E Shtunë, 31 Tetor 2026

Taksitë, si do kontrollohen pagesat e udhëtarëve

Na ka ndodhur të gjithëve që për pak metra rrugë me taksi të paguajmë kripur. 

Zirina Llambro

Ose për të njëjtën distancë të nesërmen të na kërkohet gjysma e parave që dhamë një ditë më parë. Këto ndryshime drastike kanë qenë krejtësisht të justifikuara nga taksistët me licencë e pa licencë. Për aq kohë sa nuk mund të matet rruga e përshkuar e të vendoset një tarifë fikse në bazë të kilometrave, ata janë në rregull. Ndryshe ndodh në vendet përreth nesh. Taksimetër (instrumenti matës, i cili mbledh në vazhdimësi dhe tregon në çdo moment të udhëtimit shumën e pagueshme nga  udhëtari në funksion të distancës) është vendosur prej kohësh. Kjo praktikë më në fund vjen edhe në vendin tonë. Ministria e Financave dhe ajo e Transporteve kanë nxjerrë udhëzimin e fundit, i cili përcakton futjen e standardeve të reja për shërbimin taksi. Bashkangjitur me të këto dikastere kanë rekomanduar edhe tarifat përkatëse. Me vendosjen e taksimetrit udhëtarët do ta dinë për çdo metër të përshkruar sa para i detyrohen taksistit. Nëse ky aparat prishet apo dëmtohet nga pronarët e automjetit ai do të gjobitet sipas Kodit Rrugor. Por edhe pse Ministria e Financave dhe e Transporteve kanë nxjerrë udhëzimin përkatës, do të jetë Këshilli Bashkiak që do të marrë vendimin për caktimin e vlerave të tarifave. Këtu përfshihen vlera e tarifës fillestare, në përputhje me formulën e pranuar nga të dyja palët, bashkia dhe përfaqësuesit e shërbimit taksi. Tarifat rishikohen në mënyrë të rregullt çdo vit. Por një tjetër risi në këtë shërbim do të jenë edhe faturat. "Drejtuesi i autoveturës-taksi duhet të jetë i pajisur me një bllok faturash dhe për çdo udhëtim ai është i detyruar t'i japë klientit faturën për udhëtimin e kryer. Fatura duhet të plotësohet nga ai në të gjitha elementet që janë vendosur në të", përcakton udhëzimi.
Tarifat
Sipas rekomandimeve të Ministrisë së Financave dhe Transporteve duhet të përcaktohen dy lloj tarifash. Ato mesatare dhe ato maksimale. "Sugjerojmë që tarifat e pagesës të përfaqësojnë një vlerë maksimale dhe nuk duhet të vendosen tarifa pagese fikse ose minimale. Për këtë, taksistët janë të lirë që të kalibrojnë taksimetrat e tyre me tarifa poshtë vlerës maksimale, duke zgjedhur tarifa më të ulëta, si dhe t'u japin klientëve mundësinë e negocimit për uljen e këtyre pagesave", thuhet në udhëzim. Në tabelën e tarifave janë vendosur edhe çmime për shërbimet ekstra. Kështu në rast se pajton një taksi dhe kërkon që të të presë një orë, më pas duhet të paguash veç çmimit për rrugën e përshkruar edhe 1 900 lekë. Një tjetër tarifë është ajo e bagazheve. "Drejtuesi i autoveturës-taksi, gjatë gjithë udhëtimit dhe qëndrimit, përgjigjet për bagazhet e udhëtarit. Tarifa për bagazhet është 10 lekë për çdo 25 kg dhe pas 25 kg të para deri në një maksimum prej 50 lekësh. Këto vlera mund të pasqyrohen dhe t'u shtohen vlerave në tabelat e mësipërme. Në rast dëmtimi të bagazheve, drejtuesi i autoveturës-taksi i shpërblen udhëtarit kundërvleftën e dëmit", citohet në udhëzim. Por nga sa shihet në tabelë udhëtarit do t'i duhet të paguajë edhe për thirrjen e taksisë, vlera për këtë shërbim do të jetë 50 lekë. Ndërkaq janë përcaktuar edhe shtesa prej 5% për ditët e festave. Bashki të ndryshme mund të kenë nivele të ndryshme të çmimeve, të cilat varen nga një numër faktorësh lokalë, si: pranimi i diskutimeve të çmimit nga taksistët, niveli i jetesës së përdoruesve të taksisë, si dhe koston e shërbimit taksi.

