Gjykata e Apelit, urdhërohet analizë me dyer të mbyllura
Në një kohë kur trumbetohet me të madhe transparenca në gjyqësor, analiza vjetore e Gjykatës së Apelit u urdhërua të zhvillohet me dyer të mbyllura, pa praninë e medias, madje duke përjashtuar në këtë analizë edhe praninë e kancelares së gjykatës. Interesimit të mediave të pranishme në gjykatë para fillimit të takimit për të marrë pjesë në analizën e gjykatës më të madhe të Apelit në vend, kryetari i kësaj gjykate, Metush Saraçi, ka urdhëruar sekretaren për të mos lejuar asnjë gazetar për t’u futur në sallën ku do zhvillohej analiza. Ky reagim ka ardhur, pasi deklaroi se gazetarët do merrnin pjesë në analizë, pavarësisht justifikimeve se në këtë sallë nuk kishte karrige të mjaftueshme edhe për ta. Edhe pas kontaktit me kancelaren e gjykatës, gazetarët nuk u lejuan të jenë pjesëmarrës në analizë, ndërkohë që e përjashtuar nga kjo analizë ka qenë edhe vetë kancelarja, madje duke mos iu dhënë mundësia as të komunikojë me kryetarin që drejtonte “mbledhjen”. Analiza është zhvilluar në prani të nënkryetarit të KLD-së, Kreshnik Spahiu dhe pjesëmarrës në të kanë qenë vetëm gjyqtarët e kësaj gjykate dhe kryetari Saraçi, duke marrë në një farë mënyrë formën e një mbledhjeje të zakonshme. Përmes kontakteve telefonike, para dhe gjatë analizës, gazetarët e pranishëm i kanë kërkuar edhe z. Spahiu të mundësojë praninë e tyre në analizë, por nuk ka pasur asnjë reagim edhe prej tij, ndonëse herë pas here ka deklaruar se është për transparencë në gjyqësor. Madje, gjatë analizës së vitit të kaluar, e cila u zhvillua në hotel “Tirana Internacional”, nënkryetari i KLD-së i ka tërhequr vëmendjen kryetarit të kësaj gjykate, Saraçi, për më tepër transparencë për median, duke qenë se kjo gjykatë njihet për hermetizim ndaj publikut dhe gazetarëve. Po dje, sapo ka filluar orari zyrtar i punës, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë ka zhvilluar analizën e saj vjetore, ku të pranishëm kanë qenë gjyqtarët e seksioneve civile, penale dhe administrative e tregtare. Analiza si çdo vit është zhvilluar me dyer të hapura, ndërkohë që ra në sy mungesa e përfaqësuesve të Prokurorisë dhe policisë, për të cilët gjyqtarët kanë adresuar një sërë akuzash. Sipas gjyqtarit të seksionit civil, Gerd Hoxha, kolegët e tij dhe vetë ai kanë nevojë për kushte për zhvillimin e gjyqeve dhe për më tepër siguri në gjykata. Madje, sipas tij, kjo gjykatë ka nevojë për shtesë në organikë, sepse është gjykata më e madhe në vend dhe duhet të ketë më tepër gjyqtarë. Më tej, fjalën e ka marrë gjyqtarja Shefkije Demiraj, e cila deklaroi se në këtë analizë duhet të kishte të pranishëm përfaqësues nga Prokuroria dhe policia, pasi shpesh kanë pasur mangësi në dosje. Sipas saj, nuk mund t’i ulen pikë në sistemin e vlerësimit për shkak të shtyrjes së gjyqeve, pasi nuk është faji i gjyqtarëve kur gjyqet shtyhen për shkak të mangësive në dosjet e sjella nga prokurorët. Gjyqtarë të tjerë që morën fjalën në analizë u shprehën se nuk ia vlen të deklarohen me ankesa të ndryshme, pasi këtë gjë e bëjnë çdo vit, por nuk ka pasur ndonjë rezultat. I fundit që ka marrë fjalën në analizë ka qenë kryetari i komanduar, Albert Meçe, i cili vlerësoi si problematikë në këtë gjykatë organikën dhe buxhetin. Sipas tij, buxheti për këtë gjykatë duhet të jetë më i madh, duke qenë se çdo vit në thesar derdhen 110 milionë lekë.