E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zbulohet i pesti i grupit të zjarrit, shoqëruesi i Prendit

Flamur Vezaj

Zbulohet personi i pestë i Grupit të Zjarrit. Grupi hetimor i Prokurorisë së Tiranës, që po punon për zbardhjen e pasojave të demonstratës së 21 Janarit 2011, ka identifikuar shtetasin Ilir Duraku, me detyrë ish-shoqërues i ish-Komandantit të Gardës, Ndrea Prendi, se ka qëlluar me armën e tij personale 12 plumba luftarakë. Ilir Duraku së bashku me pjesëtarët e grupit të zjarrit, shtetasit Agim Llupo, Mark Nikolli, Gazmend Ahmetaj dhe Sadik Çela, kanë qëlluar në total 117 plumba luftarak drejt turmës së demonstruesve. Sipas akt-ekspertimit balistik e krahasues të datës 8 Shkurt 2011, është arritur në konkluzion se nga 131 gëzhojat e gjetura në oborrin e kryeministrisë, konkretisht në pjesën veriore të ndërtesës (në krah të piramidës) 117 copë janë qitur nga gjashtë armët automatike të llojit MP-5A2 dhe MP-5A3-thuhet në raportin e Policisë Shkencore të Ministrisë së Brendshme. Këto 6 armë janë sekuestruar në magazinën e armëve të Gardës së Republikës, së bashku me 45 armët automatike, që ditën e demonstratës së 21 Janarit 2011 ishin në përdorim nga efektivët e këtij institucioni. Nga verifikimi i regjistrave të armëve ka rezultuar se këto gjashtë armë ishin marrë në përdorim nga shtetasi Agim Llupo, Gazmend Ahmetaj, Mark Nikolli, Sadik Çela, Ilir Duraku dhe Përparim Bashukaj-thuhet nga të dhënat e prokurorisë. Këta të fundit, saktësuan se gjatë marrjes në pyetje dhe hetimeve të kryera ka rezultuar se Bashukaj, nuk ka shkrepur vetë armën e tij, por atë ia kishte marr në përdorim i dyshuari Agim Llupo, që mbante detyrën e zv/shefit të shtabit të Njësisë Speciale të Gardës së Republikës. Sipas raportit të ekspertimit balistik e krahasues, është provuar se i dyshuari Agim Llupo ka qëlluar drejt turmës me dy armët automatike që kishte në përdorim duke shkrepur 31 plumba luftarak. Nga tyta e armës së të dyshuarit Gazmend Ahmetaj kanë dal 46 plumba, Mark Nikolli ka shkrepur 18 plumba luftarak, gardisti Sadik Çela 10 plumba dhe shoqëruesi i ish-komandantit shtetasi Ilir Duraku 12 plumba luftarak-thuhet në raportin që ndodhet i administruar në dosje. Nga ana tjetër, është konfirmuar nga prokuroria se shtetasi Ilir Duraku nuk ka qenë pjesë e grupit të zjarrit ditën e demonstratës së 21 Janarit 2011, por, prej kohësh ai kryente detyrën e shoqëruesit të ish-komandantit të Gardës Prendi, tashmë nën hetim për vrasjen e demonstruesit Faik Myrtaj. Sipas administrimit të librit të planifikimit dhe instruktazhit të drejtuesve të Njësisë Speciale, bazuar në urdhrin me nr.28/1, të datë 21 Janar 2011 të Gardës së Republikës, provohet se grupi i zjarrit ka qenë i përbërë vetëm nga personat nën hetim Agim Llupo, Gazmend Ahmetaj, Mark Nikolli, Sadik Çela dhe Agron Malaj (që nuk ka qëlluar asnjë plumb)-thuhet në materialin e dosjes hetimore. Sipas këtyre të dhënave, që Shekulli ka siguruar, shoqëruesi i Prendit, Duraku ka shkrepur armën ditën e demonstratës edhe pse nuk ishte caktuar tek personat që do qëllonin me zjarr në rast nevoje. Ende nuk dihen arsyet që kanë shtyrë shtetasin Ilir Duraku të qëlloi me armën e tij, por, dyshohet se ai ka shkrepur armën me urdhër të shefit të tij Prendi, pasi ky i fundit ka nxjerr pistoletën dhe e ka shkrepur në drejtim të turmës-thuhet nga prokuroria. Në ditët në vazhdim, sipas prokurorisë, do të vendoset se çfarë do të bëhet me ish-shoqëruesin Duraku dhe personat që janë nën hetim, Nikolli, Ahmetaj, Çela që ditën e demonstratës ishin pjesë e grupit të zjarrit dhe që kanë shkrepur armët e zjarrit. Ajo që provohet për ne, është fakti se disa nga gardistët që kanë qëlluar me armë zjarri, kanë shkrepur armët në drejtim të ulët nga toka, por nuk mund ti drejtohet gishti asnjërit, përderisa nuk është zbuluar shkencërisht apo edhe me pamje filmike se cili është ai person që qëllon në një distancë kaq të ulët-thanë burimet nga grupi hetimor bazuar në procesverbalin e datës 29 Janar 2011. Sipas këtij procesverbali të këqyrjes së vendit të ngjarjes, janë fiksuar se në rrethimin metalik të selisë se Këshillit të Ministrave ka shenja predhash dhe lartësia e tyre nga toka është e ulët, në lartësinë e një njeriu. Nga ana tjetër, prokuroria ka gjetur dhe sekuestruar 117 gëzhojat 9 mm të armëve automatike MP-5A2 dhe MP-5A3, në vendet ku ishin pozicionuar grupi i zjarrit dhe porta e ndërtesës së kryeministrisë, ku mendohet se ka qenë shoqëruesi Duraku dhe shefi i tij Prendi.