udhezimi i ri i ministrise se financave dhe transporteve

Nr.1726/3, datë 21.4.2008
PËR CAKTIMIN E ÇMIMEVE DHE TARIFAVE NË SHËRBIMIN TAKSI
Në mbështetje të pikës 4 të nenit 102 të Kushtetutës, nenit 36 të ligjit nr.8308, datë 18.3.1998 "Për transportet rrugore", të ndryshuar, Ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit dhe Ministri i Financave
UDHËZON:
I. Qëllimi i taksimetrit
1. "Taksimetër" nënkupton instrument matës, i cili mbledh në vazhdimësi dhe tregon në çdo moment të udhëtimit shumën e pagueshme nga përdoruesi i mjetit publik si një funksion i distancës së udhëtuar (përshkruar) dhe-poshtë shpejtësisë së caktuar ose të ndërrimit-funksion i kohëzgjatjes së përdorimit.
2. Taksimetrat duhet të jenë në përputhje me specifikimet e përgjithshme e të veçanta me kushtet e vendosura nga Organizata Ndërkombëtare e Metrologjisë Legale. Ata duhet të jenë në përputhje me modelin e miratuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Kalibrimit dhe Metrologjisë.
3. Qëllimi kryesor i taksimetrit është mbrojtja e klientit (e udhëtarit) nga pagesat më të mëdha se ato të caktuara, që mund t'i kërkojë drejtuesi i taksisë udhëtarit.
Kërkesat teknike e metrologjike dhe procedurat e kontrollit për taksimetrat janë subjekt për kontrollin e tyre nga autoritetet përkatëse.
4. Njësitë e matjeve të miratuara për taksimetrat janë si më poshtë vijon:
a) metri ose kilometri, për distancën;
b) sekonda, minuta ose ora, për kohën;
c) leku, si monedha e vendit.
II. Karakteristikat metrologjike të taksimetrit
Për qëllime të zbatimit të këtij udhëzimi, është e nevojshme njohja me karakteristikat metrologjike të taksimetrit, qëllimit të të cilit i shërbejnë edhe përkufizimet e mëposhtme.
"Pagesa e udhëtimit" nënkupton shumën monetare, e llogaritur, e treguar dhe e shfaqur si pagesë nga taksimetri, e nevojshme për një udhëtim taksie të bazuar mbi një pagesë (tarifë) fillestare fikse dhe/ose gjatësinë dhe/ose kohëzgjatjen e udhëtimit.
"Pagesa (tarifë) fillestare e marrjes me qira" nënkupton shumën fikse që paguan udhëtari, pavarësisht kohës ose distancës së udhëtimit.
"Shpejtësi e caktuar ose e ndërrimit (km/h)" nënkupton vlerën e shpejtësisë që përcaktohet nga raporti i vlerës tarifë-kohë ndaj vlerës tarifë-distancë të aplikueshme.
"Distancë fillestare" nënkupton distancën me të cilën udhëtohet në përputhje me tarifën për pagesën fillestare të marrjes me qira, duke marrë parasysh vetëm llogaritjen-distancë.
"Kohë fillestare" nënkupton periudhën gjatë së cilës autovetura taksi përdoret si pagesë fillestare e marrjes me qira, duke marrë parasysh vetëm llogaritjen-kohë.
"Llogaritja distancë - kohë" nënkupton metodën llogaritëse në të cilën dy komponentët e pagesës rriten njëkohësisht, njëri në proporcion me kohëzgjatjen e udhëtimit dhe tjetri në proporcion me distancën e udhëtuar.
"Tarifë" nënkupton vendosjen e vlerave të tarifës (që përfshin kohën fillestare/distancën fillestare), e cila përfaqëson një listë të taksave ose vlerave, të cilat do të veprojnë në taksimetër për një pozicion tarife të specifikuar.
