E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Pagat dhe pensionet, ja sa do rritet më 1 korrik”

Më 1 korrik qeveria do të rrisë pagat dhe pensionet. Pagat e buxhetorëve do të rriten nga 5 deri në 17 për qind. Rritja më e lartë do të jetë për pagat e ulëta, pasi kjo kategori buxhetorësh preket më shumë nga rritja e çmimeve. Në korrik do të rriten edhe pensionet e fshatit dhe të qytetit. 

Fabiola Çela

Por ndryshe nga vitet e kaluara, këtë vit qeveria ka menduar që përveç rritjes së pagave dhe pensioneve, do të marrë masat për të kompensuar edhe rritjen e çmimeve të mallrave ushqimore. 
Pagat
"Rritja e pagave dhe e pensioneve do të jetë e diferencuar. Minimumi i rritjes do të jetë 5 për qind për rrogat e larta", është shprehur për gazetën zëvendësministri i Financave, Sherefedin Shehu. Për punonjësit buxhetorë, pagat e të cilëve janë mbi 80 mijë lekë, rritja e do të jetë e vogël gati 5 për qind, pasi për këtë kategori punonjësish rritja e çmimeve të ushqimeve është më pak e ndjeshme. Sipas Shehut, për sektorin e arsimit dhe të shëndetësisë rritja e pagave do të variojë nga 10 deri në 17 për qind, por prioritetin më të madh do ta kenë mjekët. "Këta kanë pasur nivelin më të ulët të pagave. Kjo, pasi me rritjen që u kemi bërë ne pagave të ulëta, këto po barazohen me pagat e tjera dhe këtu ka lindur një problem tjetër, sepse po humbet hierarkia e pagave. Pikërisht për këtë arsye do të bëjmë diferencimin e rritjes së pagave edhe me nëngrupe", shtoi Shehu. Por, rritja në nivele të mëdha e pagave mund të sjellë edhe rritjen e mëtejshme të çmimeve. Pikërisht për të evituar këtë fenomen qeveria ka vendosur që nuk do të ketë rritje bujare të pagave. "Për ata që kanë paga të larta dhe që rrezikohen nga inflacioni do të kenë vetëm kompensim, pra nuk do të ketë rritje bujare. Po kështu, rritja e një rroge të ulët me 10-12 për qind ka pak bujari, por prapë ne kemi gjetur atë të mesmen mes asaj që quhet rritje reale dhe kompensimit të inflacionit", tha zëvendësministri Shehu.
Pensionet
Më 1 korrik do të rriten të gjitha pensionet si ato të fshatit edhe të qytetit. Sipas zëvendësministrit Shehu, edhe me pensionet po ndodh i njëjti fenomen si me pagat. Duke qenë se vitet e fundit pensionet e fshatit janë rritur disa herë më shumë se ato të qytetit, niveli i tyre gati-gati po barazohet. Pikërisht për të ruajtur këtë hierarki për këtë vit, pensionet e fshatit do të rriten me 10 deri në 15 për qind. "Pensionet e qytetit mund ta marrin një rritje mesatare 8 për qind ose 10 për qind me qëllim që të ruhet hierarkia e pensioneve", u shpreh Shehu.
Kompensimi
Kriza botërore e çmimeve të ushqimeve ka prekur edhe Shqipërinë dhe për rrjedhojë, çmimet e mallrave ushqimore janë rritur ndjeshëm. Më të prekurit nga kjo rritje e normës së inflacionit janë pensionistët dhe buxhetorët me paga të ulëta. Për të zbutur këtë ndikim, qeveria ka menduar që përveç rritjes së pagave dhe pensioneve, këtë vit të krijohet edhe një fond shtesë, i cili do të jepet për të kompensuar inflacionin. "Po mendojmë për një skemë kompensimi të këtyre grupeve që janë në nevojë. Ky kompensim do të jetë i menjëhershëm, por i shtrirë në kohë. Mund të ndjekim të njëjtën skemë që ndoqëm për kompensimin e pensionistëve në fund", tha Shehu. Nga ky vendim do të përfitojnë të gjithë pensionistët dhe buxhetorët me paga të ulëta.

rritja e pagave dhe pensionevE

Rritja në korrik 2007

¨    20-25 për qind rritje e pagave të arsimit dhe shëndetësisë

¨    8-10 për qind pagat e nivelit mesatar

¨    5 për qind pensionet e larta

¨    10 për qind pensionet e fshatit

Rritja në korrik 2008

¨    10-17 për qind rritje e pagave të arsimit dhe shëndetësisë

¨    5 për qind rritja e pagave të larta

¨    10-15 për qind rritje për pensionet e fshatit

¨    8-10 për qind rritje për
    pensionet e qytetit

Inflacioni, në prill kalon kufirin, arrin në 4.4 %

Gjatë 4 muajve të parë të vitit 2008, çmimet e ushqimeve janë rritur si pasojë e krizës botërore të çmimeve. Shqipëria është një vend importues dhe çdo lëvizje e çmimeve në tregjet ndërkombëtare reflektohet në tregun vendas. Inflacioni vjetor në fund të muajit prill 2008 u ndal në nivelin 4.4 për qind, duke tejkaluar me rreth 0.4 pikë përqindjeje kufirin e sipërm të intervalit 3+/-1 %, të synuar nga Banka e Shqipërisë. Kjo shifër në vetvete pasqyron kontributin e grupit të ushqimeve të përpunuara dhe rritjen e çmimit të energjisë elektrike, në muajin mars 2008. Rritja e fundit e çmimit të energjisë elektrike ka kontribuar me 0.7 pikë përqindjeje. Por sipas të dhënave nga Banka Qendrore inflacioni do të vazhdojë të luhatet në nivelet aktuale edhe gjatë muajve në vazhdim. Për rrjedhojë, inflacioni në fund të vitit është parashikuar të jetë 4 për qind. Kjo pasi mallrat ushqimore, lëndët e para, por veçanërisht nafta dhe nënproduktet e saj po njohin rritje të pandalshme në tregun ndërkombëtar. Rritja e çmimit të karburanteve ndikon ndjeshëm në rritjen e inflacionit në vend. Muajt e fundit, çmimi i naftës dhe benzinës ka shënuar rritje dhe kjo si pasojë e rritjes së arit të zi në bursat ndërkombëtare. Shqipëria është një vend ku mbi 80 për qind e kërkesës për karburant plotësohet nga importi dhe për rrjedhojë rritja e çmimit të arit të zi në bursa reflektohet menjëherë në tregun vendas.

Nuk duhet të ketë rritje bujare të pagave

Ndërkombëtarët i kanë rekomanduar qeverisë shqiptare që të mos ketë rritje bujare të pagave, pasi kjo mund të ndikojë në rritjen e mëtejshme të inflacionit. Drejtues të Fondit Monetar Ndërkombëtar janë shprehur se, janë dakord që qeveria t'i ndihmojë shtresat e varfra të popullsisë nga rritja e çmimeve, por ama kjo ndihmë t'u jepet vetëm atyre familjeve që kanë vërtet nevojë dhe jo të ketë një rritje bujare të pagave. "Në mënyrë të veçantë, ndërsa ndihma ndaj të varfërve për të kompensuar efektet e çmimeve të rritura të ushqimeve dhe të energjisë është e drejtë, rritjet reale të rrogave në sektorin publik duhet të kufizohen fort, për të shmangur nxitjen e një spiraleje paga-inflacion", kanë deklaruar përfaqësuesit e FMN-së.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›