Pagat dhe pensionet, skema e rritjes
ADI SHKEMBI
Qeveria bën gati skemën e rritjes së rrogave dhe pensioneve, duke filluar nga 1 maji. Kryeministri Berisha bëri të ditur dje në një konferencë për shtyp se stafi i tij ka përllogaritur rritjen sipas të gjitha kategorive, e cila do të miratohet në një nga mbledhjet e afërta të qeverisë. Kështu, sipas kësaj skeme, mësuesit, infermierët dhe mjekët do të kenë një rritje page me mesatarisht 15 për qind. Konkretisht, këto kategori do të përfitojnë një pagë 3-4 mijë lekë më shumë, në krahasim me muajin janar, kur u shënua edhe rritja e fundit. Kryeministri Berisha tha mbrëmë se në krahasim me vitin 2005, rrogat e këtyre kategorive dyfishohen. Pjesë e skemës së re do të jenë edhe punonjësit e administratës. Kështu, punonjësit me pagë 30-50 mijë lekë të reja do të kenë një rritje page deri në 10 për qind dhe punonjësit me pagë 50-80 mijë lekë do të kenë rritje page deri në 5 për qind. Në shifra rritja për këto kategori pritet të jetë 2000-2500 lekë të reja. Ndërkohë, ndryshe nga të gjitha rritjet e mëparshme, një pjesë e administratës, e cila ka pagën më shumë se 80 mijë lekë të reja, nuk do të ketë rritje page, përveç indeksimit vjetor në varësi të rritjes së inflacionit. Kështu kategoritë: drejtor drejtorie, drejtor i përgjithshëm, sekretarë të përgjithshëm, zv.ministra, deputetë, ministra, anëtarët e Gjykatës Kushtetuese, kryeministër, kryetar Kuvendi, President, nuk do të kenë rritje page.
Pensionet
Pjesë e skemës së re të qeverisë do të jetë edhe rritja e pensioneve në fshat dhe qytet. Kështu, pensionet e fshatit do të rriten me 20 për qind, duke shkuar nga 3400 lekë në vitin 2005, në mbi 6800 lekë në vitin 2009. Njëkohësisht pensionet e qytetit do të rriten me 10 për qind, duke u rritur konkretisht nga 11.000 lekë që janë tani në 12.200 lekë pas 1 majit. Sipas Kryeministrit Berisha, “rritja e rrogave dhe pensioneve nuk ka asnjë qëllim elektoral. Edhe po të kishte një të tillë nuk do ta fshija, por ne atyre që shprehen se ka qëllim elektoral u themi se kjo rritje është bërë në vitin 2006, madje rrogat e mësuesve janë rritur me 27%, infermierëve me 27% dhe nuk ka qenë elektorale. Kjo rritje është bërë në vitin 2007, edhe në vitin 2008 dhe për fat të keq në të gjitha këto rritje opozita e vendit ka votuar kundër në Parlament”.
Kartat
Paralelisht me rritjen e pagave dhe pensioneve, qeveria ka gati një skemë për rimbursimin e çmimit të kartave për disa prej kategorive që përfitojnë me vendimin e pak javëve më parë. Kështu, për personat me ndihmë ekonomike kuponin do ta blejnë kryetarët e bashkive dhe komunave. Qytetarët e këtyre kategorive do të paraqiten pranë këtyre zyrave, ku do të paguajnë shumën prej 1200 lekë dhe pasi të marrin një dokument në këto zyra, do të paraqiten në zyrat e ndihmës ekonomike ku do t’u kthehet shuma prej 1000 lekësh. Për sa i përket komuniteti rom dhe egjiptian, ata do t’i përfitojnë kartat e identitetit falas dhe qeveria do të vendosë në ndihmën e tyre ekonomike shumën prej 1200 lekësh. Ndërkohë që një komision do të shqyrtojë rastet kur persona të këtij komuniteti nuk ka nevojë për ndihmë ekonomike. Për sa i përket studentëve, do të jetë Ministria e Arsimit dhe fakulteti përkatës, i cili do të blejë kuponët dhe do t’ua shpërndajë atyre. Studentët janë të detyruar të hyjnë në provim vetëm duke paraqitur kartën në sekretari dhe duke dorëzuar 2 mijë lekë që u takon, duke shmangur në këtë mënyrë parapagimin. Përsa i përket pensionistëve, në rritjen e pensionit në 1 maj ata do të kenë në llogarinë e tyre dhe një shtesë prej 1 mijë lekësh të reja dhe duke shtuar 200 lekë vetë do të blejnë kuponin për të aplikuar për kartën e identitetit. Pensionistët do të kenë afat dy muaj për ta kryer këtë proces, ndërkohë që pensionin e parë pas dy muajsh do ta marrin duke paraqitur pranë zyrave të tërheqjes së pensioneve fotokopjen e kartës së identitetit. I pyetur se kur do të kompensohen qytetarët e këtyre kategorive që kanë marrë tashmë kartën e identitetit, Kryeministri Berisha tha mbrëmë se, “pensionistët që i kanë blerë kuponët tashmë, do t’i tërheqin paratë e kompensimit në datën 1 maj. Ne do të vendosim në pensionet e tyre të gjithë shumën, ashtu siç theksova”.
Pagat dhe pensionet
Rritja e pagave sipas kategorive
Kategoria përqindja
Mësues 15%
Infermierë 15%
Mjekë 15%
Administrata
Rrogat nga:
30-50 mijë lekë 10%
mbi 50 mijë lekë 5%
Mbi 80 mijë lekë - rritja sa inflacioni i vjetshëm
Pensionet
Në fshat 20%
Në qytet 10%
Skema e rimbursimit të kartave
Për qytetarët me ndihmë ekonomike
Kuponin do ta blejnë kryetarët e bashkive dhe komunave. Qytetarët e këtyre kategorive do të paraqiten pranë këtyre zyrave, ku do të paguajnë shumën prej 1200 lekë dhe pasi të marrin një dokument në këto zyra, do të paraqiten në zyrat e ndihmës ekonomike, ku do t’u kthehet shuma prej 1000 lekësh.
Për studentët
Ministria e Arsimit dhe fakulteti përkatës do të blejnë kuponët dhe do t’ua shpërndajë. Studentët janë të detyruar të hyjnë në provim vetëm duke paraqitur kartën në sekretari dhe duke dorëzuar 2 mije lekë që u takon, duke shmangur në këtë mënyrë parapagimin.
Për pensionistët
Në rritjen e pensionit në 1 maj ata do të kenë në llogarinë e tyre dhe një shtesë prej 1 mijë lekësh të reja dhe duke shtuar 200 lekë vetë do të blejnë kuponin për të aplikuar për kartën e identitetit. Pensionistët do të kenë afat dy muaj për ta kryer këtë proces, ndërkohë që pensionin e parë pas dy muajsh do ta marrin duke paraqitur pranë zyrave të tërheqjes së pensioneve fotokopjen e kartës së identitetit.