"Vlera e tarifës" nënkupton vlerat prej së cilës taksimetri llogarit pagesën.
"Vlera e tarifës distancë" nënkupton vlerën e tarifës së shprehur si një shumë e parave për një distancë të dhënë.
"Vlera e tarifës kohë" nënkupton vlerën e tarifës së shprehur si një shumë e parave për një periudhë kohe të dhënë.
"Pozicion tarife" nënkupton pozicionin në të cilin taksimetri rregullohet për pozicionin "e marrë me qira" (e okupuar).
"Rregullimi i tarifës" nënkupton një rregull, i cili vendos tarifat dhe shtesat që janë për t'u zbatuar sipas kushteve të specifikuara.
"Pozicioni i operimit" nënkupton pozicione të ndryshme të operimit, në të cilat taksimetri plotëson role të ndryshme të funksionit të tij, dhe të cilat dallohen nga treguesit si vijon:
a) "Jepet me qira (e lirë)" nënkupton pozicionin që taksimetri nuk është duke llogaritur pagesën dhe asnjë udhëtar nuk është duke kryer udhëtim.
b) "E marrë me qira (e okupuar)" nënkupton pozicionimin që taksimetri është duke treguar dhe llogaritur një pagesë, e cila bazohet në një detyrim (taksë) qiramarrjeje të mundshme dhe një tarifë për kohën e udhëtimit dhe/ose distancës së udhëtuar.
c) "E ndaluar" nënkupton pozicionin e udhëtimit, i cili ka përfunduar dhe pagesa në lidhje me rritjen e kohës është ndërprerë, ndërsa llogaritja-distancë funksionon.
III. Kërkesa teknike
- Përshtatshmëria e përdorimit
Taksimetri do të caktohet për t'iu përshtatur metodës së operimit dhe mjetit për të cilin ai është i destinuar. Ai do të jetë prej një konstruksioni përshtatshmërisht të fortë, me qëllim që ai të ruajë karakteristikat e tij metrologjike.
- Llogaritja e pagesës
"Mënyra e llogaritjes normale "D" (aplikimi i dyfishtë i tarifës)" nënkupton llogaritjen e pagesës, të bazuar në zbatimin e njëkohshëm të tarifës "kohë" dhe tarifës "distancë" gjatë gjithë udhëtimit.
"Mënyra e llogaritjes normale "S" (aplikimi i veçantë i tarifës)" nënkupton llogaritjen e pagesës, të bazuar në zbatimin e "tarifës kohë" poshtë shpejtësisë së caktuar të ndërrimit dhe zbatimit të tarifës "distancë" mbi shpejtësinë e caktuar të ndërrimit.
- Ndërrimi automatik i tarifave
Ndërrimi automatik i tarifave mund të jetë i menjëhershëm për:
a) distancën e udhëtimit;
b) kohëzgjatjen e udhëtimit;
c) kohën e ditës;
ç) ditën e javës; ose
d) të dhëna të tjera të specifikuara në përputhje me rregulloren kombëtare.
IV. Shpenzimet për montimin e taksimetrit
Shpenzimet që kryhen për instalimin, kalibrimin, plumbosjen, verifikimin përballohen nga vetë subjekti taksi.
V. Rekomandime mbi caktimin e çmimeve dhe tarifave nga këshilli bashkiak
1. Qëllimi kryesor i bashkisë është që t'u krijojë lehtësira sa më të mëdha klientëve në zgjedhjen e pagesës në shërbimin taksi, si dhe për të mos lejuar grabitjen në mënyrë të pandershme nga drejtuesit abuzivë të autoveturave taksi, kjo sidomos për klientët e pambrojtur, në të cilët bëjnë pjesë personat me moshë të madhe, personat e paaftë fizikisht, mundësitë e të cilëve janë të pakta në zgjedhjen e transporteve alternative. Në rritjen e sigurisë për persona që janë të detyruar të udhëtojnë natën, si dhe personat që nuk e njohin zonën ku dëshirojnë të udhëtojnë, kryesisht turistët.
