Padrejtësia si rotacion
Është kjo Prokuroria që na duhet? Më ngjan si pyetje retorike, e cila ka në bazë pakënaqësinë. E drejtë, ka vend për më tepër, ka arsye për revoltë të kulturuar qytetare. Duke mos pasur në dispozicion të dhëna të faktuara për objektin për të cilin shtrohet pyetja e përbashkët, nga pozita të zakonshme, mund të them se drejtësia është pjesa më e dobët e sistemit tonë shtetëror postdiktatorial. Pa diskutim, biznesi më i sigurt dhe më fitimprurësi është ai që zhvillojnë njerëzit e drejtësisë, për të cilët shteti kujdeset t’ua rrisë rrogat çdo tre muaj, e t’i trajnojë në restorante e hotele luksoze çdo gjashtëmujor. Legjitimimi i padrejtësisë nuk nis nga Prokuroria, por kurorëzohet atje.
Biznesi me krimin nis që nga ai inspektori i policisë kriminale, nga ai nëntogeri që shkon në vendngjarje dhe deformon ose zhduk krejt provat e krimit. Në këto 15 vite kemi mësuar për oficerë madhorë të policisë së shtetit që kanë marrë pjesë direkt në eliminim personash për llogari personale, ose sipas porosisë së punëdhënësit privat jashtë zyre. E, ata, kanë gëzuar detyra e përgjegjësi, e ndokush del dhe në TV-ra për të shitur parimësi. Ky është vendi në të cilin jetojmë. Lexojmë përditë në gazeta se X person, pasi ka vrarë në kohë të ndryshme një polic, gruan e tij, ka plagosur dhe dy vëllezër që udhëtonin me furgonin e tyre dhe del nga burgu pas ….tre vjetësh. Në cilin vend të botës mund të imagjinohet kjo?!Në cilën republikë bananesh a trangujsh ka raste të tilla spektakolare si të Shqipërisë?! Biznes me krimin, për ta kthyer kriminelin në viktimë, kundrejt lekëve të peshuara me hejbe bëhet në godinat e drejtësisë, pa dyshim. Se nëpunësit e shtetit tonë nuk të japin falas as atë që të takon falas, jo më pafajësinë kur e ke mbushur kupën e i ke shkuar zotërisë në dorë.
Një dukuri tjetër, do të thosha e shëmtuar si kapaku i nxirë i një kusie të vjetër, më janë dukur amnistitë, denduria e tyre, motivacioni, personat përfitues. Amnistitë në origjinë kanë humanizmin, reflektimin e sistemit ndaj të dënuarit kur ky po reagon me sjellje të mirë. Por, në një vend kur një e katërta e ditëve të vitit janë festa zyrtare dhe jo zyrtare, e kur për çdo festë shpallen lista të gjata amnistish nga kryetari i republikës, edhe njëzet vjet burg sikur të jenë dhënë për fajtorin, katandisen tre-katër javë. (Ndoshta me ndihmën e lekëve edhe këtu, për këshilltarë juridikë, sekserë e avokatë gjuhëshpatë).
Padrejtësinë e kemi ftuar vetë të bëjë ligjin midis nesh, e kemi ftuar bashkërisht; profesionistët e drejtësisë dhe ne si shoqëri e kemi legjitimuar krimin shtetëror dhe mashtrimin kolektiv nga njëra etapë në tjetrën, nga njëra epokë te epoka pasardhëse. Ata që nuk ishin prekur direkt nga krimet e komunizmit, neglizhuan padrejtësinë ndaj viktimave, madje qeshën e u tallën me kërkesat dhe dëshmitë e tyre tronditëse; zyrtarët e mbyllën atë temë madhore me një të shkelur të syrit. I lamë rrugë indiferentizmit dhe gënjeshtrës. Nga qenie të tufëzuara skajshmërisht, u bëmë individualistë dhe mospërfillës. Dhe në kokë na ranë shumë prapësi që kulmuan me vitin ‘97. E neglizhuam bashkërisht krimin e llahtarshëm të atij viti; askush nuk u penalizua, përkundrazi, disa erdhën si shpëtimtarë në zyrat e shtetit qysh atëherë me zgjedhjet e parakohshme; ata që mbetën pak mbrapa erdhën si vizionarë të demokracisë në vitin 2005. Dhe kjo temë madhore e vitit ‘97 është mbyllur me një të shkelur të syrit nga drejtësia, nga shoqëria, nga secili prej nesh. Kur kemi kapërdirë këto e nuk na kanë ngecur në fyt, pse duken të patolerueshme ngjarjet e skandalet e tjera që kanë ndodhur më pas?! Ato janë të patolerueshme, sigurisht. Asgjë nuk është e lejueshme kur ke drejtësi, Ministri të Rendit Publik, gjykata, prokurori, Ministri Drejtësie. E, gjithçka lejohet, sikurse ka ndodhur rëndom, nëse këto institucione nuk i ke.