Paga minimale do rritet me 10%
Nertila Maho
Paga minimale do rritet me 10%. Zyrtarisht Ministria e Punës Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta sqaron se kjo shtesë do të jetë e përvitshme. Kështu për 2010 ajo llogaritet të shkojë deri në 19.800 lekë nga 18.000 që është aktualisht. Nga kjo shtesë përfitojnë rreth 16 mijë buxhetorë, por ndërkaq do të jetë e detyrueshme edhe për sektorin privat. “Perspektiva për sa i përket rritjes së pagave në vendin tonë për katër vitet e ardhshme, duke u mbështetur kjo edhe në parashikimet lidhur me ecurinë e krizës ekonomike botërore është optimiste”, sqarojnë specialistët e Ministrisë së Punës. Sipas tyre, rritja e pagave me prioritet dhe e atyre të ulëta do të vazhdojë me 10% në vit. Kurse ajo minimale parashikohet të shtohet çdo vit me ritme më të larta se indeksi vjetor i inflacionit. “Së bashku me rritjen e pagave, indeksimi i tyre parashikohet të bëhet çdo vit në masën e indeksit vjetor të inflacionit. Gjithashtu, paga minimale do rritet për të gjithë sektorët, publik dhe privat. Pavarësisht se ç’punë bën personi, nëse ai paguhet me pagë minimale, paga e tij do të pësojë 10% rritje”, theksojnë specialistët. Nga të dhënat e Ministrisë së Punës nga rritja e pagës minimale vetëm në sistemin buxhetor përfitojnë 16 mijë punonjës ose 5 % e punonjësve në total. Por përveç sistemit të pagave të punonjësve mbështetës në administratë, jepen shtesa për vështirësi, dëmshmëri shëndeti, natyre të veçantë pune, vjetërsi në punë, të cilat shkojnë mesatarisht 50% mbi pagën bazë. Shtesa për vjetërsi në punë: Llogaritet 1% për çdo vit pune. Për punonjësit që paguhen me pagë minimale kjo shtesë shkon mesatarisht 14%. Shtesa për dëmshmëri shëndeti: Jepet për ato vende pune që janë të rrezikshme e të dëmshme për shëndetin. Shtesa jepet sipas shkallëve nga 10-60%. Përcaktimi bëhet për çdo vend pune nga Drejtoritë e Shëndetit Publik. Shtesa mesatare është rreth 14% (pastruesit, punonjësit e arkivës, etj). Shtesa për natyrë të veçantë pune: Që u jepet punonjësve në disa struktura të veçanta që mesatarisht shkon 3%. Shtesa për punë në turnet e natës: E cila paguhet 25% më shumë se puna në kohë normale dhe mesatarisht shkon 7%. Shtesë për mbi kohë pune: Paguhet më shumë 25% për ditët e zakonshme dhe 50% më shumë për ditët e pushimit dhe festat zyrtare. Mesatarisht për të gjithë punonjësit llogaritet rreth 8%. Duke llogaritur këto shtesa paga për punonjësit, që punojnë në punët më të thjeshta në sektorin shtetëror shkon mesatarisht në rreth 27,000 lekë në muaj. Për sa i përket prezantimit të strategjisë së rritjes së pagave e deri tek konkludimi i plotë i saj, nga Ministria e Punës konfirmohet se projektvendimi, përpara se të dërgohet për miratim në Këshillin e Ministrave, konsultohet në Komisionin trepalësh të pagave dhe pensioneve (Komisioni i Këshillit Kombëtar të Punës – institucioni më i lartë konsultativ trepalësh në vend, në të cilin marrin pjesë përfaqësues të punëdhënësve, punëmarrësve dhe shtetit), pastaj dërgohet për mendim në Ministrinë e Financave dhe Ministrinë e Drejtësisë. “Në këto konsultime bihet dakord se cilat do të jenë perspektivat e shtesës në pagë, por objektivat në fakt ne i kemi vendosur”, sqaron zyra e shtypit të Ministrisë së Punës. Ky dikaster duke zbatuar kompetencën ligjore që i jep ligji “Për kompetencat për caktimin e pagave të punës”, ka iniciativën ligjore për propozimin çdo vit të pagës minimale në shkallë vendi si dhe rregullat dhe masën e indeksimit të pagave. Ligji përcakton Ministrinë e Punës si institucionin përgjegjës për hartimin e projektvendimit (propozimit) për nivelin mujor të pagës minimale në shkallë vendi”. Çdo vit, Ministria e Punës, përgatit projektvendimin “Për përcaktimin e pagës minimale në shkallë vendi”, mbështetur tek Kodi i Punës, Ligji “Për kompetencat në caktimin e pagave të punës”, Konventën e ILO-s nr.26 “Mekanizmi i caktimit të Pagës Minimale”.
Kategoritë e shtesave
Sipas sistemit të pagave të punonjësve mbështetës, mbi pagën bazë jepen shtesa për vështirësi, dëmshmëri shëndeti, natyrë të veçantë pune, vjetërsi në punë të cilat shkojnë mesatarisht 50 % mbi pagën bazë. Shtesat që zënë peshën më të madhe janë:
Shtesa për vjetërsi në punë: Llogaritet 1% për çdo vit pune. Për punonjësit që paguhen me pagë minimale kjo shtesë shkon mesatarisht 14%.
Shtesa për dëmshmëri shëndeti: Jepet për ato vende pune që janë të rrezikshme e të dëmshme për shëndetin. Shtesa jepet sipas shkallëve nga 10-60%. Përcaktimi bëhet për çdo vend pune nga
Drejtoritë e Shëndetit Publik. Shtesa mesatare është rreth 14% (pastruesit, punonjësit e arkivës, etj).
Shtesa për natyrë të veçantë pune: Që u jepet punonjësve në disa struktura të veçanta që mesatarisht shkon 3%.
Shtesa për punë në turnet e natës: E cila paguhet 25% më shumë se puna në kohë normale dhe mesatarisht shkon 7%.
Shtesë për mbi kohë pune: Paguhet 25% më shumë për ditët e zakonshme dhe 50% më shumë për ditët e pushimit dhe festat zyrtare. Mesatarisht për të gjithë punonjësit llogaritet rreth 8%.
Duke llogaritur këto shtesa paga për punonjësit që punojnë në punët më të thjeshta në sektorin shtetëror shkon mesatarisht në rreth 27,000 lekë në muaj.