E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tetë anëtarë të kryesisë shtojnë presionet ndaj Ramës

26/08/2009  Përmes një shkrese kërkohet zhvillimi i hapur i Kongresit të jashtëzakonshëm

Harasani: Të futen në rend edhe propozimet për ndryshimet e statutit

Anëtarë të kryesisë së Partisë Socialiste dhe sekretariatit ekzekutiv kanë kërkuar thirrjen e kryesisë së partisë para Kongresit të jashtëzakonshëm dhe zhvillimin e hapur të këtij aktiviteti. Me një kërkesë të firmosur nga 8 anëtarë dhe të depozituar paraditen e djeshme, kërkohet nga thirrja dhe organizimi i grupit parlamentar në prag të hapjes së sesionit të ri të Kuvendit të Shqipërisë; përfshirja në rendin e ditës së Kongresit të disa ndryshimeve në Statutin e PSSH-së; përgatitjen dhe administrimin e Kongresit; garantimin e transparencës gjatë ditës së Kongresit; si dhe diskutime për organizimin dhe mbarëvajtjen e procesit të zgjedhjes së kryetarit të PS-së. Njëri prej firmëtarëve të kësaj nisme, Andis Harasani, vlerëson të domosdoshme praninë e mediave dhe kamerave në kongresin e 29 gushtit. “Ajo çka ka nevojë është një respektim i rregullave të PS, një respektim i demokracisë së brendshme të PS. Duhet të japim një shembull ndaj kundërshtarit tonë politik zotit Berisha, të bëjmë një kongres sa më të hapur, një kongres sa më transparent, një kongres me praninë e mediave. Nuk kemi pse të kemi frikë nga mediat. Kjo ka qenë dhe një nga kërkesat që zoti Rama ka pasur në 2005-n. Një nga premtimet në 2005 që të gjitha mbledhjet do të jenë të hapura ”,- deklaroi dje për mediat Harasani. Duke mbrojtur kërkesën për futjen në rend të ditës në punimet e kongresit edhe propozimet për ndryshimet në statut, Harasani sjell në vëmendje atë që ndodhi në kongresin e jashtëzakonshëm të 2005-s, ku u fut platforma “Ruçi” e propozuar nga Ruçi dhe Rama për ndryshime në statut. Ai është përkrahës i mendimit se kryetari Rama nuk duhet të rikandidojë për postin e kryetarit të PS-së, pasi nuk arriti atë premtim që i dha PS-ja për ta sjellë në pushtet.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›