2. Faktorët që duhet të merren parasysh më shumë në shqyrtimin ose rishqyrtimin e tarifave të taksisë janë kryesisht blerja e mjetit dhe kostot e operacionit, ose ndryshimet në kostot e blerjes për shkak të rishikimit në specifikimet e mjeteve ose në kushtet e licencës, si dhe ndryshimet në fitimin mesatar.
3. Këshilli bashkiak merr vendimin në caktimin e vlerave të tarifave, që përfshin vlerën e tarifës fillestare, në përputhje me formulën e pranuar nga të dyja palët, bashkia dhe përfaqësuesit e shërbimit taksi. Vlerat e tarifave rishikohen në mënyrë të rregullt çdo vit.
Në caktimin e vlerës së tarifës, këshilli bashkiak dhe përfaqësuesit e taksistëve duhet të kenë parasysh se vlera shumë e lartë e saj do të çojë drejt radhëve të gjata të taksive, që qëndrojnë në pritje të klientëve, ndërsa vlera shumë e ulët e tarifës do të çojë drejt radhëve të gjata të klientëve që rrijnë në pritje të taksive.
4. Në taksimetër regjistrohen të gjitha llojet e tarifave, si tarifa fillestare e marrjes së autoveturës taksi me qira për distancën në metra ose kilometra, për udhëtimin ditën ose natën, për ditët e zakonshme të javës ose për ditët e pushimit të javës dhe ditët e festave që janë pushim, për udhëtime brenda zonës urbane ose jashtë zonës urbane etj.
5. Rekomandojmë që tarifat e pagesës të përfaqësojnë një vlerë maksimale dhe nuk duhet të vendosen tarifa pagese fikse ose minimale. Për këtë, taksistët janë të lirë që të kalibrojnë taksimetrat e tyre me tarifa poshtë vlerës maksimale duke zgjedhur tarifa më të ulta, si dhe t'u japin klientëve mundësinë e negocimit për uljen e këtyre pagesave.
6. Bashkia, pas vendimit të marrë nga këshilli bashkiak në lidhje me caktimin e vlerave të tarifave, njofton Drejtorinë e Përgjithshme të Kalibrimit dhe Metrologjisë, Inspektoratin e Kontrollit në Rrugë pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, Policinë Rrugore, Policinë Tatimore, si dhe njofton komunitetin e tij me anë të mediave me shkrim dhe asaj elektronike lokale të paktën dy javë para vendimit.
7. Bashki të ndryshme mund të kenë nivele të ndryshme të çmimeve, të cilat varen nga një numër faktorësh lokalë, si: pranimi i diskutimeve të çmimit nga taksistët, niveli i jetesës së përdoruesve të taksisë, si dhe koston e shërbimit taksi.
Në aneksin 1 jepen dy tabela, në të cilat rekomandohen komponentët e tarifës mesatare në shërbimin taksi. Vlerat e tarifave të dhëna në tabelat nr.1 dhe nr.2 janë orientuese e rekomanduese. Këto vlera duhet të përcaktohen sipas pikës 3 të këtij kapitulli.
8. Në aneksin 1 jepen vlerat për periudhën e punës së natës, nga ora 22.00 deri në orën 6.00 dhe ditën e diel ose ditët e festave që janë pushim, një vlerë prej 5% do t'i shtohet tarifës fillestare. Për udhëtimin e mëtejshëm, brenda tarifës "A" do të shtohet një vlerë prej 20% dhe brenda tarifës "B" do të shtohet një vlerë prej 10%. Tarifa "C" nuk ka rritje.
9. Në bazë të nenit 36 të ligjit nr.8308, datë 18.3.1998 "Për transportet rrugore" të ndryshuar, niveli dysheme i tarifave të shërbimit taksi nuk mund të jetë më pak se dyfishi i çmimeve të shërbimeve të njëjta me autobusë, në të cilin përfshihen shërbimet: qytetës, rrethqytetës dhe ndërqytetës.
10. Tarifat afishohen në një vend të dukshëm brenda taksisë, si dhe në pjesën e jashtme anësore të saj, të dallueshme nga një largësi prej 2 metrash.
