Hipoteka, si kryhen shërbimet nga regjistri elektronik
Laureta Rryçi
Me krijimin e regjistrit elektronik për të gjitha shërbimet që kryhen në zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme ka ndryshuar edhe procedura. Gazeta “Albania” ka siguruar udhëzimin e fundit që përcakton edhe procedurën që ndiqet në të tilla raste si dhe afatet që duhen të respektohen si nga qytetarët ashtu edhe nga specialistët e Hipotekës. Sipas këtij udhëzimi kërkesa për regjistrimin e veprimeve juridike, të fitimit apo kalimit të së drejtës së pronësisë së pasurive të paluajtshme, ndarjes apo bashkimit të tyre, kontratave të qirasë, kërkesëpadive, kopjeve të vërtetuara, planeve të rilevimit, marrjes së certifikatave të pronësisë, regjistrimit në hipoteka etj., bëhet në zyrën e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, në zbatim të ligjit nr.7843, datë 13.7.1994 “Për regjistrimin e pasurive të paluajtshme”, të ndryshuar, nga kërkuesi, vetë ose nëpërmjet përfaqësuesit të tij të autorizuar, sipas Kodit Civil.
Formulari
Në formularin e kërkesës, qytetari duhet të shënojë qartë emrin, mbiemrin, adresën e saktë ose orientimin faktik të vendndodhjes, si dhe numrin e telefonit ose numrin e telefonit celular. Çdo kërkesë, sipas datës së paraqitjes, regjistrohet në regjistrin elektronik të kërkesave, ku shënohen numri dhe data e paraqitjes së kërkesës, si dhe data e përfundimit të aplikimit, sipas rendit kronologjik. Regjistri elektronik i kërkesave kontrollohet çdo ditë nga regjistruesi i zyrës, i cili është përgjegjës për përmbajtjen dhe zbatimin e radhës në trajtimin e praktikave. Të dhënat e këtij regjistri ruhen për një vit nga data e hedhjes së tyre. Regjistruesi, brenda 15 ditësh nga data e paraqitjes së kërkesës, është i detyruar të plotësojë kërkesën e paraqitur, në përputhje me legjislacionin në fuqi, ose, në rast të kundërt, të kthejë përgjigje, me shkrim, për shkaqet ligjore që e detyrojnë atë të mos kryejë regjistrimin apo të kërkojë një kohë më të gjatë nga ajo e përcaktuar më sipër.
Verifikimi
Kryeregjistruesi, jo më pak se një herë në tre muaj, verifikon ligjshmërinë e të gjitha rasteve kur është kaluar afati i mësipërm dhe njofton me shkrim Ministrin e Drejtësisë dhe Kryeministrin. Kthimi i përgjigjes dhe dërgimi i materialeve të kërkuara nga kërkuesi, për rrethet Tiranë, Durrës, Elbasan, Korçë, Vlorë dhe Shkodër, bëhen nga zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme, vetëm nëpërmjet shërbimit postar, duke i dërguar në adresën e deklaruar nga kërkuesi në kërkesë, nëpërmjet shërbimit “Me përgjigje të marrë”. Në kthimin e përgjigjes duhet të shënohen, detyrimisht, numri i aplikimit, data e regjistrimit dhe e kthimit të përgjigjes dhe ekstrakti i saj. Kthimi i përgjigjes shpallet në një vend të dukshëm në zyrën përkatëse dhe/ose në mënyrë elektronike.
Informimi mbi kërkesat e qytetarëve
Çdo regjistrues është i detyruar të raportojë me shkrim, jo më pak se 2 herë në muaj, te kryeregjistruesi të dhënat që lidhen me trajtimin e praktikave dhe dinamikën e përfundimit të tyre, indeksin e trajtimit të ankesave, si dhe zbatimin e urdhrave, të lëshuara për zbatim, nga organi epror. Kryeregjistruesi vë në dijeni, me shkrim, në fund të çdo muaji, Ministrin e Drejtësisë për numrin e kërkesave të paraqitura, dinamikën e përfundimit të tyre, indeksin dhe procesin e ankimit administrativ te Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, si dhe për zbatimin e urdhrave dhe të udhëzimeve, të dala prej tij dhe nga Departamenti i Kontrollit dhe Antikorrupsionit pranë Kryeministrit. Tarifa e shërbimit postar, e cila parashikohet në kontratën që nënshkruhet ndërmjet Ministrit të Drejtësisë dhe postës shtohet në tarifat e përcaktuara në vendimin nr.549, datë 26.8.1996 të Këshillit të Ministrave “Për caktimin e tarifave të shërbimit të zyrave të regjistrimit të pasurive të paluajtshme”, për shërbimin që kryhet nga zyrat përkatëse sipas pikës 4 të këtij vendimi. Çdo tarifë për shërbimin në zyrën e regjistrimit të pasurive të paluajtshme paguhet në llogarinë bankare të zyrës ose në zyrën e regjistrimit.