Prokuroria ka gjetur edhe 14 gëzhoja të pistoletës

Hetuesit e çështjes, përveç gjetjes, sekuestrimit dhe identifikimit të armëve nga të cilat janë qitur 117 plumbat luftarakë, ka zbuluar se në oborrin e kryeministrisë, në afërsi të portës së ndërtesës së kryeministrisë janë gjetur edhe 14 gëzhojat e plumbave të qitura nga dy lloj pistoleta, një e tipit Beretta dhe Makarov. Byroja Federale e Hetimit (FBI-ja) me anë të raportit të ekzaminimit që mban nr.163G-SP-215 të datës 5 Janar 2012 ka konkluduar se 11 nga 14 gëzhojat e gjetura në oborrin e kryeministrisë, janë qitur nga arma me nr.P52796Z e llojit Bereta. Kjo armë, sipas regjistrit të magazinës së armëve në Gardën e Republikës, është tërhequr në vitin 2009 nga i dyshuari Ndrea Prendi me detyrën tashmë ish-komandant i Gardës-thuhet në raportin e FBI-së. Sipas të cilit, njëra nga 11 plumbat e shkrepura nga arma e Prendit i ka sjell vdekjen demonstruesit Faik Myrtaj, që ndodhej jashtë rrethimit të ndërtesës së Këshillit të Ministrave. Ndërsa, disa nga predhat e tjera janë gjetur në objektet dhe ndërtesat për rreth vendit ku gjeti vdekjen demonstruesi fierak Faik Myrtaj. Ndërkaq, nuk është identifikuar ende se kush ishte personi, që ditën e demonstratës ndodhej në oborrin e kryeministrisë dhe ka shkrepur 3 plumba luftarak nga arma e tij personale e llojit Makarov që për fat të mirë nuk kanë sjell pasoja.

Agim Llupo vrau Veizin me një plumb në gjoks

Ish-zv/shefi i Shtabit të Njësisë Speciale të Gardës së Republikës Agim Llupo që ndodhet i izoluar në qelin e paraburgimit, akuzohet për vrasjen e Ziver Veizit. Ky i fundit, sipas akt-ekspertimit balistik e krahasues të ekspertëve të Policisë Shkencore të Ministrisë së Brendshme, është qëlluar me armën MP-5A3 që kishte në përdorim gardisti Llupo. Vrasja e Veizit, ka ardhur si pasoj e plumbit që i ka goditur në gjoks, shumë pranë zemrës, çka i ka sjell vdekjen e menjëhershme. Nga ana tjetër, rezulton se Llupo ka përdorur dy armë automatike ditën e demonstratës duke shkrepur 31 plumba luftarak.

Ende të paqarta akuzat ndaj grupit të zjarrit

Sipas prokurorisë, ndaj personave që është provuar se kanë qëlluar me armë zjarri por, që nuk është provuar se kanë vra njeri, pritet ti komunikohet akuza e shkelje të rregullave mbi përdorimin e armëve të zjarrit; shpërdorim të detyrës në bazë të Kodit Penal Ushtarak; shpërdorim të detyrës në kuadrin komandues po sipas Kodit Penal Ushtarak. Edhe pse është provuar se gardistët e njohur si grupi i zjarrit ka qëlluar me armë zjarri, ndaj tyre nuk mund të ngrihet akuzë direkt për vrasje, pasi nuk e provohet se kanë vrarë njeri-thonë burimet e akuzës, të cilët shtojnë se nuk do të ngrihet edhe akuza e vrasjes e mbetur

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›