11. Në nisje pagesa e taksisë llogaritet për gjithë numrin e vendeve të saj, pavarësisht nga numri i udhëtarëve. Për çdo udhëtar shtesë drejtuesi i mjetit taksi mund të kërkojë lekë shtesë, vlerën e së cilës e cakton bashkia. Dy fëmijë të moshës nën 12 vjeç bëjnë një udhëtar të rritur, ndërsa një fëmijë nën moshën 12 vjeç nuk paguan.
12. Kur autovetura taksi kryen shërbime jashtë rrethit ku është e regjistruar, ajo lejohet të marrë në kthim:
a) udhëtarë vetëm në rrethin e regjistrimit të saj.
b) të njëjtët udhëtarë, të cilët e kanë prenotuar ose rezervuar më parë, në vajtje dhe që kanë hipur në rrethin e regjistrimit të saj.
Pagesa sipas mënyrës së operimit, të shkronjës "a" të kësaj pike, bëhet jo kundrejt të gjitha vendeve të taksisë, por për çdo udhëtar.
13. Drejtuesi i autoveturës taksi, gjatë gjithë udhëtimit dhe qëndrimit, përgjigjet për bagazhet e udhëtarit. Tarifa për bagazhet është 10 lekë për çdo 25 kg dhe pas 25 kg të para deri në një maksimum prej 50 lekësh. Këto vlera mund të pasqyrohen dhe t'u shtohen vlerave në tabelat e mësipërme. Në rast dëmtimi të bagazheve, drejtuesi i autoveturës taksi i shpërblen udhëtarit kundërvleftën e dëmit.
14. Nëse udhëtimi ndërpritet për forcë madhore ose kur drejtuesi i autoveturës taksi nuk përfundon udhëtimin jo për arsye të udhëtarëve, ai siguron kthimin e tyre në vendnisje, pa pagesë, ose në pamundësi ta kryejë atë vetë, siguron një mjet tjetër për të mundësuar udhëtimin në destinacion ose anasjelltas.
VI. Blloku i faturave
1. Drejtuesi i autoveturës taksi duhet të jetë i pajisur me një bllok faturash dhe për çdo udhëtim ai është i detyuruar t'i japë klientit faturën për udhëtimin e kryer. Fatura duhet të plotësohet nga ai në të gjitha elementet që janë vendosur në të.
2. Blloku i faturave prodhohet në DPSHTRR dhe u shpërndahet nëpërmjet drejtorive rajonale vetëm subjekteve fizike dhe juridike të licencuara në shërbimin taksi.
Çdo bllok faturash shoqërohet me regjistrimin e emrit të subjektit fizik/juridik të cilit i është lëshuar.
3. Blloku i faturave përbëhet nga 25 fletë në 2 kopje. Modeli i bllokut të faturave është parqitur në aneksin 2.
4. Funksionimi i taksimetrit është subjekt kontrolli nga organet e kontrollit në rrugë. Nëse drejtuesi i autoveturës taksi vëren se taksimetri nuk është në gjendje pune (dëmtuar/mosfunksionim) ai duhet të paraqitet brenda 7 ditëve në qendrën e instalimeve/të riparimit të  taksimetrit ose zëvendësimin e tij me një taksimetër të ri. Nëse organet e kontrollit në rrugë konstatojnë se drejtuesi i autoveturës taksi nuk ka marrë masat e nevojshme brenda periudhës së caktuar për riparimin ose ndërrimin e taksimetrit, ai gjobitet në përputhje me shkronjën "a" të nenit 68 të ligjit nr.8308, datë 18.3.1998 "Për transportet rrugore", të ndryshuar.
VII. Të tjera
Pika V "Zbatimi i tarifave dhe çmimeve" e udhëzimit nr.1649, datë 16.8.1999 "Mbi plotësimin e disa kushteve të veçanta në transportin rrugor të udhëtarëve", të ndryshuar, shfuqizohet.
Ky udhëzim hyn në fuqi me botimin në Fletoren Zyrtare

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›