Termometri mbi 30 gradë,dynden urgjencat e spitalit
zirina llambro
Fluks pacientësh me virozë të stinës në spitale. Dy ditët e fundit urgjencat kanë pasur dyndje të sëmurësh. Për shkak të temperaturave të larta mbi 30 gradë celsius fëmijët dhe të moshuarit kanë pasur nevojë për asistencë mjekësore. Sipas bluzave të bardha në urgjencën e pediatrisë numri i të vegjëlve ka kaluar 220 në ditë. Mosha më e prekur është katër vjeç, ndërkohë që simptomat janë nga më të ndryshmet. “Shenjat më të shpeshta janë bark, të vjella e temperaturë të lartë. Kjo mund të ndodhë edhe nga temperaturat e ambientit kur një fëmijë qëndron shumë i ekspozuar në diell ose kalon infeksione virale”, sqarojnë mjekët pediatër. Sipas tyre, nënat duhet të kujdesen t’i japin sa më shumë lëngje dhe të përzgjedhin një ushqim të kontrolluar brenda kushteve higjieno-sanitare. Një tjetër këshillë është larja sa më e shpeshtë e duarve për të evituar prekjen nga ndonjë infeksion. Sa i përket të moshuarve dje në urgjencën e kardiologjisë janë paraqitur rreth 40 persona me probleme të zemrës. “Pjesa më e madhe e tyre janë të sëmurë kronikë që gjatë këtij sezoni kanë shqetësime. Për ta këshillojmë reduktim të dozave të ilaçeve e mbi të gjitha shmangien e orëve më të nxehta të ditës”, theksojnë kardiologët. Ata pohojnë se fluksi aktual me kapacitetet ekzistuese është i përballueshëm. ”Dy muajt në vijim do të jenë akoma më të ngjeshur, pasi është paralajmëruar që kjo verë do të jetë e nxehtë e për pasojë edhe numri i të prekurve nga virozët dhe sëmundjet e tjera të vapës pritet të rritet”, shprehen mjekët. Ndërkaq sipas meteorologëve në qershor dhe korrik termometri do të shënojë mbi 41 gradë. Sakaq, këtë javë javë pritet të kemi reshje shiu, të cilat do të sjellin një ulje të lehtë të temperaturave me 2 deri në 3 gradë celsius. Meteorologët parashikojnë që temperatura maksimale të shkojë deri në 32 gradë celsius. “Kjo javë pritet të jetë më e freskët. Edhe fundjava do të jetë e përfshirë nga reshjet, pothuajse në të gjithë territorin e vendit”, sqarojnë ata. Ndryshimet klimaterike kanë prekur edhe Shqipërinë, e cila megjithëse karakterizohet nga një klimë mesdhetare, në ditë të veçanta është prekur nga fenomene të klimës kontinentale.