Shehu: Koncesionet do të ulin deficitin e buxhetit
Qeveria do të ulë nivelin e deficitit buxhetor, nga 7.9 për qind që është aktualisht në 5.2 për qind.
Fabiola Çela
Në një intervistë të dhënë për gazetën "Panorama", zëvendësministri i Financave, Sherefedin Shehu, shpjegon të gjitha hapat që do të ndiqen për të ulur nivelin e deficitit. Madje, sipas tij, në sajë të rritjes së të ardhurave qeveria do të arrijë që nivelin e deficitit ta ulë në 3 për qind. Por ky është një hap që do të ndërmerret në vitet e ardhshme. Ashtu si edhe vitin e kaluar, edhe këtë vit qeveria do të miratojë një buxhet suplementar në korrik. Hartimi i këtij buxheti është mundësuar nga rritja e të ardhurave tatimore dhe doganore. Pjesa më e madhe e fondit për investime publike do të shkojë për financimin e rrugës Durrës-Kukës.
Ndërkombëtarët ju kanë rekomanduar që të ulni nivelin e deficitit buxhetor nga 7.9 për qind që është aktualisht në 5.2 për qind. Çfarë masash do të merrni për të ulur nivelin e deficitit buxhetor?
Në fakt, deficiti buxhetor është ulur "de fakto", por jo "de juro". Kjo është bërë nëpërmjet analizës së disbursimit të kredive të huaja. Konkretisht janë disa projekte, të cilët ishin planifikuar të fillonin në janar, por në fakt kanë nisur më vonë, ndërsa disa të tjerë nuk kanë nisur ende. Pra, është bërë një analizë e programit të disbursimeve dhe prej tyre është arritur të ulet shuma e disbursimeve që me fjalë të tjera do të thotë se, ulet shuma e shpenzimeve dhe e deficitit buxhetor. Por theksoj se kjo ulje më shumë se 50 për qind kompensohet me buxhetin suplementar me rritjen e të ardhurave të brendshme, pra të ardhurat nga sistemi tatimor që janë 4 miliardë dhe të ardhurat nga privatizimet strategjike. Sipas parashikimeve tona, të ardhurat nga privatizimet priten të jenë 7-8 miliardë që janë të sigurta, por vlerësimet janë 10 deri në 12 miliardë lekë. Dhe këto të ardhura janë përveç të ardhurave nga sistemi fiskal.
Vitin e ardhshëm përfundon marrëveshja që vendi ynë ka me FMN-në. Rolin e monitoruesit të ekonomisë do ta marrë Bashkimi Evropian, ku ndër kushtet që vendos, të njohura si kriteret e Mastriktit është edhe niveli i deficitit tregtar në masën 3 për qind. Sa i realizueshëm është ky objektiv për Ministrinë e Financave?
Sigurisht që kjo do të arrihet sepse është një nga kriteret e traktatit të Mastriktit dhe hyrja në BE do ta bëjë të detyrueshme. Si do të arrihet kjo? Theksoj se pas përfundimit të rrugës Durrës-Kukës qeveria shqiptare nuk ka më projekte të mëdha ose gjigante. Përveç kësaj, ne po kalojmë në fazën tjetër që është dhënia e ndërtimeve me koncesion. Pra, kemi vendosur që t'ia kalojmë sektorit privat infrastrukturën. Konkretisht ne po përgatisim, që portet t'ia japim me koncesion sektorit privat. Gjithashtu, veprat energjetike si hidrocentralet e termocentrale qeveria ka vendosur që t'ia japë me koncesion biznesit. Pra, ajo çka dua të them është se, shumë investime tashmë po i bën biznesi dhe jo qeveria, madje tashmë ne i kemi mbuluar me financime të gjitha rrugët kryesore. Ndërsa rrjeti tjetër do të jetë rrjeti që do të ofrohet me koncesion. Në këtë mënyrë ne po i ulim presionet ndaj shpenzimeve publike dhe po e stabilizojmë 'turrën' e shpenzimeve publike. Njëkohësisht, kemi edhe rezerva nga rritjet e të ardhurave, sepse vërtet ulet deficiti në 3, por kjo është rezultat i rritjes së të ardhurave. Nga korrigjimi që ne kemi bërë në buxhet 5 miliardë lekë ulja e disbursimeve. Në uljen e disbursimeve mund të përmendim vonesat në rrugën Levan-Vlorë. Shkak për këto vonesa janë shpronësimet, sepse banorët nuk kanë tituj pronësie. Në fakt, unë përmenda një rast po në tërësi janë rreth 8 miliardë lekë, që po kompensohen.
Sa është fondi i parave që është parashikuar të përdoret për investime?
Nga buxheti i shtetit, momentalisht kemi 50 miliardë lekë dhe presim që të shtojmë të paktën 20 deri në 25 miliardë lekë. Llogaritjet e derisotme janë 14 miliardë që janë investime nga të ardhurat dhe burimet e tjera. Por në këto shifra nuk përfshihen privatizimet strategjike siç është privatizimi i ARMO-s, pra mund të ketë edhe një shtesë tjetër prej 7-8 miliardë lekë. Përveç të ardhurave që mund të merren nga privatizimi i KESH-it janë edhe të ardhurat që do të merren nga privatizimi i aksioneve që ka shteti tek kompania celulare AMC, tek Banka e Bashkuar dhe kompania e sigurimeve INSIG.
FMN: Ulni deficitin buxhetor
Në fund të marrëveshjes me Shqipërinë, ndërkombëtarët e FMN-së i kanë dhënë disa këshilla qeverisë shqiptare. "Rreziqet fiskale do të duhet të adresohen me vendosmëri. Rritja e bollshme e të ardhurave duhet përdorur për të konsoliduar financat publike dhe për të mbajtur deficitin e buxhetit në 5.2 për qind të PBB-së. Duke qenë se disa rreziqe fiskale mbeten, p.sh., tejkalimi i kostos në rrugën Rrëshen-Kalimash", është shprehur pak kohë më parë, në një deklaratë për mediat, shefi i misionit të FMN-së Gerwin Bell. Në këtë mënyrë, ndërtimi i kësaj rruge është rikthyer sërish në qendër të vëmendjes, por këtë herë qeveria duhet të ketë kujdes me koston e këtij projekti, pasi kjo mund të ndikojë në varfërimin e buxhetit të shtetit. Pikërisht për të evituar këtë problem në buxhetin suplementar të këtij viti, qeveria ka menduar që pjesa më e madhe e fondit për investime të shkojnë për rrugën Durrës-Kukës.