Pafuqia e të fuqishmëve
Edhe pse çdo ditë, kosovarëve ua çajnë veshët nëpërmjet reklamave, duke thënë se ata janë forcë efektive dhe e gatshme të veprojnë në çdo kohë e në çdo vend, të dielën, një grusht serbësh ua zunë rrugën dhe e bllokuan një njësit të KFOR-it. Madje, trupat e NATO-s u desh që serbëve të nervozuar t’ia tregojnë edhe dokumentin se ata nuk kanë shkuar kokë në vete atje, të konfiskojnë një ekskavator për të hetuar djegien e pikës kufitare në Jarinje, por këtë po e bëjnë me urdhër të një prokurori ndërkombëtar. Për më tepër, as KFOR-i dhe as Policia e EULEX-it nuk arritën që prangat t’ia vënë as një rojtari, pavarësisht se ai kishte shpërfillur urdhrat e tyre, sepse në të kundërtën, serbët e tjerë do t’i mbanin të bllokuar.
Kështu, në veri të vendit, sërish të dielën pati tensione. Shkas për këtë situatë, u bë një ekskavator i një ndërmarrjeje serbe që vepron në veri të Kosovës. Grupe serbësh, në mëngjesin e kësaj dite, bllokuan njësitet e KFOR-it dhe policinë e EULEX-it, të cilët shkonin në fshatin Leshak, për ta konfiskuar ekskavatorin e ndërmarrjes së ashtuquajtur “Serbijashuma”. KFOR-i kishte shkuar në Postenje të Leshakut që ta konfiskojnë këtë mjet, i cili dyshohet se është përdorur për shkatërrimin e pikës kufitare në Jarinje, më 27 korrik të këtij viti.
“Keqkuptimet” me serbët
Zëdhënësi i KFOR-it, Hans Dieter Wichter deklaroi se mjeti është marrë nga hetuesit dhe kur kanë dalë në rrugën kryesore në drejtim të Mitrovicës, janë bllokuar nga serbët lokalë. Sipas Wichterit, ekipi i EULEX-it në shoqëri të KFOR-it ka provuar të përdorë një rrugë tjetër, por kanë hasur në një bllokadë tjetër të serbëve lokalë. Sipas tij, ka pasur konfuzion dhe se banorët nuk kanë pasur njohuri se aksioni është pjesë e hetimeve dhe se po zhvillohet me urdhër të prokurorit ndërkombëtar. Situata është qetësuar vetëm pasi forcat ndërkombëtare u kanë treguar serbëve urdhrin e prokurorit për konfiskimin e ekskavatorit, i cili i përket ndërmarrjes “Serbijashuma”.
EULEX-i fillimisht ka arrestuar edhe rojtarin e kësaj ndërmarrjeje, pasi ai nuk kishte lejuar forcat ndërkombëtare të marrin ekskavatorin dhe vetëm pasi është liruar rojtari, barrikadat janë larguar. Në fund, mezi arritën që sekuestrimin e ekskavatorit ta konfirmojnë autoritetet ushtarake të KFOR-it. “Në Leshak, në komunën e Leposaviqit, një ekskavator është konfiskuar pasi është përdorur për shkatërrimin e pikës kufitare në Jarinje, muajin e kaluar”, konfirmoi zëdhënësi i KFOR-it, Hans-Dieter Wichter.
Wichter tha se ekskavatorët janë konfiskuar me urdhër të Prokurorisë së EULEX-it, e cila merret me hetimin e sulmeve ndaj pikës kufitare në Jarinje. Ky ekskavator, siç shpjegoi ai, është përdorur për prishjen e pikës në Jarinje, por edhe për një sulm ndaj pjesëtarëve të KFOR-it. Sipas Wichterit, ekskavatori ishte përdorur për të sulmuar trupat polake të KFOR-it, të cilët ishin të detyruar të hapin zjarr. Ai vuri në dukje se është shumë e rëndësishme për të sqaruar dhunën dhe dënimin e autorëve të dhunës.
Ky automjet, shtoi ai, u zhduk në natën e 27 e 28 korrikut dhe është gjetur tani në Leshak. EULEX-i, sipas tij, ka bërë konfiskimin e mjeteve, drejtuar nga Prokuroria, ndërsa KFOR-i bëri sigurimin e vendit. Ai theksoi se KFOR-i vetëm siguron Prokurorinë dhe nuk merr pjesë në hetim. "Unë besoj se hetimi i sulmeve në Jarinje është në interes të qytetarëve serbë dhe banorëve të Veriut të Kosovës," tha zëdhënësi i KFOR-it.
Qetë, por në tension
Megjithatë, situata në Leshak të Leposaviqit paradite ishte e tensionuar pasi banorët nuk po lejonin që forcat ndërkombëtare ta kryenin aksionin për sekuestrimin mjeteve. Siç ka thënë për “Tanjug” i ashtuquajturi kryetar i Komunës së Leposaviqit, Branko Niniç, njësitet e KFOR-it janë munduar ta pushtojnë kompleksin që është në pronësi të kompanisë “Srbijashume”.
“Ata janë përpjekur të marrin lopatën që është përdorur gjatë mbajtjes së barrikadave në Leposaviq, por u hoq pas marrëveshjes së përfaqësuesve të qeverisë serbe dhe KFOR-it”. Niniç thotë se fshatarët, “të mërzitur nga veprimi i KFOR-it, helikopterët e të cilëve shpesh po fluturojnë mbi Leshak”, e kanë bllokuar rrugën në këtë ndarje, kështu që përfaqësuesit e forcave ndërkombëtare janë të bllokuar ashtu që pamundësohet edhe tërheqja e tyre. Gjatë gjithë kohës, mbi Leshak raportohet se janë parë duke fluturuar helikopterë të KFOR-it, ndjesa janë vërejtur forca të shtuara të ushtarëve të KFOR-it.
Këto forca gjatë ditës kanë bllokuar anën e majtë të bregut mbi lumin ‘Ibër’ që dërgon për në pesë fshatrat që janë të banuara me boshnjakë, Rvatska, Beberishte, Vrba, Kalini i Poshtëm dhe Kalini i Epërm. Kjo rrugë dyshohet se pas zbatimit të masave të reciprocitetit dhe marrjes në kontrollit të pikave kufitare nga ana e forcave ushtarake është përdorur për kontrabandimin e mallrave nga Serbia. Kjo ishte përdorur edhe për hyrjen ilegalisht në Kosovë të zyrtarëve serbë, Goran Bogdanoviq dhe Borko Stefanoviq.
Kushtet e zyrtarëve serbë
Goran Bogdanoviq, i cili në qeverinë serbe është ministër për Kosovën, ka thënë se situata në Leshak është e qetë, por e tensionuar. Goran Bogdanoviq ka deklaruar se janë të interesuar që të hetohet se kush e ka djegur punktin në Jarinje, por nuk i ka pëlqyer se KFOR-i për aksionin nuk i kanë njoftuar “udhëheqësit lokalë”. “Situata është e qetë, por ka tension. Nuk kemi asgjë kundër të hetojnë kush e ka djegur punktin në Jarinje, por mënyra me të cilën këtë e bëjnë dhe demonstrimi i dhunës janë të papranueshme. Është shqetësuese që për aksionin e forcave ndërkombëtare nuk është informuar udhëheqja lokale”, ka thënë Bogdanoviq.