Ksera: Do rrisim pensionet deri në 15%
Rritje 10% të pensioneve të qytetit dhe 15% të atyre në fshat. Kjo do të jetë shtesa që do të përfitojnë kategoritë e të moshuarve që marrin pensione mesatare dhe të ulëta. “Do të realizojmë përmirësime në projektbuxhetin e vitit 2010, për të mbështetur objektivat që pensionet në qytet të rriten me 10 për qind, ndërsa në fshat me 15 për qind”, këtë deklaratë ka bërë një muaj më parë në komision parlamentar Ministri i Punës Spiro Ksera. Ulja e nivelit të papunësisë, ndjekja e politikave për shtresat në nevojë, rishikimi i kuadrit ligjor për dhunën në familje, rritja e personave që paguajnë sigurime shoqërore, do të jenë prioritet kryesore të Ministrisë së Punës në katërvjeçarin e ardhshëm. Këto parashikon strategjia e re. “Niveli aktual i papunësisë është 13.1% dhe ne synojmë që për 4-vjeçarin e ardhshëm ky nivel të shkojë rreth 11%. Do të synohet rritja e pagesës së nivelit të papunësisë në masën 10-20% çdo vit”, ka deklaruar Ksera në komision. Sa i përket politikave për rritjen e punësimit dhe uljen e papunësisë, zbatimi i tyre, sipas Kserës, do të zbusë ndjeshëm këtë fenomen. “Objektivat për rritjen e punësimit në katër vitet e ardhshme janë ambicioze. Kemi parashikuar hapjen e 160 mijë vendeve të reja pune. Kryesisht, do të realizohet nëpërmjet zhvillimit ekonomik në tërësi të vendit dhe programi ekonomik i Qeverisë orienton një tipar të fortë punësues, si pasojë e zhvillimeve të pritshme ekonomike”, është shprehur ministri Ksera.