E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nëndetëset, historia që zhduket për skrap

Këshilli i Ministrave vendosi dje asgjësimin e “Tufanit” dhe të “Vetëtimës”. Ofertat për “peshkaqenët” e Pashalimanit gjatë viteve të demokracisë

Albert Gjoka

Pas 10 vjetësh, me siguri, të gjithë do ta kenë harruar se shteti shqiptar ka pasur katër nëndetëse, të cilat kanë qenë “krenaria” regjimit komunist.
Historia zë fill para 12 vjetësh kur qeveria mori vendimin për t’i asgjësuar, por hapin e parë drejt harresës e shënoi dje, kur Këshilli i Ministrave firmosi vendimin që dy prej katër “peshkaqenëve të hekurt” të bëhen skrap. Në mbledhjen e djeshme të qeverisë u vendos që nëndetëset “Tufani” dhe “Vetëtima” të dalin nga baza ushtarake e Pashalimanit dhe të nisin procedurat e asgjësimit. Masivet prej hekuri, secila 1000 tonë, prodhim rus i vitit 1955, qëndrojnë prej më shumë se njëzet vjetësh në bazë si dëshmi e gjallë dhe e “vdekur” e asaj që kaloi Shqipëria gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë. Gjatë viteve të fundit janë ngritur shumë hamendje në lidhje me fatin e këtyre mjeteve luftarake, si mbytja e tyre në Adriatik, apo shitja për muzetë jashtë vendit, apo përdorimi i tyre në funksion të turizmit në zonën përgjatë Vlorës. Thuajse para një viti në media doli informacioni se njëra prej këtyre nëndetëseve ishte mbytur. Por tashmë, dy prej tyre do të mbeten vetëm në dokumentet e Ministrisë së Mbrojtjes, apo në përrallat e komunizmit.

Vendimi

Këshilli i Ministrave vendosi dje që dy nëndetëset të shiten sipas legjislacionit në fuqi. Baza ligjore për marrjen e këtij vendimi ka qenë neni 100 i Kushtetutës dhe Vendimi Nr. 828, datë 30.12.1998 “Për shitjen e mjeteve dhe të teknikës luftarake të ushtrisë të dalë jashtë përdorimit, në formën e skrapeve”, i firmosur nga kryeministri Pandeli Majko. Që prej asaj periudhe nuk është bërë asnjë hap për shitjen apo asgjësimin e tyre. Vetëm dje qeveria lajmëroi zyrtarisht vazhdimin e procedurave të parashikuara në kuadrin ligjor. Sipas vendimit, “Nëndetësja 332 ‘Tufani’ dhe nëndetësja 334 ‘Vetëtima’ të shiten sipas legjislacionit në fuqi”. Institucioni që do të merret me zbatimin e këtij vendimi është Ministria e Mbrojtjes. Zyrtarisht nuk jepet asnjë detaj tjetër, por referuar vendimit të qeverisë socialiste të 12 viteve më parë, është parashikuar që në kontingjentin e mjeteve lundruese luftarake, të shiteshin për skrap edhe katër nëndetëset ruse. “Personat fizikë ose juridikë, vendas apo të huaj, që fitojnë ankandin, mund të tregtojnë sasinë e skrapeve të përmendur në pikën 1 të këtij vendimi, brenda vendit ose ta eksportojnë atë”, - thuhet në vendimin e qeverisë “Majko”.

Ofertat
Gjatë vitit 2007 dhe në fillimin e vitit 2008 është ngjallur shumë interesi nga të huajt për katër nëndetëset. Një kërkesë e artikuluar zyrtarisht ishte edhe ajo që erdhi nga Çekia, e cila prej disa kohësh po punon për ndërtimin e një muzeu me pajisje ushtarake të kohës së Luftës së Ftohtë. Ministrja e Mbrojtjes e Çekisë ka biseduar me homologun e saj shqiptar, ish-ministrin Fatmir Mediu për këtë çështje. Çekët janë interesuar për ta marrë njërën prej nëndetëseve dhe për ta vendosur në Muzeun e luftës në Pragë. Ata kanë planifikuar që ta çmontojnë dhe ta dërgojnë në vendin e tyre dhe më pas ta vendosin në gjendjen aktuale që është sot. Madje është parashikuar për t’u bërë edhe remonti i disa prej pjesëve të saj. Ajo do të vendoset në njërin nga muzetë e luftës dhe do të jetë e hapur për vizitorët e shumtë që janë kureshtarë për periudhën e Luftës së Ftohtë. Deri tani nuk ka asnjë detaj që flet për plotësimin e kërkesës që ka bërë Praga zyrtare për autoritetet shqiptare të Ministrisë së Mbrojtjes.

Historia
Katër nëndetëset që ndodhen në bazën e Pashalimanit janë prodhim rus i vitit 1955. Për herë të parë ato janë vënë në punë në vitin 1956 dhe ishin pjesë e ndihmave që Bashkimi Sovjetik dha për regjimin e Enver Hoxhës. Për kohën ato ishin ndër mjetet lundruese më moderne. Prania e tyre në brigjet shqiptare ka shkaktuar jo pak herë frikë te fqinjët përtej detit dhe aleatët perëndimorë. Në vitin 1960, në kohën kur u prishën marrëdhëniet mes Bashkimit Sovjetik dhe Shqipërisë, katër mjetet lundruese mbetën në vendin tonë edhe për shkak të refuzimit të Enver Hoxhës për t’i dorëzuar. Që sot e tutje, këto mjete luftarake do të mbeten vetëm në filma. Historia e tyre është e ekranizuar në filmin “Ballë për ballë”, ku tregohet historia e konfliktit me rusët dhe kalimi në pronësinë e shtetit komunist të nëndetëses 105 dhe tre të tjerave.