Dokumentacioni
Dokumentacioni i pasurive të paluajtshme është i ndarë në dy grupime. Dokumentacioni që i përket ende sistemit të vjetër të pasurive të paluajtshme ka si kriter pronarin, ndërsa sistemi i ri i Pasurive të Paluajtshme ka si kriter Nr. e Pasurisë. Sistemi i ri i Regjistrimit të Pasurive ka në përbërje tre komponentë kryesorë: dokumentet ligjorë, kartelën e pasurisë dhe hartën treguese. Sipas specialistëve, sistemi i ri është shumë më fleksibël dhe më i menaxhueshëm. Shqipëria është e ndarë në zona kadastrale dhe aktualisht jo të gjitha këto zona kanë hyrë në sistemin e ri, pasi jo në të gjitha është realizuar regjistrimi fillestar i pasurive, por edhe zonat që kanë kaluar në sistemin e ri nuk e kanë të gjithë dokumentacionin të dixhitalizuar. Puna për dixhitalizimin e tyre ka arritur deri te dokumentacionet e vitit 2003. Prandaj LAMP ka në fokusin e vet regjistrimin fillestar të pasurive dhe përmirësimin e të dhënave dixhitale për të arritur deri në ditët e sotme dhe për të krijuar mundësinë e përditësimit të dixhitalizimit të dokumentacionit.
Shërbimi, sistemi që redukton kohën e pritjes
Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme është zyrë shërbimi ndaj qytetarëve dhe duket se objektivi i drejtuesve ka qenë pikërisht përmirësimi i ofrimit të shërbimit. Për realizimin e këtij objektivi është standardizuar përfundimisht aplikimi elektronik në dhjetë ZVRPP-të e qyteteve më të mëdha të vendit. Kjo ka çuar në eliminimin e plotë të radhëve dhe konkretisht një aplikim nga një qytetar në këto zyra zgjat vetëm 15 minuta. Kohëzgjatja e përpunimit të një praktike deri në dhënien e një përgjigjeje ndaj qytetarit është shkurtuar ndjeshëm dhe tashmë zgjat nga 24 orë për shërbimin më të thjeshtë deri në 30 ditë për shërbimin më të ndërlikuar. Prioritet i është dhënë biznesit dhe veçanërisht marrëdhënieve me bankat, të cilat tani arrijnë të marrin një shërbim nga Zyrat e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme brenda 24 orëve. Përmirësimi i shërbimit në këtë drejtim është shoqëruar me rritjen e aftësive përpunuese të sistemit. Kjo tregohet edhe nga shifra e aplikimeve të përpunuara në shtatë muajt e fundit të vitit të kaluar. Sipas këtyre shifrave, nga të gjitha Zyrat Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, që shkon në afro 330 mijë aplikime që kanë marrë përgjigje nga ana e zyrave, ndërkohë që deri në fund të muajit gusht ky numër pritet të arrijë në afro 380 mijë. Natyrshëm që numrin më të madh të këtyre përgjigjeve e ka Tirana, me rreth 80 mijë të tilla. Më pas vijnë Durrësi, Vlora dhe qytete të tjera. Shifrat tregojnë se sistemi tashmë ka aftësi të mëdha të përpunimit të praktikave dhe vetëm në Tiranë mund të flasim për rreth 400 të tilla në ditë. Punonjësit në një ditë përpunojnë mesatarisht 7.9 aplikime në ditë.
Ndryshimet që sjell sistemi i ri
Sistemi i ri i pasurive të paluajtshme, i cili ka si kriter numrin e pasurisë
Sistemi i ri i regjistrimit të pasurive ka në përbërje tre komponentë kryesorë: dokumentet ligjore, kartelën e pasurisë dhe hartën treguese
Sistemi i ri është shumë më fleksibël dhe më i menaxhueshëm
5 Gusht 2009