Marrja e një kredie, kushtet shtese per individet dhe bizneset
Ervin KOÇI
Situata e kreditimit në ekonominë shqiptare edhe në tremujorin e dytë të këtij viti mbetet e vështirë. Në një anketim të Bankës së Shqipërisë me bankat e nivelit të dytë rezulton që si për bizneset ashtu edhe për individët shtrëngimi i standardeve të kredisë mbetet prezent. Në vrojtimin e tremujorit të dytë të vitit 2009 përqindja neto e bankave (rreth 40 për qind) që kanë raportuar për shtrëngim të standardeve të kredidhënies, megjithëse ende në nivele të larta, është zvogëluar krahasuar me nivelin e lartë të shënuar në tremujorin e parë. Standardet e kredisë akorduar bizneseve janë ulur më shumë, krahasuar me kredinë akorduar individëve, për shkak edhe të forcimit të kushteve në nivele të konsiderueshme në tremujorin e parë të vitit 2009. Sipas të dhënave të raportit të BSH-së, pjesa më e madhe e bankave private në vend nuk u kreditojnë klientëve individë më shumë se 60 për qind të vlerës së kërkuar, në një kohë që ato kanë ulur dhe afatet e shyerjes së saj deri në 30 për qind. Shtrëngimi neto i standardeve në tremujorin e dytë të vitit 2009 është paraqitur pothuaj në të njëjtën nivel si për bizneset ashtu dhe për individët (balanca neto përkatësisht -23.4 për qind dhe – 21.6 për qind). Sa i takon biznesit sipas materialit të publikuar nga Banka Qendrore rezulton që shtrëngimi ka qenë në të njëjtën masë si për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme ashtu edhe për korporatat e mëdha dhe se standardet për kredinë për investime vijojnë edhe në këtë tremujor të jenë më të shtrënguara se sa për kredinë për qëllime të kapitalit qarkullues. Faktorët kryesorë që vlerësohet të kenë kontribuar në shtrëngimin e standardeve në tremujorin e dytë të vitit 2009 mbeten problemet specifike të sektorit ku operon biznesi, situata makroekonomike në vend dhe ecuria e kredive me probleme. Politika shtrënguese e bankave gjatë tremujorit të dytë është realizuar kryesisht nëpërmjet rritjes së marzhit mesatar për kreditë që bankat vlerësojnë si më me rrezik dhe rritjes së kërkesës për kolateral në raport me madhësinë e kredisë. Shtrëngimi në kreditim ka rënduar edhe individët. Kjo vlerësohet të jetë shkaktuar nga gjendja e kredive me probleme, gjendja financiare e individëve si dhe zhvillimet në tregun e pasurive të paluajtshme. Por pas kësaj situate ajo çka është optimiste është pritshmëria e bankave për rritje të kërkesës për kredi dhe veçanërisht të kredisë në lekë.
Rritja e interesave
Nëse në muajt e fundit jeni hasur me ndryshime të këstit të kredive në mënyrë të vazhdueshme dhe me tendencë rritjeje, kjo vjen si pasojë e rrezikut të lartë për mosshlyerjen e kredisë në kohë. Shqiptarët pranuan të paguajnë interesa më të larta për kreditë në lekë dhe në euro, si pasojë e rritjes së primeve të rrezikut në ekonominë shqiptare gjatë muajit mars 2009. Kjo gjë bëhet e ditur nga statistikat e Bankës së Shqipërisë, sipas të cilave “interesat e kredive afatgjata në lekë u rritën me 0.43 për qind në krahasim me shkurtin dhe 1.67 për qind në krahasim me dhjetorin 2008, si pasojë e tendencës nënçmuese të monedhës shqiptare”. Kreditë afatgjata janë ato që kanë afat maturimi mbi 5 vjet dhe zakonisht merren për të financuar blerjen e shtëpive. Gjatë marsit, interesi i tyre ishte mesatarisht 16.61 për qind në terma realë. BSH-ja llogarit interesin real të paguar nga klienti, ndërkohë që bankat zakonisht e ndajnë koston e kredisë në interesa dhe komisione. Por rritja e interesave ishte edhe më e lartë për kreditë afatshkurtra, 6 deri në 12-mujore dhe ato afatmesme, 1 deri 3-vjeçare. Për kreditë me afat maturimi trevjeçar në lekë, u pranua të paguhet mesatarisht 16.61 për qind. Në krahasim me shkurtin, interesi u rrit me 1.661 për qind, ndërkohë që në krahasim me dhjetorin, rritja ishte 4.43 për qind.
