Topi: Nuk ka më kohë, duhen reforma
Presidenti Topi zhvillon një ceremoni në Pallatin e Brigadave. Të ftuar, ambasadorë, qeveritarë e deputetë
TIRANË- Presidenti Bamir Topi ka bërë thirrje dje për më shumë efikasitet në zgjidhjen e problemeve që po kalon sot vendi, duke mos mbyllur njërin sy para tyre dhe duke u fshehur pas faktit se ato janë fenomene rajonale apo globale. Kreu i shtetit ka theksuar se, nuk mjafton vetëm identifikimi i problemeve, si kriza energjitike, korrupsioni, çështja e pazgjidhur e pronësisë, apo problemet sociale, por duhet pranuar se këto janë edhe probleme shqiptare dhe duhet të gjendet zgjidhja e suksesshme e tyre. "Ne nuk duhet të mbyllim njërin sy përsa u përket problemeve. Shqipëria është një vend në tranzicion. Ne jemi të ndërgjegjshëm që nuk mjafton t'i identifikosh problemet, si: kriza energjetike, korrupsioni, çështja e pazgjidhur e pronësisë, problemet sociale. Ne nuk duhet të fshihemi pas faktit se këto janë fenomene rajonale apo globale, por duhet të pranojmë se këto janë edhe probleme shqiptare, gjithashtu, ndaj duhet të jemi njëlloj të suksesshëm në zgjidhjen e tyre",- është shprehur Presidenti gjatë fjalës së mbajtur në një ceremoni të zhvilluar në Pallatin e Brigadave, me rastin e Vitit të Ri, ku të ftuar ishin ambasadorë, përfaqësues të Trupit Diplomatik, Kryeministri, anëtarë të kabinetit qeveritar dhe deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, kryesisht anëtarë të Komisionit të Jashtëm, Komisionit të Integrimit dhe atij për Integrimin në NATO. Presidenti është ndalur më pas te integrimi i Shqipërisë në NATO dhe Samiti i Bukureshtit, ku shprehu vendosmërinë e shtetit shqiptar për t'u anëtarësuar në NATO dhe Bashkimin Evropian. Kreu i shtetit ka bërë apel për të gjitha pushtetet për këmbëngulje në procesin e reformave, sipas përgjegjësisë përkatësve, duke qenë se, sipas tij, vetëm vullneti politik nuk është i mjaftueshëm, por duhet lëvizja e mekanizmave institucionalë, ashtu sikurse bashkëpunimi me të gjitha institucionet ndërkombëtare. "Për këtë qëllim, koha nuk pret. Të gjithë zyrtarët e zgjedhur të Shqipërisë: Presidenti i Republikës, pushteti legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor, po ashtu edhe të zgjedhurit lokalë, duhet të këmbëngulin në procesin e reformave institucionale dhe sociale, sipas përgjegjësive të gjithsecilit",- tha Presidenti.