E Diel, 1 Nëntor 2026

Porosia për “Nazifin”, sekuestrohen 4.5 kg heroinë në Kakavijë

Në pranga 42-vjeçari nga Fieri, Kristaq Musha, që po transportonte drogën drejt Athinës. Operacioni i policisë nisi pas të dhënave operative të dërguara nga qyteti i Fierit për lëvizjen e drogës

Pakot e drogës me mbishkrimin “Nazifi” ishin lënë në mënyrë të shpenguar poshtë kofanos së mjetit që drejtonte 42-vjeçari Kristaq Musha, ndoshta i sigurt se diku në doganën e Kakavijës kontrollorët do t’i shkelnin syrin dhe do t’i jepnin shenjë të kalonte qetësisht. Por kësaj here ndodhi ndryshe, pasi 42-vjeçari ishte piketuar porsa ishte nisur nga Fieri drejt Kakavijës falë informacioneve operative të siguruara nga agjentët e Antidrogës. Ndalimi në Kakavijë ka sjellë dhe zbulimin pa shumë mund të pakove të drogës të vendosura mes relieveve të motorit të makinës së Kristaq Mushës, i cili humbi qetësinë kur policia e urdhëroi të zbriste sepse do t’i kontrollonin makinën.
Gjithçka ndodhi në Pikën e Kalimit Kufitar të Kakavijës, gjatë kontrollit të ushtruar në automjetin tip “Wolksvagen Passat” me targa greke ATE 75 07, poshtë kofanos së tij kanë konstatuar disa pako të dyshuara me lëndë narkotike të llojit heroinë. Burimet policore bëjnë me dijeni se u vërtetua që në makinën e drejtuar prej Kristaq Mushës, 42 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Portëz të Fierit, i cili udhëtonte për në Athinë u gjetën 9 pako të dyshuara me lëndë narkotike të llojit heroinë.
Droga
Gjatë peshimit rezultoi se pesha e përgjithshme ishte 4 kilogramë e 650 gramë. Nga ana e policisë së Gjirokastrës është bërë arrestimi në flagrancë i shtetasit Kristaq Musha për veprën penale të “trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike”, parashikuar nga Neni 283/a i Kodit Penal. Materialet i kaluan Prokurorisë së Krimeve të Rënda Tiranë për veprime të mëtejshme, që me sa duket, do të kërkojnë kohë për t’u kompletuar për vetë faktin se agjentët e Antidrogës janë të sigurt se personi i arrestuar është veçse një korrier i punësuar, ndërsa baronët e “mallit” janë ata që i paguajnë shërbimin. Policia ka gjetur një element të veçantë në pakot e drogës, mbishkrimin “Nazif”. Ky mbishkrim përcakton ndarjen pakove sipas porosive dhe sipas të gjitha gjasave është një pseudonim që i korrespondon një personi të caktuar që ka bërë dhe porosinë e mallit. Zbardhja e identitetit të porositësit ngelet një mision thuajse i pamundur në pjesën dërrmuese të rasteve, pasi korrierët nuk tregojnë, ndërsa zbërthimi i pseudonimeve, mund të kryhet vetëm pasi të dyshuarit futen në përgjime telefonike dhe nga bisedat bëhet dhe përputhja mes personazheve të trafikut dhe pseudonimeve që ata kanë.
Kakavijë
Sasitë e drogës që kalojnë nga Shqipëria drejt pikës kufitare të Kakavijës me Greqinë mendohet se janë nga më të mëdhatë. Këta persona u arrestuan rreth tre muaj më parë në operacionin "Kështjella", të organizuar nga Policia e Shtetit dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda, si të dyshuar për trafikimin e sasisë prej 40 kg heroinë, e cila u bllokua në Pikën e Kalimit Kufitar të Kakavijës, në Gjirokastër, që lidh Shqipërinë me Greqinë. Burime zyrtare nga Prokuroria e Krimeve të Rënda konfirmuan se grupi hetimor po punon edhe në drejtim të zbulimit të bashkëpunëtorëve të tjerë të mundshëm në këtë veprimtari ilegale. Sipas institucionit të Prokurorisë, mendohet se sasia e drogës së sekuestruar ishte destinuar për t’u tregtuar në Gjermani, duke kaluar transit nga Greqia e shtete të tjera perëndimore. Heroina e bllokuar në operacionin “Kështjella”, përbën sasinë më të madhe të kapur ndonjëherë në Shqipëri dhe vlera e saj llogaritet në mijëra euro.

5 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›