Kur ndërhyn e gabon me ndërgjegje
Politika drafton, debaton dhe miraton kuadrin dhe strukturën e sistemit të drejtësisë në “agorën” e vet, në Parlament. Më pas, kjo krijesë, e parashikuar kryekëput e pavarur, duhet të ecë nëpër “binarët” e vet kushtetues tërësisht e pashqetësuar dhe e patrazuar. Një koncept ky tejet i thjeshtë, i provuar të jetë funksional, por jo në Shqipëri, ku fatkeqësisht ndodh e kundërta. Raportet politikë-drejtësi mbeten agresivisht armiqësore. Interesat e ngushta partiake po i mbajnë peng. Nga ana tjetër, korrupsioni marramendës e ka shndërruar drejtësinë në sistemin më të pabesueshëm dhe të kritikueshëm në vend.
Në thelb, Prokuroria duhet të hetojë me profesionalizëm dhe e lirë dhe më pas e transferon dosjen për vendimmarrje në Gjykatë, në një tjetër organ të pavarur. Ligji është i thjeshtë; kushtetuta e kthjellët, por nuk ka funksionuar. Presioni politik 20-vjeçar i ushtruar tradicionalisht ndaj Prokurorisë ka qenë monstruoz, duke e shndërruar punën e saj në “Mission Impossible”. Politika, më shumë se përgatitësin e kuadrit ligjor, e ka linçuar duke ja shkatërruar qetësinë dhe iniciativën, si dhe profesionalizmin e reputacionin. Në çdo demokraci, ky quhet sakrilegj.
E pamësuar me pavarësinë, si dhe e ndodhur nën breshërinë e artilerisë së rëndë të politikës, Prokuroria në këto 20 vjet rëndom është tutur dhe tulatur, por edhe ka “nxjerrë dhëmbët” si për të treguar peshën e vet. Angazhimi në çështje konkrete i presidentëve, kryeministrave, ministrave, politikanëve dhe i gjithkujt që ka “gojë”, (dhe këtu ne jemi pa rivalë) është prelud dështimi, pasi asgjësohet pavarësia dhe ekuilibri i saj. Më tragjik mbetet mesazhi i trishtë që konsolidohet tek opinioni se: “Ne nuk kemi shtet”. Nëse politika këtë kërkon, atëherë jemi aty ku duhet ….
Ndërkaq, BE-ja dhe dashamirët e huaj kërkojnë të kundërtën. Për ta është jetike pavarësia dhe paprekshmëria e Prokurorisë. Për turpin tonë demokratik (dhe pse dyshoj se ekziston), ata detyrohen që për këtë çështje të dalin nga petku diplomatik. Për Ambasadorin Britanik: “Akuza është organizëm i pavarur dhe duhet të hetojë. Nëse dikush ndërhyn, ky është gabim”. Por, kur politika ndërhyn e gabon me ndërgjegje, atëherë edhe fjala sakrilegj duket e zbehtë. Ky është diletantizëm.
Politika–Parlamenti–Drejtësia, janë themelet e shtetit. Pa ndarje të qarta dhe pa respektim të ndërsjellë, realiteti do të vazhdojë t’i përngjajë xhunglës, ku fiton muskuli politik. Partitë duhet të ndahen nga mentaliteti i anatemimit apo përkrahjes së Prokurorisë dhe Drejtësisë, thjeshtë dhe vetëm për motive ultra pragmatiste, ndërsa Prokuroria duhet të harrojë që është shpesh faktor politik dhe të sigurojë mos-keq-përdorjen, pikërisht për shkak të peshës së saj së konsiderueshme në jetën politiko - publike. Drejtësia është e shenjtë.