Berisha: Rama censuroi deklaratën e Fatos Nanos
Kryeministri Berisha vijon turin “Shqipëria po ndryshon” në qytetin e Shkodrës, ku gjatë një takimi me studentët e universitetit “Luigj Gurakuqi” ka kërkuar votat për një mandat të dytë. Sipas kreut të qeverisë, e djathta është rruga e lirisë, ndërsa e majta është kthim mbrapa. “E mbarë është rruga jonë, sepse e djathta është rruga e lirisë, se liria erdhi me të djathtën në Shqipëri. Rruga jonë nuk është rrugë e lehtë, ajo është rrugë e lodhshme, por është lodhja e ngjitjes. Ata që ngjiten, ata janë burra dhe gra, djem dhe vajza të fortë. Ata që ngjiten janë burrat dhe gratë, djemtë dhe vajzat e shpresës. Ata që ngjiten janë burrat dhe gratë, djemtë dhe vajzat me qëllime. Dhe ne jemi në ngjitje. Ndërsa majtas është mbrapa. Majtas është mashtrimi”, theksoi kryeministri. Duke hequr vija paralele edhe me filozofinë, kreu i Ekzekutivit u shpreh se filozofia e majtë është vërtetur edhe më gjerë, jo vetëm në Shqipëri, se është filozofia e gabuar. “Kujtoni pak skenën, ua thashë dhe qytetarëve në shesh, harrojeni Edi Ramën si një politikan lakuriq që del plazheve të botës. Harrojeni Edi Ramën si një njeri që dhunon kodin më të shenjtë të njeriut, Kodin e Vdekjes, dhe bën mitingje për të shpallur të vrarë të aksidentuarit. Harrojeni dhe faljani këto, por mos ia falni kurrë atë post tiranit që u ngrit pas 18 vitesh liri dhe numëronte votat një, katër, shtatë, tetë për të mbajtur karrigen e tij”, vijoi më tej Berisha. Kreu i qeverisë akuzoi Ramën se censuroi deklaratën e ish kryeministrit Nano një ditë më parë. “Kujtoni edicionet e djeshme të lajmeve. Ish kryetari i tij për 15 vjet, i cili deklaroi se e mora nga Parisi me thonj pa prerë dhe e bëra ministër dha një deklaratë dhe tre nga mediat që i kontrollon me leje ndërtimi, me sheshe ndërtimi dhe me lista deputetësh nuk guxuan të transmetojnë qoftë edhe një fjalë të vetme, ndonëse e dinë se ky vend ka 60 televizione dhe që nuk mund të vendosen kurrë censura”. r.d