Kush na bëri të tillë?
Mendoj se kriza e shoqërisë shqiptare që po kalojmë të gjithë sot, është mbartur edhe tek skuadra jonë përfaqësuese në Pekin dhe tek sporti në përgjithësi.
Kur flas për krizë e kam fjalën pikërisht te mënyra se si kemi filluar ne si shtet dhe si komb t’i konceptojmë gjërat. Jemi bërë materialistë në kulm, çdo gjë e lidhim me paranë dhe mundësinë e fitimit të parave. Sportistët tanë atje p.sh., dukeshin krejt pa dëshirë për fitore e pa shpirt gare sepse ata mendojnë që nuk po paguhen sa duhet etj, etj. Edhe njëra nga vajzat që doli me një rezultat disi të mirë, tha që nëse nuk merr ato që do, pra trajtime dhe para shtesë, do largohet nga Shqipëria.
Unë doja të ndaja diçka me ju. Kam përshtypjen që ka edhe vende të tjera si Shqipëria, pra që janë të vogla e të varfra. Por ndryshimi ynë prej tyre është që ata nuk kanë kult matës të identitetit dhe personalitetit të tyre, vetëm paranë. Sigurisht ajo ka rëndësinë e vet të madhe, por është e rëndësishme që njeriu të ndihet jo thjesht i kamur në para, por edhe i pasur në shpirt. Konkretisht, sportistët tanë si mendojnë që lojtarët e një vendi me 2.6 milionë banorë dhe me ekonomi modeste si Xhamajka, notojnë në luks? Jo, ata paguhen normal e ndoshta më pak se disa nga sportistët tanë, por ata kanë shpirt gare, kanë dëshirë për të fituar. Janë të tillë jo se kanë xhepin plot, por sepse kanë shpirtin plot, me ndjenja, me parime, me emocione që duan t’i ndajnë me të tjerët.
Sigurisht që kjo letër për rubrikën tuaj të nderuar nuk është thjesht për sportistët. Secili prej nesh që jetojmë në Shqipëri ka të njëjtin problem. Po varfërohemi shpirtërisht përditë, në përpjekje për të qenë të gjithë të kamur. Nuk është e mundur të jenë të gjithë të kamur. Bëjmë gabim dhe dëshmohemi pa karakter, kur në përpjekjet tona për kamje, edhe kur nuk jemi të tillë, përpiqemi të dukemi të tillë.
Problemi ynë është që nuk pranojmë dot që jemi të varfër. Të varfër jemi, miq. Shumica e shqiptarëve janë vërtet të varfër. Por kjo nuk na bën domosdoshmërish njerëz më të këqij apo më të mirë. Ka edhe popuj të tjerë të varfër, madje më të varfër se ne, por janë më dinjitozë, e për rrjedhim edhe më të lumtur. Lumturia është e rëndësishme, jo kamja. Kamja është mjeti, lumturia është qëllimi. Mos të rendim pas mjeteve dhe të harrojmë qëllimin e përdorimit të tyre, sepse do përfundojmë në një kurth me shumë brenga dhe drama.
Sigurisht që në këtë mentalitet vrastar ndaj kamjes, rolin më negativ e ka patur gjatë këtyre viteve të gjata, klasa jonë politike. Ajo që me pangopësinë e saj për pasurim të menjëhershëm, me përfaqësuesit e saj që gdhiheshin varfanjakë e ngryseshin pasanikë,dha shembullin më të keq për popullin që drejtonte. Dhanë shembullin më të keq se si ndërtohet një jetë, se si pasurohet një individ. U treguan të papjekur, të paduruar, të papërgjegjshëm. Shqiptarët e thjeshtë nuk kanë se ç’tu thonë fëmijëve të tyre, kur ata kanë parë një ish-kryeministër që ndërronte “Porshët” dhe “Benzat” luksozë bashkë me gratë, apo një vajzë kryeministri që gdhihet papritur miliardere dhe aksionere në gjysmën e pasurive kombëtare. Krijimi i këtij mentaliteti vrastar ekstramtarialist mbi mënyrën e jetesës, është krimi më i rëndë i kësaj klase dhe do na ndjekë si ndëshkim për shumë vite.