E Shtunë, 31 Tetor 2026

Padit djalin, i mori pronësinë e banesës

26/08/2009  DURRES- Një nënë 75-vjeçare në Durrës ka vendosur të kërkojë ndihmën e organeve të drejtësisë për të zgjidhur konfliktin me të birin lidhur me pronësinë e banesës së tyre. Haso K. 75 vjeçe, e lindur në Përmet dhe banuese në lagjen numër 14 të Durrësit ka bërë një ditë më parë akt-kallëzimin penal në adresë të të birit të saj të quajtur Gëzim Kapo. Sipas policisë, e cila ka hapur dosjen penale dhe ka bërë gati materialin për ta dërguar në Prokurorinë e Durrësit, e zonja e shtëpisë pretendon se disa vite më parë djali saj kishte falsifikuar dokumentet e pronësisë së banesës familjare.

Padia

75-vjeçarja ka mësuar vetëm disa ditë më parë se shtëpia ku ajo banon së bashku me pjesëtarë të tjerë të familjes nuk është pronë e të gjithëve, por vetëm e Gëzim K. E moshuara nuk është bindur për një deklarim të tillë që është bërë pas një grindjeje të ndodhur dhe ka nisur të kërkojë dokumentet e pronësisë. Në kallëzimin penal që ka bërë dje në polici thuhet se në vitin 2003 djali i saj Gëzim K. ka falsifikuar kontratën e shitblerjes dhe një deklaratë noterie me qëllim përfitimin e banesës. Shtëpia gjendet në Shkozet dhe në të kanë jetuar prej shumë vitesh familja e të moshuarës. Vet djali për të cilin pretendohet se ka bërë falsifikimin e dokumentacioneve shtetërore, është lindur pikërisht në atë banesë, e cila është bërë pjesë e konfliktit në familje. Sektori i Luftës Kundër Krimit Ekonomik e Financiarë në policinë e Durrësit ka vendosur të hetojë këtë ngjarje, e cila nëse do të rezultojë me falsifikime në dokumentacion do të vërë para përgjegjësisë penale edhe persona të tjerë. Pasi ka marrë kallëzimin penal të shtetases Haso K., Policia Gjyqësore ka vendosur dhe ka bllokuar aktin e pronësisë në të cilën rezulton se pronar banese është shtetasi Gëzim Kapo, dokument që lëshonte nga zyra e hipotekës. Por kjo e fundit vepron vetëm pasi të ketë në dosje edhe dokumentin e shitblerjes së nënshkruar nga palët para një noteri me licencë. E moshuara ka bërë të qartë në kallëzimin e saj me shkrim se nuk ka qenë asnjëherë para ndonjë noteri për shitje shtëpie dhe as nuk ka pasur dijeni për kalimin e pronësisë së shtëpisë në emër të shtetasit Gëzim K. Policia ka theksuar se në këtë hetim do të përfshihet edhe noteri që ka legalizuar dokumentin e shitblerjes pa qenë të pranishëm palët duke bërë një veprim fiktiv si dhe duke rënduar mbi palët e përfshirë në konfliktin familjar. Gruaja 75-vjeçare ka thënë në polici se e ka pasur të pamundur të bindë djalin e saj të tërheq dokumentet e falsifikuara dhe në kohën që ka kuptuar se gjithçka ka qenë e pamundur e ka paditur të birin në polici.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›