Gjendet në kazanin e plehrave foshnja e porsalindur. Prindërit e “flakën” në fshehtësi
Një foshnjë e porsalindur është gjetur dje në mesditë e pajetë në një kazan plehrash pranë maternitetit të ri “Koço Gliozheni”, në Tiranë. Mësohet se foshnja ka lindur në muajin e 7-të të shtatzënisë e vdekur dhe policia dyshon se prindërit e kanë hedhur aty për shkak të një besëtytnie mbi fëmijët e vdekur. Foshnja lindi të hënën në maternitetin e ri, por fatkeqësisht e pajetë. E sjellë në jetë para kohe, vetëm në muajin e 7-të, bebja shtatanike nuk ka mundur të mbijetojë. Mjekët ua kanë dorëzuar prindërve të vërtetë foshnjën e pajetë, të cilët e kanë tërhequr nga materniteti. Policia nga hetimet paraprake dyshon se prindërit, pasi kanë dalë nga materniteti, e kanë hedhur trupin e pajetë në kazanin më të afërt dhe janë larguar prej vendit të ngjarjes. Rreth orës 12:00 të ditës së djeshme kanë qenë kalimtarë të rastit që konfirmuan foshnjën e pajetë dhe sinjalizuan policinë. Duke parë se foshnja u gjet pranë një materniteti, blutë kanë pyetur aty fillimisht për të zbuluar gjurmët e prindërve të foshnjës së pajetë. Në maternitet blutë mësuan për vdekjen e një foshnjë të lindur të vdekur në muajin e 7-të të hënën, trupi i së cilës ishte tërhequr ditën e djeshme nga prindërit. Në hetimet e brenda një ore ku është sekuestruar edhe kartela e lindjes, policia ka gjetur vendndodhjen e prindërve. Prokuroria ka urdhëruar për shoqërimin e tyre. Efektivët nuk bëjnë të ditur emrat e tyre, por theksojnë se ata janë nga një fshat i periferisë së Tiranës. Nga hetimet e bëra dyshohet se foshnja është hedhur qëllimisht në plehra. Si fëmija i parë i lindur i vdekur, prindërit, sipas besëtytnive, nuk dëshironin të fusnin në shtëpi për herë të parë një fëmijë të vdekur. Për këtë arsye dyshohet se ata e kanë hedhur beben në plehra dhe nuk e kanë varrosur atë si qenie humane. Policia po vazhdon të hetojë rastin.
Në pranga kreu i PLL-së në Elbasan, mashtronte me banesat sociale
Kryetari i Partisë Lëvizja e Legalitetit në Elbasan, Shpëtim Myftaraj, është arrestuar nga policia pasi akuzohet për ryshfet. Ka qenë një qytetar që ka denoncuar kreun e PLL-aë, pasi ky i fundit dyshohet se i ka marrë atij një shumë parash duke i premtuar se do t’i siguronte një banesë sociale. Burime nga policia thanë se dyshohet që kreu i PLL-së, Myftaraj, i ka kërkuar rreth 3 milionë lekë të vjetër një qytetari, emri i të cilit nuk bëhet i ditur pasi i ka premtuar atij se do të përfshinte emrin e tij në listën e përfituesve të banesave që jepen nga bashkia për të pastrehët. Mësohet se “pazari” është kryer para zgjedhjeve të 28 qershorit dhe qytetari ka pranuar duke derdhur në llogarinë e kreut të PLL-së shumën e caktuar prej këtij të fundit. Mirëpo pas disa muajve as emri në listë nuk figuronte dhe as kthimi i parave nuk po kryhej, duke e detyruar qytetarin të denoncojë në polici mashtrimin, ndërsa nga ana tjetër premtimet e kreut të PLL-së vazhdonin ende. Pas denoncimit policia e Elbasanit ka nisur hetimet ndërsa ka bërë të mundur kapjen dhe arrestimin e Shpëtim Myftarajt. Sipas policisë, dyshohet se në të tilla mashtrime mund të jenë implikuar edhe ish-këshilltarë të Bashkisë së Elbasanit, të cilët janë në hetim e sipër.
Vjedhin dyqanin, në pranga dy minorenët
Forcat e Policisë së Tiranës kanë vënë në pranga dy të mitur, të dyshuar si autorë të vjedhjes së një dyqani. Lajmi bëhet i ditur nga burimet policore, të cilat bëjnë me dijeni se dy personat e arrestuar janë M. U., 16 vjeç, lindur në Vlorë dhe banues në Tiranë dhe O. K., 14 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë. Arrestimi i tyre u krye pasi dyshohet se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë vjedhur një dyqan ushqimor. U kryen veprimet procedurale dhe materialet do t’i kalojnë prokurorisë për veprën penale të “vjedhjes” në bashkëpunim, parashikuar nga Neni 134/2 i Kodit Penal.
5 Gusht 2009