E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ushtarakët ultimatum Berishës: Lekët ose protesta përditë!

Ushtarakët i dërgojnë letër, krerëve më të lartë të shtetit. Kërkojnë që drafti të kalojë deri në datën 22 Janar në qeveri
TIRANË- Ushtarakët në rezervë dhe në pension i kërkojnë ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, që brenda datës 22 Janar të këtij viti të rregullohet dhe ridërgohet për miratim në qeveri projektligji për sigurimin shoqëror suplementar të tyre, në zbatim të vendimit që ka dhënë Gjykata Kushtetuese për të. Në të kundërt, ushtarakët do të rinisin protestat në datën 23 janar, të cilat do t'i vazhdojnë derisa qeveria të japë miratimin për ligjin që rregullon pensionet e tyre. Pas një periudhë të gjatë pritjeje, Shoqata e Ushtarakëve i ka dërguar një letër ministrit të Mbrojtjes, për të cilën ka vënë në dijeni edhe kryeministrin Berisha dhe Kryetaren e Kuvendit, në të cilën ka parashtruar disa kërkesa kryesore, që lidhen me ligjin për pensionet e ushtarakëve në rezervë dhe në pension. Një prej këtyre kërkesave është ajo që projektligji të miratohet në qeveri brenda datës 22 janar, si dhe të realizohet një takim brenda kësaj jave mes përfaqësuesve të Shoqatës dhe kryeministrit Berisha, ministrin e Mbrojtjes dhe ministrin e Financave. Po ashtu, në letrën dërguar ministrit, Fatmir Mediu, Shoqata e Ushtarakëve kërkon që të zbatohet në të gjitha detajet Vendimi i Gjykatës Kushtetuese, i cili shfuqizon si të papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës disa nene të projektligjit që është miratuar nga qeveria e djathtë, duke pretenduar se, askush nuk ka të drejtë ligjore të modifikojë kërkesat e këtij vendimi. "Çdo modifikim e ndërhyrje është sa antiligjor, aq edhe politik",- thuhet në letrën që Shoqata i ka nisur ministrit të Mbrojtjes, ku ndër të tjera kërkohet që, Ministria e Mbrojtjes të paraqesë me shkrim, brenda datës 17 janar, vërejtjet e mbledhjes së qeverisë të datës 30 tetor për t'i shqyrtuar dhe për të parë nëse ka vend e mundësi për të reflektuar e për të bërë ndryshime të pjesshme në projektligjin e paraqitur më parë; si dhe kërkohet angazhimi direkt i ministrit Fatmir Mediu më tepër se deri tani, për problemin e ligjit për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve.
Paralajmërimi
Ndërsa shprehet e gatshme për t'u ulur në bisedime, për të gjetur zgjidhjen e shpejtë dhe sa më të drejtë të këtij problemi, Shoqata e Ushtarakëve kërcënon qeverinë se do të marrë një sërë hapash, nëse brenda datës 22 janar nuk miratohet ligji i pensioneve. Një prej këtyre hapave është dërgimi i një letre urgjente informuese për situatën, organeve drejtuese të NATO-s, Sekretarit të Përgjithshëm të saj, Scheffer, si dhe për informim Këshillit të Aleancës së Veriut dhe Komitetit Ushtarak të NATO-s, me pretendim se do të denoncohet mashtrimi që po ndodh me ligjin për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve dhe trajtimin real që po u bëhet atyre. Gjithashtu, Shoqata e Ushtarakëve do të kërkojë mbështetjen e CIOR (Konfederatës Ndëraleate të Oficerëve në Rezervë), pranë organizmave të mësipërme të NATO-s; do të rifillojnë protestat në datën 23 janar 2008, të cilat do të vazhdojnë për aq kohë sa qeveria të miratojë projektligjin dhe ta dërgojë atë në Parlament; si dhe nuk do të marrë pjesë në grup pune, (në këtë farsë), që sipas tyresynon zvarritjen e problemit për miratimin e ligjit, pa u realizuar kushtet e mësipërme.
Pse protestojnë ushtarakët
TIRANË- Kërkesat drejtuar ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, ushtarakët në rezervë dhe pension i bëjnë pasi vërejnë se që nga data 30 dhjetor, kur u rrëzuan në qeveri ndryshimet në ligjin për sigurimin shoqëror suplementar të ushtarakëve, nuk është bërë asgjë për të rregulluar vërejtjet e bëra në këtë mbledhje dhe riparaqitjen e projektit në qeveri. Duke pasur parasysh deklarimet e zyrtarëve të Ministrisë së Mbrojtjes, se ekzistojnë lekët në buxhet, si për vitin 2007, ashtu edhe për vitin 2008, ushtarakët janë të mendimit se veprimet për zvarritjen e projektligjit nuk janë thjesht me karakter ekonomik, por politik.
Çfarë thotë vendimi i Gjykatës Kushtetuese
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese vëren se, për caktimin e pensionit, ligji i shfuqizuar tashmë vendos si kritere datën e daljes në pensione të ushtarakut, në një kohë që ligjet e mëparshme i kanë njohur ushtarakut të drejtën për të gëzuar pension të parakohshëm edhe në rastin kur ai punësohet, ndërsa me ligjin e ri nuk do ta gëzojnë atë, ata ushtarakë që kanë dalë në pension para datës 29 prill 2004. Në këtë kuadër, Gjykatës Kushtetuese nuk i ka rezultuar se ndryshimet e bëra në ligj, që ulin ndjeshëm masën e pensionit të një kategorie ushtarakësh, të jenë bërë nga nevoja të domosdoshme publike, siç pretendohej nga qeveria.
Çfarë përmban drafti
Qeveria ka diskutuar për herë të fundit, në mbledhjen e datës 30 tetor, ndryshimet në projektligjin për pensionet e ushtarakëve në rezervë dhe në pensione, por pa mundur t'i miratojë ato, pasi ka pasur kundërshtime mes anëtarëve të kabinetit qeveritar. Sipas variantit të shqyrtuar në këtë mbledhje, ushtarakët e shërbimit aktiv të përhershëm, pavarësisht nga koha e daljes në rezervë/lirim, deri në plotësimin e kushteve për pension të plotë pleqërie, përfitojnë pension të parakohshëm, për vjetërsi shërbimi në masën e përcaktuar në ligj, kur plotësojnë vjetërsinë në shërbim si ushtarak në masën 12 vjet, për femrat, dhe 15 vjet, për meshkujt dhe kur kanë mbushur moshën 44-vjeç, femrat dhe 47-vjeç, meshkujt. Po sipas këtij drafti, masa e përfitimit të pensionit të parakohshëm, për vjetërsi shërbimi, është 50% e pagës referuese.
22863 ushtarakë
Kategoritë përfituese
1-Ushtarakët e liruar para 03.07.2001, gjithsej 8000 persona
2-Ushtarakët e liruar më 03.07.1992 e të dalë në pension pleqërie në vitet 1993-1998. Gjithsej 2300 persona.
3-Ushtarakët që kanë dalë në pension pleqërie në periudhën 01.01.1999 deri në datën 15.06.2005. Gjithsej 4430 persona.
4-Ushtarakët që aktualisht trajtohen financiarisht me pension të parakohshëm. Gjithsej 7076 persona.
5-Ushtarakët, ata që aktualisht marrin pension suplementar pleqërie. Gjithsej 6370 persona.
6-Ushtarakët që dalin në pension të parakohshëm në vitin 2007. Gjithsej 328 persona.
7-Ushtarakët që dalin në pension pleqërie në vitin 2007. Gjithsej 454 persona.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›