E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kuvendi, leter NATO-s: Jemi gati për anëtarësim

Komisioni i Jashtëm miraton draft-rezolutën e PS dhe shton ca paragrafë të rinj
TIRANË- Klasa politike shqiptare angazhohet të realizojë me konsensus një sërë "detyrash shtëpie" të përcaktuar si kushte nga faktori ndërkombëtar për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Komisioni parlamentar i Politikës së Jashtme ka miratuar dje me unanimitet projektrezolutën e paraqitur nga grupi parlamentar i Partisë Socialiste, me anë të së cilës i bëhet thirrje të gjitha forcave politike për të përmbushur përmes veprimit parlamentar të gjitha detyrimet e përbashkëta, për të mundësuar anëtarësimin e vendit tonë në NATO. Përveç disa vërejtjeve teknike anëtarët e komisionit kanë vlerësuar si tepër pozitive këtë nisëm, duke theksuar nevojën për të miratuar sa më parë me konsensus reformën zgjedhore dhe atë në sistemin e drejtësisë. Megjithatë gjatë diskutimit të saj, pati dhe deputetë të ndryshëm të cilët shprehën mosbesim për realizimin e këtyre angazhimeve. Kështu ish-ministri i Jashtëm, Paskal Milo, megjithëse ka vlerësuar pozitivisht gjithë përmbajtjen e rezolutës, ka theksuar se miratimi i saj edhe nga seanca plenare nuk i detyron forcat politike për të dhënë gjithë kontributin e tyre deri në fund, për realizimin e atyre reformave që janë konsideruar si vendimtare për marrjen e ftesës për anëtarësim në Organizatën e Atlantikut të Veriut. Ndërkohë që deputeti socialist, Namik Dokle, duke mbrojtur draftin përpara anëtarëve të tjerë të komisionit, ka theksuar se në të bëhet dhe një qartësim i rolit dhe qëndrimit të PS-së përsa i përket pavarësisë së Kosovës. Në përfundim të seancës së djeshme kreu i komisionit, Preç Zogaj ka bërë një përmbledhje të diskutimeve, ku dhe ka propozuar që projektrezolutës t'i bëhen disa ndryshime të rrafshit teknik. Ai ka ftuar edhe kryesinë e komisionit për të shtuar në draft-rezolutë dhe katër pika, ku kërkohet të shtohet një paragraf, ku të shprehet se populli shqiptar në mënyrë dërrmuese mbështet anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Gjithashtu ka propozuar që të shtohet një paragraf, ku të vlerësojmë arritjet që ka pasur procesi në gjithë ecurinë e vet, në kuadër të planit të veprimit të NATO-s. Një paragraf tjetër, ku të shprehet mirënjohja për atë që ka bërë NATO për ecurinë e strukturave ushtarake të Shqipërisë për anëtarësim në këtë strukturë. Gjithashtu projektrezoluta fton kuvendin të angazhohet t'iu drejtuar Këshillit të Ambasadorëve me një letër, ku solemnisht të shprehet se Shqipëria është gati për t'u anëtarësuar.
Shtesat në rezolutë
Populli shqiptar në mënyrë dërrmuese mbështet anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe Parlamenti, si interpret i këtij vullneti e thotë këtë gjë.
Vlerësohen arritjet që ka pasur procesi në gjithë ecurinë e vet, plani i veprimit të NATO-s dhe reformat.
Jemi mirënjohës për atë që ka bërë NATO për ecurinë e strukturave ushtarake të Shqipërisë për anëtarësim në këtë strukturë.
Kuvendi t'i drejtohet Këshillit të Ambasadorëve me një letër, ku solemnisht të shprehet se ne jemi gati për t'u anëtarësuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›