Kreditë në euro
Kreditë në euro kanë pësuar gjithashtu rritje në tregun shqiptar, pavarësisht se kostoja e euros në tregun ndërkombëtar është ulur në minimumin historik. Gjatë marsit, kredia me afat maturimi 1-3 vjet u shtrenjtua me 1.28 për qind në krahasim me shkurtin dhe 1.78 për qind në krahasim me marsin. Kredia afatgjatë në euro pati interesa pothuajse të pandryshuara. Gjatë marsit, interesi mesatar për kreditë e reja në euro varioi nga 7.07 për qind në 9.67 për qind në varësi të afatit të maturimit. Interesat e kredive në euro janë ulur në të gjitha vendet për shkak të uljes së normës bazë të interesit nga Banka Qendrore Europiane. Euribor, interesi i kredidhënies mes bankave, është ulur nga 4.7 për qind një vit më parë, në më pak se 2 për qind aktualisht. Por shqiptarët duket se nuk po përfitojnë shumë nga kjo zbutje e politikës monetare evropiane, kryesisht për shkak se bankat në Shqipëri synojnë të nxisin kredimarrjen e shtrenjtë në lekë.
Bashkë me interesat e kredive rriten dhe kërkesat për dokumentacion shtesë
Interesat e kredive në lekë dhe valutë janë rritur së bashku me kërkesat e bankave në lidhje me dokumentet që duhet të paraqesin klientët e ndryshëm (individë ose subjekte). Bankat nuk mjaftohen vetëm me disa dokumente por ato u kërkojnë klientëve, madje edhe subjekteve të biznesit, një mori letrash të cilat duhet të justifikojnë kërkesën për huamarrjen. Bashkë me interesat e kredive nga bankat e nivelit të dytë, është rritur edhe interesi i bonove të thesarit, edhe pse politika e BSH-së gjatë vitit të fundit ka synuar të ulë interesat e parasë në tregun e brendshëm. BSH-ja ka ndërhyrë disa herë në treg duke ulur normën bazë të interesit në ekonomi, por kjo masë nuk ka ndikuar fare në uljen e interesave për kredimarrësit e thjeshtë. Shumë analiza tregojnë se interesat e kredive dhe depozitave në lekë varen më së shumti nga oreksi i qeverisë për borxh të brendshëm. Kur qeveria e rrit kërkesën për bono thesari, edhe interesat e kredive e depozitave rriten. Por gjatë muajve të fundit, ndërsa interesat e bonove të thesarit janë rritur me rreth 50 pikë bazë, interesat e kredive janë rritur disa herë më shumë.
Kreditimi i biznesit, bankat ulin nivelin gjatë muajit maj
Muaji maj ka shënuar një rënie të konsiderueshme të kreditimit të bizneseve, për sa i përket financimit të këtij sektori nga ana bankave të nivelit të dytë. Në bazë të dhënave për majin, të publikuara nga Shoqata e Bankave të Shqipërisë, vihet re se gjatë vitit 2009 ka rënë në mënyrë të konsideruara kreditimi i ekonomisë për bizneset të nivele të ndryshme. Kjo rënie e kreditimit është më e dukshme për kreditë që jepen në monedhat e huaja, kryesisht në euro, por edhe në dollarë. Ndërsa kreditë e dhëna në lekë kanë njohur kryesisht një rritje modeste. Për sa i përket kredive të dhënave me afat të shkurtra për biznese të ndryshme, totali i kredive të dhëna në monedha të huaja për majin është rreth 97 milionë, kurse për kreditë e dhëna në lekë është rreth 39 milionë lekë. Kjo shifër përfaqëson një shifër më të ulët se një vit më parë, kur kreditimi i bizneseve kishte një ritëm më lartë. Kreditë e dhëna në euro për bizneset, për majin arritën deri në 80 milionë euro, duke përfaqësuar një rritje të lehtë nga fillimi i vitit, kur në janar kreditimi i bizneseve në euro ishte 45 milionë. Nga ana tjetër, nevojat e bizneseve janë gjithmonë e më të larta për të kredituar në mënyrë konstante biznesin e tyre. Përfaqësues të këtyre bizneseve tregojnë për një rimëkëmbje të pamundur në kushte gjithmonë e më të vështira kreditimi nga ana e bankave.
5 Gusht 2009