Ushqimet, kontrolle në zonat bregdetare
Në gatishmëri për t’u siguruar konsumatorëve cilësi ushqimore gjatë verës është vënë edhe Ministria e Bujqësisë. Nga sa bën me dije ky dikaster tashmë kanë nisur kontrollet në të gjitha baret dhe restorantet e zonave bregdetare, si dhe në pikat e tregtimit me shumicë dhe pakicë të artikujve ushqimorë. Sipas drejtoreshës së Sigurisë Ushqimore, Valbona Paluka, vëmendje e veçantë do t’u kushtohet produkteve të ndjeshme e më të përdorshme në këtë stinë, si ato shtazore, akullit dhe akulloreve. “Këto kontrolle konsistojnë në të gjithë vendet turistike, në të gjithë rrjetin e tregtimit të gastronomisë, bar-restorante, të pikave të tregtimit, ashtu sikurse edhe magazinave të mëdha të tregtimit me shumicë të subjekteve prodhuese. Sidomos produktet me origjinë shtazore. Objekt kontrolli do të jenë edhe frigoriferët, si e pikat e prodhimit dhe të tregtimit të akullores dhe akullit”, tha Paluka. Nga ana tjetër specialistët e Ministrisë së Bujqësisë dhe Ushqimit i bëjnë apel konsumatorëve, që të tregojnë kujdes dhe të mos blejnë produkte të pa kontrolluara, që shiten në rrugë dhe që rrezikojnë shëndetin e tyre.