E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qau për Fatmir Xhindin, merret në hetim

 

Trazhgim Sokolaj

Dy dëshmitarë nga Fieri u morën dje në pyetje në Prokurorinë e Krimeve të Rënda në Tiranë, lidhur me vrasjen e ish-deputetit socialist Fatmir Xhindi. Personat me dijeni për hetimin e çështjes u paraqitën në zyrat e hetuesve të Krimeve të Rënda në orët e mëngjesit, ku janë marrë në pyetje deri rreth orës 15:20 të ditës së djeshme. Dëshmitarët mësohet se janë të afërm të një personi, i cili është parë duke qarë sapo ka mësuar lajmin e vrasjes së Fatmir Xhindit. Deputeti mbeti i vdekur pasi u qëllua me 9 plumba mbrëmjen e 2 majit 2009, në oborrin e shtëpisë së tij në Roskovec të Fierit. Atë natë dhe të nesërmen, një person që besohet se ka qenë i njohur i deputetit, është parë edhe në ambiente publike duke qarë në lidhje me ngjarjen e rëndë që kishte ndodhur dhe ndarjen nga jeta të 49-vjeçarit Xhindi. Informacioni për këtë fakt ka mbërritur në veshët e agjentëve dhe informatorëve të policisë, të cilët janë vënë në lëvizje menjëherë. Ata kanë verifikuar rreth personit në fjalë që mësohet se punon në fushën e shëndetësisë, dhe më pas, i kanë bërë Prokurorisë së Krimeve të Rënda një relacion informues duke sugjeruar marrjen në pyetje të personave të afërm. Burimet nga Prokuroria e Përgjithshme, thanë se dy dëshmitarët e djeshëm u morën në pyetje lidhur me njohjen e mundshme të personit të tyre të afërt me deputetin Fatmir Xhindi. Thëniet e dhëna nga dy dëshmitarët e djeshëm mbeten ende mister, megjithëse mësohet se ata janë marrë në pyetje në kuadër të pistës së hetimit të problemeve personale që mund të ketë pasur deputeti.
Pista “për detyrën”
Prokuroria tha se është duke hetuar një lidhje të mundshme mes vrasjes së Fatmir Xhindit dhe funksionit që ai mbante si deputet në tri legjislatura. Në këtë drejtim, provat më të forta flasin për mosmarrëveshje të lindura pas vrasjes së një komisioneri të Partisë Republikane gjatë zgjedhjeve të vitit 1997. Dy javë pas ekzekutimit të komisionerit, në Fier kishte ndodhur një vrasje e dytë e cila u konsiderua nga policia si hakmarrje për vrasjen e ndodhur gjatë zgjedhjeve. Përkatësia politike e palëve në konflikt duket se në rrethana ende të paqarta kishte futur në lojë edhe deputetin Fatmir Xhindi. Historia e ngjarjes së ndodhur në vitin 1997 me vrasjen e komisionerit dhe militantit të Partisë Republikane, mësohet se ka vazhduar deri në vitet 2001-2002, kur janë zhvilluar edhe proceset hetimore dhe gjyqësore për ngjarjen. Roli i deputetit Xhindi në këtë histori ende nuk është i qartë por dëshmitarë të ndryshëm në Roskovec, si dhe informacionet operative të agjentëve që po hetojnë ngjarjen, thonë se njëra nga palët në ngjarjen e ndodhur në vitin 1997, mund të ketë ngritur pretendime në adresë të përfaqësuesit të PS-së. Në këtë pistë nuk ka ende persona të dyshuar ndërsa nuk është gjetur ndonjë rast konfrontimi direkt i Fatmir Xhindit me palët në ngjarjen e 12 viteve më parë.   

Atentati, s‘ka persona të dyshuar
TIRANE – Pavarësisht pistave që po verifikohen nga grupi hetimor i ngritur pas të zbardhur vrasjen e Fatmir Xhindit, burimet zyrtare nga Prokuroria thonë se ende nuk ka asnjë emër konkret të dyshuar si autor i ngjarjes. Mungesa e provave në vendin ku ndodhi krimi, si dhe deklarimet e më shumë se 100 personave të pyetur deri më tani, të cilat përmbajnë vetëm të dhëna të përgjithshme pa informacion konkret, duket se janë bërë pengesë për identifikimin e autorëve të ngjarjes së rëndë.

Policia, heton problemet personale

Në kohën kur prokuroria po bën një verifikim më të gjerë të shkaqeve dhe rrethanave që çuan në vrasjen e deputetit të Fierit Fatmir Xhindi, policia duket se është përqendruar në grumbullimin e informacioneve dhe provave që flasin për problemet personale. Shumica e të dhënave, të përcjella kohët e fundit në Prokurori, nga policia flasin për probleme të mundshme personale të deputetit. Ndërkaq Prokuroria konfirmon se është duke bërë verifikime edhe lidhur me mundësinë e vrasjes për shkak të cilësive të veçanta të deputetit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›