Papandreu ofron dorëheqjen: Qeveri Uniteti
Kryeministri grek Jorgos Papandreu ka ofruar dorëheqjen dje. Me këtë vendim Papandreu synon të hapë rrugën për krijimin e një qeverie të unitetit kombëtar, raporton televizioni shtetëror grek. Po të mërkurën, Athina është tronditur nga një protestë masive. Protestuesit në sheshin qendror të Athinës, Sintagma, janë përleshur me policinë dhe kanë sulmuar edhe Ministrinë e Financave me bomba molotov. Policia përdori gazin lotsjellës. Kryeministri Papandreu u prit në një takim të jashtëzakonshëm nga presidenti i vendit, Papulias. "Besoj dhe vlerësoj se është në të mirën e interesave të vendit konsensusi kombëtar”, deklaroi Papandreu para takimit dhe bëri fjalë për “momente historike kritike” që po kalon vendi. Greva e përgjithshme 24-orëshe nisi në shenjë proteste kundër programit të ashpër të kursimeve të qeverisë socialiste në Greqi. Mjetet e komunikacionit kanë ndërprerë qarkullimin dhe ministritë, institucionet shtetërore dhe shumë banka janë mbyllur, spitalet trajtojnë vetëm rastet emergjente. Nisur nga sezoni i turizmit, kontrollorët e trafikut ajror nuk marrin pjesë në grevë. Qeveria e kryeministrit Jorgos Papandreu dëshiron që përmes shkurtimeve të buxhetit deri më 2015 të përfitojë 78 miliardë euro nga rritja e tatimeve dhe nga privatizimi i pronave shtetërore. Si kusht për kthimin e ndihmave ndërkombëtare prej miliardash euro, Athina është e detyruar të bëjë kursime dhe reforma. Zyrtarët e Bashkimit Europian thonë se politikanët grekë duhet të shkurtojnë shpenzimet nëse duan të marrin ndihma të tjera ekonomike. Përleshje pati mes policisë dhe grupeve të vogla të demonstruesve, ndërkohë që mbi 20 mijë protestues u mblodhën në qendrën e kryeqytetit. Policia mbylli një pjesë të madhe të rrugëve në qendër të Athinës, për trafikun dhe këmbësorët, për të lejuar ligjvënësit të arrinin me makina deri te Parlamenti. Qeveria e kryeministrit Jorgo Papandreu duhet të miratojë këtë muaj një program masash të rrepta shkurtimesh prej 28 miliardë eurosh, për të mos rrezikuar humbjen e financimit nga paketa 110 miliardë eurosh e kredisë së dhënë nga vendet europiane dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar. Për t’iu përmbajtur kushteve, socialistët e Papandreut e braktisën premtimin për mosvënien e taksave të reja dhe përgatitën një program privatizimi katërvjeçar me vlerë prej 50 miliardë eurosh, duke nxitur edhe më tej protestat kundër shkurtimeve nga grupet e prekura prej tyre. Greva e përgjithshme nga sindikatat bllokoi shërbimet publike në të gjithë vendin. “Të gjitha masat që duan të marrin do të jenë të përhershme. Njerëzit nuk kanë mënyrë tjetër për t’u mobilizuar përveç se të zhvillojnë greva dhe protesta”, tha një mësues. Disa nga pikat kryesore turistike, përfshirë Akropolin, ishin të mbyllura për vizitorët. Hekurudha kombëtare e qytetit ishte braktisur dhe protestat kishin bllokuar edhe trafikun detar në portin e Pireut. Anëtarja lokale e Parlamentit, Vera Nikolaidu, anëtare e Partisë Komuniste, thotë se qeveria ka në plan të shkatërrojë gjithçka që ka mbetur. “Ata po shkatërrojnë gjithçka. Prandaj duhet të dërgojmë një mesazh në drejtimin e duhur përmes protestave të organizuara, në mënyrë që të bllokojmë votimin”. Disa nga ligjvënësit e partisë në pushtet i kanë kritikuar publikisht shkurtimet. Një prej tyre u largua dje duke reduktuar shumicën parlamentare të Papandreut. Ndërsa një socialist tjetër tha se do të votonte kundër projektligjit. Me rënien e vlerësimit të kredisë, Greqia po mbijeton me anë të paketave të ndihmave nga Bashkimi Europian dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar. Megjithatë, Athina do të ketë nevojë për ndihma shtesë vitin e ardhshëm, për mbulimin e boshllëqeve financiare, meqenëse normat e larta të interesit nuk do ta lejojnë atë të prekë tregun e bonove të thesarit, ndryshe nga ç’ishte parashikuar në marrëveshjen fillestare të ndihmave.