Box 1
Misionet e nëndetëseve ruse në Ushtrinë shqiptare

Këto nëndetëse kanë qenë pjesë e disa operacioneve lundrim-zbulimi në Adriatik, Jon, Egje, Tirren e Mesdhe, si zbulim në bazën ushtarako-detare të Tarantos, bazën ushtarako-detare franceze të Tulonit, perlustrimin e Gjirit të Bengazit përballë bazës ushtarake detare sovjeto-libiane të Marsel El Brega, mbajtjen nën vëzhgim të dy fregatave ruse të klasit “Koni”, të stacionuara në Portin egjiptian të Damietës etj. Një ndër misionet më të bujshme ka qenë ai i mbikëqyrjes dhe shoqërimit të destrojerëve amerikanë me kapacitet antinëndetëse, në përbërje të Flotës së Gjashtë në Kanalin e Sicilisë, travers ishullit të Pantelerisë. Ndërsa njëri prej misioneve, ndoshta më i rëndësishmi, ai i kalimit nën kryqëzorin raketahedhës ku ndodhej Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, gjeneralit Duajt Ajzenhauer, është një nga misteret e historisë që nuk është zbardhur ende deri më tani.

Box 2
Kureshtia, baza të hapet për turistët e huaj

Kureshtia që nga ngjallur baza e Pashalimanit te turistët e huaj, e ndërtuar rreth 55 vjet më parë nga rusët, ka nxitur drejtuesit e Parkut Arkeologjik të Orikumit që të kërkojnë hapjen e kësaj zone ushtarake. I ndodhur brenda parkut, vendi ku janë të ankoruara nëndetëset ushtarake, ka pasur një numër vizitorësh vendas dhe të huaj gjithnjë e në rritje. Me mijëra turistë të huaj nuk janë lejuar prej disa vitesh që të hyjnë brenda në bazën e Pashalimanit, gjë që i ka detyruar drejtuesit e Parkut Arkeologjik të Orikumit që t’i drejtohen zyrtarisht Ministrisë së Mbrojtjes për ta hapur zonën për turistët.
Burimet zyrtare pohuan se vetëm gjatë vitit 2007 ka pasur më shumë se 800 të huaj që kanë kërkuar që shohin reliktet e gjalla të Luftës së Ftohtë. Shifrat janë rritur disa herë më shumë gjatë vitit 2008 dhe vitin e kaluar. Parku i Orikumit dhe porti i jahteve të Orikumit janë shumë afër bazës së Pashalimanit. Një gjë e tillë është bërë shkas që të huajt të kërkojnë për të parë edhe nëndetëset që ndodhen në atë zonë. Mbase përdorimi i këtyre mjeteve dhe bazës ushtarake në funksion të turizmit do të ishte shumë fitimprurëse nëse qeveria shqiptare do ta kishte studiuar mundësinë dhe do të kishte investuar për këtë qëllim. Shqipëria, ndër vendet më të militarizuara dhe më të fortifikuara në të gjithë Lindjen komuniste, ende edhe sot nuk ka një muze të kohës së Luftës së Ftohtë.

Box 3
Frika e shkrirjes, mbytet njëra nga nëndetëset

Më 15 prill 2008, njëra prej katër nëndetëseve në bazën e Pashalimanit është zhdukur përkohësisht nga moli ku ishte e ankoruar. Ngjarja ka ndodhur ndërsa efektivët ushtarakë ishin në festë për 96-vjetorin e Ditës së Kapitanerisë Shqiptare. Bëhet fjalë për nëndetësen diesel të klasit “613 Whiskey”, prodhim i vitit 1955, me gjatësi rreth 75 metra dhe peshë rreth 1000 tonë. Mjeti lundrues ka qenë për vite të tëra flamurtar i flotiljes së vogël, trashëgim nga epoka e miqësisë shqiptaro-sovjetike. Në atë kohë, burimet zyrtare të Ministrisë së Mbrojtjes deklaruan se nëndetësja është mbytur nga vetë ushtarakët, me urdhër të gjeneral-brigade Maksim Malaj, shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë. Sipas informacioneve nga burime ushtarake, arsyeja e mbytjes ishte frika se mjeti lundrues mund të shitej për skrap.

VENDIM Nr. 828, datë 30.12.1998

1. Ministria e Mbrojtjes autorizohet, që brenda vitit 1999, të organizojë shitjen nëpërmjet ankandit të 15 000 tonë skrapeve që ka në administrim, nga nxjerrja jashtë përdorimit të anijeve dhe mjeteve lundruese të Forcave të Mbrojtjes Detare, sipas listës që i bashkëngjitet këtij vendimi.

2. Personat fizikë ose juridikë, vendas apo të huaj, që fitojnë ankandin, mund të tregtojnë sasinë e skrapeve të përmendur në pikën 1 të këtij vendimi, brenda vendit ose ta eksportojnë atë.

3. Të ardhurat që përfitohen nga shitja e skrapeve të administrohen nga Ministria e Mbrojtjes, në përputhje me Vendimin e Këshillit të Ministrave Nr. 424, datë 9.7.1998 “Për krijimin dhe administrimin e të ardhurave që krijojnë institucionet buxhetore”.

4. Ngarkohen Ministria e Mbrojtjes dhe Ministria e Financave për zbatimin e këtij vendimi.

4 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›