Projekti që fut Shqipërinë në hartën e gazit
Kryeministri Berisha priti dje Bordin Drejtues të projektit të gazsjellësit Trans-Adriatik (TAP), të përbërë nga drejtori i projektit, Robert Klein dhe përfaqësues të kompanisë finlandeze, “StatoilHydro Jan Mikal Heiberg” dhe “Irene Rummelhoff” dhe asaj zvicerane “EGL Markus Brokhof” dhe “Hans Schulz”. Përfaqësuesit e kompanisë “StatoilHydro” u shprehën se iu shtuan këtij projekti të madh një vit më parë, sepse e panë atë si një projekt ekonomik dhe të mundshëm. Shqipëria, gjithashtu me performancën e saj ekonomike, u bë një arsye tjetër serioze që e nxiti këtë kompani t’i bashkohej këtij projekti. Kryeministri Berisha tha se ky projekt e fut Shqipërinë në hartën e gazit dhe është projekti i dytë pas atij italian të kompanisë “Falcone”. Kryeministri falënderoi Bordin Drejtues të këtij projekti madhor për besimin që kanë tek vendi i tij për ndërmarrjen e kësaj iniciative të madhe dhe i garantoi mbështetjen e mëtejshme të tij dhe të qeverisë. Projekte të tilla, - u shpreh Kryeministri, - janë me rëndësi të madhe strategjike, politike dhe ekonomike. Kompania zvicerane EGL dhe ajo finlandeze “StatoilHydro” janë kompani të rëndësishme në fushën e gazit dhe të naftës. “StatoilHydro” është ndër më të mëdhatë në botë në këtë fushë dhe operon në linja gazi dhe nafte në mbarë botën dhe së fundi, ka përzgjedhur edhe rajonin tonë, ku një vend kryesor ka Shqipëria, për të shtrirë aktivitetin e tyre.