Trashëgimia, familja e Edi Ramës ndan pasurinë

Aneta dhe Edi Rama
Familja Rama ndan pasurinë e trashëguar nga gjyshi. Me kërkesë të znj.Aneta Rama, nëna e kreut të Partisë Socialiste z.Edi Rama, Gjykata e Shkallës së Parë në kryeqytet ka lëshuar dëshminë e trashëgimisë për pasurinë e Vlash dhe Veronika Ramës apo thënë ndryshe gjyshit dhe gjyshes së ish-kreut të Bashkisë së Tiranës. Përveç kësaj dëshmie, me kërkesë të avokatit Arjan Salati që përfaqësonte nënën e kreut të PS-së, togat e zeza kanë bërë çeljen e dëshmisë së trashëgimisë ligjore për trashëgimlënësin Kristaq Rama. Sipas vendimit me nr. 2787 të firmosur nga gjyqtari Edvan Veçani dhe që Shekulli ka siguruar një kopje, mësohet se gjithçka ka nisur në fillim të muajt Mars, kur nëna e kreut të PS-së znj.Aneta Rama ka kërkuar nga avokati Arjan Salati të hapë një proces civil.
Fillimisht kërkesa ka pasur si objekt të saj lëshimin e dëshmisë së trashëgimisë për trashëgimlënësit Veronika dhe Vlash Rama. Por, në seancën gjyqësore avokati ka kërkuar nga Gjykatës shtimin e objektit të kërkimit, duke kërkuar edhe çeljen e dëshmisë së trashëgimisë ligjore për trashëgimlënësin Kristaq Rama-thuhet në vendimin e gjyqtarit Veçani. Gjatë seancave gjyqësore, avokati Salati dorëzoi provat shkresore, ku provoi se shtetasi Vlash Rama ka qenë i martuar me shtetasen Veronika Rama, ku nga kjo martesë kishin dy fëmijë, Athina (Violeta) Uçi lindur më 1929 dhe Kristaq Ramën të lindur më 1931. Në vitin 1971 shtetasi Vlash Rama ka ndërruar jetë, duke lënë pas dy fëmijët dhe bashkëshorten, të cilët trashëguan secili prej tyre 1/3 e pjesës së pasurisë trashëgimore, pasi nuk rezultoi që trashëgimlënësi të ketë lënë ndonjë testament. Në vitin 1989 rezulton të ketë vdekur Athina (Violeta) Uçi, e cila ishte e martuar dhe kishte një vajzë Nevila (Uçi) Delia. Ndërkaq, në vitin 1997 ka ndërruar jetë gjyshja e kreut të PS-së, Veronika Rama. Pas vdekjes, trashëgimia e kësaj të fundit i kaloi djalit Kristaq Rama dhe vajzës së Athinas, shtetases Nevila Delia në pjesë të barabarta. Ndërkohë, në lidhje me çeljen e dëshmisë së trashëgimisë së të ndjerit Kristaq Rama, Gjykata ka administruar disa prova shkresore.
Gjykata administroi çertifikatën e vdekjes së shtetasit Kristaq Rama, i cili kishte ndërruar jetë në vitin 1998 si dhe nga provat e administruar rezultoi se ka qenë i martuar me znj.Aneta Rama. Nga kjo martesë kanë sjell në jetë dy fëmijë, Edi Rama 1967 dhe Ols Rama 1969. Në përfundim të shqyrtimit gjyqësor, pasi u konstatua se i ndjeri Kristaq Rama nuk ka lënë ndonjë testament, trashëgimtarë të denjë të pasurisë së tij janë bashkëshortja Aneta Rama, Edi Rama dhe Ols Rama, të cilët trashëgojnë pasurinë trashëgimore në pjesë të barabarta, duke trashëguar secili prej tyre 1/3 pjesë të pasurisë trashëgimore-thuhet në vendim, pa u përcaktuar vendet dhe lloji i kësaj pasurie.
F.Vezaj