Pagesa e paaftësisë ; Ndryshimet miratohen në muajin mars
Rreth 120 mijë dosje të personave me aftësi të kufizuara në të gjithë vendin do të verifikohen nëse është përfituar në mënyrë të rregullt marrja e KEMP-it nga sigurimet shoqërore.
Zv.ministrja e Punës, Marjeta Zaçe, tha se “të dhënat e kontrollit të inspektorëve të punës në qarqe do t’i lejojnë Ministrisë së Punës të vendosë për secilin person me aftësi të kufizuara pagesë financiare të ndryshme në bazë të shkallës së paaftësisë”.
Ministria e Punës do të rishikojë pagesat sociale dhe do të rivlerësojë të gjithë dokumentacionin e kategorisë së personave me aftësi të kufizuara. Zaçe tha se “është në përfundim projektligji për statusin e personave me aftësi të kufizuara, në rishikim është edhe ligji i shërbimeve sociale”.
Hartimi i draftit ligjor që do të përfshijë trajtimin e kategorive të personave me aftësi të kufizuara do të përfundojë brenda muajit mars dhe një muaj më vonë do të kalojë për miratim në qeveri.
Rreth 105 mijë persona, si të verbër, para dhe tetraplegjikë, persona me diagnoza dhe dëmtime të ndryshme, invalidë punë etj. mbështeten nga programi i pagesave në cash.
Vetëm gjatë vitit të kaluar 57 mijë persona me aftësi të kufizuara mendore e fizike, 14 mijë të verbër, 3 mijë persona para-tetraplegjikë, duke përfshirë dhe kujdestaret, përfituan një rritje pagese prej 10%, ndërsa 3.000 para-tetraplegjikë përfituan 33% më shumë për paketën higjieno-sanitare.
Sipas Ministrisë së Punës, pagesa për paaftësi të invalidëve të punës u indeksua me 10%, ndërsa invalidët e punës që vuajnë nga sëmundjet profesionale dhe të aksidentuar në punë, të grupit të parë, përfitojnë një shtese prej 35%.
Fondi për pagesën e aftësisë së kufizuar dhe invalidët e punës arriti në 9.2 miliardë lekë.
MASH
Rreth 7 mijë kompjutera dhe printera të tjerë në shkolla
Pas përfundimit të shpërndarjes së 2 mijë laptopëve e videoprojektorëve në të gjitha shkollat e arsimit parauniversitar të vendit, pritet që javën e ardhshme të instalohen edhe 7 mijë kompjutera e printera të tjerë.
“Shpërndarja e këtyre pajisjeve në çdo shkollë të vendit do të plotësojë objektivin e përfshirjes së arsimit parauniversitar në epokën e ‘e-school’, shkollat elektronike pa dalluar zonat urbane dhe rurale”, - tha zëdhënësja e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës, Ermelinda Muho, sipas të cilës, shumë shpejt instalimi i internetit do të përshkojë 2 mijë shkollat në rang vendi. MASH-i është në përfundimin e kontratës për instalimin e internetit në të gjitha shkollat, në fshat e në qytet, duke i kthyer laboratorët e informatikës në shërbim të nxënësve.
Dy javë më parë, rreth 2 mijë laboratorë virtualë u vendosën në shkollat e arsimit parauniversitar në bazë të një projekti me vlerë 1 milionë euro. Pajisja e shkollave të arsimit bazë dhe të mesëm me laboratorë virtualë është pjesë e objektivave kryesore të MASH-it për përmirësimin e vazhdueshëm të teknologjisë së informacionit në arsim. MASH-i synon zgjerimin e përmbajtjes multimediale në shkolla për të përmirësuar cilësinë e mësimdhënies. Shumë shpejt, pritet që të zgjerohet përmbajtja e programeve dixhitale me module të tjera arsimore, të shqipëruara dhe moduluara, në përputhje me kurrikulën mësimore.
Ndërkohë, Instituti i Kurrikulës dhe Standardeve ka nisur trajnimin e mësuesve për përdorimin e laboratorëve virtualë dhe deri sot janë trajnuar mbi 700 mësues në Tiranë dhe rrethe të tjera.
Shqipëri-Gjermani
Bashkëpunim në fushën e shëndetësisë
“Shqipëria dhe Gjermania pritet të nisin bashkëpunimin në fushën e shërbimit dhe menaxhimit spitalor”, - bëri të ditur zyra e shtypit pranë Ministrisë së Shëndetësisë. Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, ka nisur dje një vizitë zyrtare dyditore në Berlin (Gjermani), për të marrë pjesë në seancën plenare për shëndetësinë.
Gjatë qëndrimit në Berlin, ministrja Godo ka pasur një takim të veçantë me zv.ministren gjermane të Shëndetësisë, Ula Shmid. "Gjatë takimit është diskutuar mbi bashkëpunimin dypalësh në fushën e shërbimit dhe menaxhimit spitalor", - thanë burimet nga Ministria e Shëndetësisë.
Ministrja e Shëndetësisë, Godo, ka zhvilluar takime dhe me parlamentarë gjermanë.
MASH: Subvencionimi u është dhënë prindërve
Subvencioni i teksteve shkollore sot është në duart e mbi 90% të prindërve, madje në rrethet Gjirokastër, Shkodër, Skrapar, Mat, Peqin, Lushnjë, Mallakstër, Përmet, Kolonjë, Has, Mirditë, Malësi e Madhe, Devoll, Pogradec, Tropojë, Kukës, Elbasan, janë shpërndarë 100% e fondeve, deklaroi të enjten Ministria e Arsimit dhe Shkencës. Duke reaguar ndaj deklaratës së sotme të Partisë Socialiste, sipas të cilës, shteti nuk ka rimbursuar ende tekste shkollore, Ministria e Arsimit sqaronte opinionin publik se “fondi për subvencionim është sot dy herë më i madh se ai i vitit 2005" dhe se "gjatë qeverisjeve socialiste ky fond, nëpërmjet tregut të zi, përfundonte në xhepat e zyrtarëve dhe jo të qytetarëve”. MASH siguronte se, përmes reformës së Altertekstit po shkëputen përfundimisht fijet korruptive që mbanin peng ngritjen e teksteve shkollore në nivelin e standardeve komunitare evropiane. “Alterteksti do të vijojë edhe këtë vit me sukses, duke zgjeruar fushë veprimin e tij”, bënte të ditur MASH.