E Diel, 1 Nëntor 2026

Padrejtësisht në izolim, ish-doganieri merr paratë e 515 ditëve

Gjykatës së Shkallës së Parë në kryeqytet iu deshën gjashtë seanca gjyqësore për të urdhëruar Ministrinë e Financave, konkretisht degën e Thesarit, që ti paguajë Ylli Shqarrit shumën prej 545 mijë lekëve të reja, në formë kompensimi për burgim të padrejtë. Sipas vendimit të gjyqtares Elbana Lluri, Ylli Shqarri ka qenë i punësuar pranë Drejtorisë Rajonale të Shërbimeve të Transportit Rrugor me detyrën e Anëtarit në Komisionin e Marrjes në Prova kur edhe është arrestuar më 16 Prill 2009.

Ky arrestim, ka ardhur pasi ndaj tij prokuroria kishte ngritur akuzën e korrupsionit pasivë të personave që ushtrojnë funksione publike. 15 ditë pas arrestimit ishte Gjykata e Apelit e cila e liroi nga qelia Shqarrin për ta izoluar nën masën e sigurisë arrest shtëpie që qëndroi për 500 ditë të tjera. Nën masën e sigurisë arrest shtëpi, Shqarri ka qëndruar deri ditën ku Gjykatë e Apelit e deklaroi të pafajshëm për akuzën e ngritur nga prokuroria dhe dënuar nga Gjykata e Shkallës së Parë me 16 muaj burgim dhe 600 mijë lekë gjobë. Pra, sipas vendimit me nr. 3075 që Shekulli ka siguruar një kopje, Shqarri është mbajtur padrejtësisht i izoluar në qeli dhe shtëpi për 515 ditë, për të cilat urdhërohet Ministria e Financave ta kompensoi me 545 mijë lekë të reja.

Për 500 ditë e qëndrimit në arrestit shtëpiak, Shqarri duhet të kompensohet me 1000 lekë në ditë, që në total thesari duhet tia paguaj 500 mijë lekë të reja. Ndërsa për 15 ditët e izolimit në qeli nën masën e sigurisë arrest me burg Shqarri duhet të kompensohet me 45 mijë lekë të reja, duke ia llogaritur një ditë me 3000 lekë-thuhet në vendimin, që është urdhëruar Ministria e Financave ta ekzekutoj. Nga ana tjetër, Shqarri përveç se është deklaruar i pafajshëm dhe tashmë do të marrë edhe kompensimin e burgimit të padrejtë, pak kohë më parë ka fituar edhe procesin civil të largimit nga detyra.

Sipas vendimit me nr.3615 të firmosur nga gjyqtarja Manjola Bejleri, Drejtoria e Përgjithshme e Doganave urdhërohet ti paguajë paditësit Ylli Shqarri në formë dëmshpërblimi pagën e 17 muajve punë si dhe shpërblimin përkatës për vjetërsi në punë. Shqarri ishte arrestuar së bashku me Engjëll Dylgjerin, Xhevdet Malin dhe Olgert Isën, duke u akuzuar se në bashkëpunim me njëri-tjetrin falsifikonin dokumente për targimin e mjeteve me dokumente të falsifikuara, ku vetëm Mali dhe Dylgjeri u dënuan në formën e prerë.

F.Vezaj 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›