E Diel, 1 Nëntor 2026

Provimet, në Tiranë 5% e maturantëve janë mbetës

 

Rreth 5% e maturantëve në Tiranë janë mbetës e nuk do të futen në provimet e Maturës Shtetërore. Ata kanë humbur kështu përfundimisht shansin, që këtë vit të nisin një shkollë të lartë. Të dhënat vijnë nga drejtoria arsimore e kryeqytetit. “Këta nxënës nuk kanë mundur të marrin nota kaluese në një apo disa lëndë që kanë mësuar gjatë vitit shkollor e për rrjedhojë nuk mund të japin provimet e detyruara”, sqarojnë specialistët e drejtorisë arsimore. Sipas tyre, krahasuar me vitin e kaluar numri i nxënësve mbetës është më i ulët. Por megjithëse pjesa më e madhe e gjimnazistëve janë kalues për vitin shkollor testi final për ta mbeten provimet e detyruara. Ashtu siç e parashikon edhe rregullorja e maturës, në rast se nuk arrijnë t’i japin më rezultate pozitive ata nuk do të mund të konkurrojnë për në shkollën e lartë. “Çdo maturant që është mbetës në një prej provimeve të matematikës apo letërsisë nuk mund të japë provimet me zgjedhje e automatikisht nuk mund të konkurrojë për në universitet”, pohojnë specialistët e Ministrisë së Arsimit. Sipas tyre për të ridhënë provimet e detyruara është edhe seksioni i vjeshtës me datat përkatëse. Por aplikimi për në shkollë të lartë do të bëhet vetëm vitin që vjen. Janë rreth 35 mijë nxënës në të gjithë vendin, që bëhen sivjet pjesë e procesit të Maturës Shtetërore. Në Tiranë numërohen më shumë se 6300 maturantë, që do të japin provimin e parë të detyrueshëm më 2 qershor. Pas letërsisë testit të matematikës të gjithë do t’i nënshtrohen më 11 qershor. Me marrjen e rezultateve të këtyre provimeve kandidatët për në shkollat e larta do të plotësojnë formularin A2. Në të do të përzgjedhin 10 degët ku duan të vijojnë universitetin, sipas një rendi zbritës. Provimet me zgjedhje që  finalizojnë Maturën Shtetërore do të jepen më 10 korrik. Do të jetë Ministria e Arsimit, e cila pasi të bëjë llogaritjen e pikëve për secilin kandidat do të shpallë fituesit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›