, pasi pasi në inicialet e saj, drejtuesit e kësaj partie vendosën dhe fjalën e “Vërtetë”. Kështu gjykata regjistroi Partia Socialiste e vërtetë ‘91 e drejtuar nga Petro Koçi. Vendimi i dytë gjykatës i hap rrugë partisë së Koçit që të regjistrohet si forcë politike garuese në zgjedhjet e qershorit.

PSV ‘91, marrëveshje bashkëpunimi me LSI
Partia socialiste e Vërtetë 91 dhe Lëvizja Socialiste për Integrim nënshkruan pak ditë më parë një marrëveshje bashkëpunimi parazgjedhore. Bashkëpunimi mes LSI dhe PSV ’91 do të realizojë, një konkurrim në një koalicion të përbashkët zgjedhor, me lista të veçanta për secilin subjekt politik, të kandidatëve për deputetë. Gjithashtu koalicioni do të ketë një program të përbashkët zgjedhor dhe qeverisës, i cili do të integrojë prioritetet politike të të dy partive. Për të dyja partitë, kjo marrëveshje ka vlerë edhe për angazhimin paszgjedhor të dy forcave politike në bashkëqeverisjen e ardhshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›