E Diel, 1 Nëntor 2026

Padit tutorin, në gjykatë vjen e martuar

25/01/2005  TIRANË – Kështu ndodh gjithmonë. Vajzat e trafikuara bëjnë kallëzimin në polici. Fillimisht gjithçka e shkruajnë me dorën e tyre. Por më pas pendohen. Për të lënë rrugën e prostitucionit, bëjnë martesë fiktive me tutorët. Këta të fundit e bëjnë këtë gjë të detyruar për t'i shpëtuar prangave dhe burgut të gjatë. Një gjë e tillë ka ndodhur me të dëmtuarën Rrahime Isaku, nga Durrësi. Që prej katër vjetësh është larguar për në Angli së bashku me të pandehurin Agim Kabashi. Dërgon prej andej një padi kundër Kabashit, duke deklaruar se po punonte si prostitutë në favor të tij. Në fund të padisë ishte një shkrim dore. Por pas disa kohësh, vajza e dëmtuar pranon të martohet me tutorin e saj dhe deklaron se ka edhe një djalë me të. Për të shpëtuar tutorin nga burgu, paraqitet për të dëshmuar. Nuk pranon të ketë bërë asnjë kallëzim. Thotë se shkrimi në padi nuk është bërë prej saj, dhe se me Agim Kabashin ajo është e martuar në Angli. Pretendon se ka ikur para katër vitesh dhe ka bashkëjetuar me të, ndërsa tani është martuar. Nuk pranon të jetë trafikuar si prostitutë. Në këto kushte, gjykata me kërkesë të prokurorit Olsi Çela, vendosi të kryej aktin e ekspertimit grafik të shkrimit që gjendet në padi. Dje, Gjykata e Krimeve të Rënda ka qenë e detyruar të bëjë krahasimin e shkrimit, duke i kërkuar vajzës të shkruaj diçka në një letër të bardhë. Modelet do të shkojnë në laborator për ekspertim grafik dhe më pas do të dalë nëse kallëzimi është bërë prej të dëmtuarës apo është i rremë. Kabashi akuzohet se në bashkëpunim me Kreshnik Mazrekun kanë trafikuar për qëllime përfitimi, edhe shtetasen Flogerta Kovaçi. Mazreku është i martuar. Ndërkohë dy të afërmit e tij dëshmuan dje se kanë mësuar që vajza e quajtur Flogerta Kovaçi ishte e dashura e Mazrekut. Dëshmitarët ishin sjellë nga mbrojtja para gjykatës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›