Peticioni për njohjen e Kosovës, deri dje 30.000 firma vetëm në Tiranë
Një numër i paparashikuar firmash janë mbledhur për njohjen e Pavarësisë së Kosovës nga vendet e Organizatës së Konferencës Islamike. Kryetari i grupit nismëtar të kësaj lëvizjeje bëri dje të ditur për “standard” se deri dy ditë më parë vetëm në Tiranë janë mbledhur më shumë se 30 mijë firma dhe se në të gjithë vendin numri ka kaluar pritshmërinë e grupit nismëtar. Ilir Hoxholli bëri të ditur se ditën e diel do të përfundojë mbledhja e firmave, të cilat më pasi do t’iu dorëzohen vendeve të Organizatës së Konferencës Islamike dhe vetë OKI-së. Sipas tij, deri tani kanë nënshkruar qytetarë pa dallim bindjesh politike a fetare në një masë të paparashikuar.
Firmat
Edhe pse ka për të vazhduar edhe për disa ditë mbledhja e firmave për thirrjen që po i drejtohet OKI-së për njohjen e Kosovës, qytetarët shqiptarë i janë përgjigjur në masë thirrjes së grupit nismëtar. Ndërkohë, që në rrethe nuk janë mbledhur ende formularët, që do të përcaktojnë edhe numrin e saktë të nënshkruesve. “Kemi shpërndarë me mijëra formularë në rrethe dhe të shtunën do t'i mbledhim prandaj dhe është e vështirë të japim një shifër të saktë”, – bëri të ditur z. Ilir Hoxholli, një prej nismëtarëve të kësaj lëvizjeje. Sipas tij, shifra e arritur deri në këto çaste, që do të rritet shumë herë më tej ditët në vijim është mbledhur, edhe pse kushtet nuk kanë qenë në favor të nënshkrimit të peticionit. “Koha me vranësira dhe shira në Tiranë dhe nëpër rrethe nuk na lejuar të dalim çdo ditë”, – bën të ditur z. Hoxholli. Ndërkohë ai saktëson se brenda pak ditësh do të përfundojë i gjithë procesi.
Organizatorët e kësaj lëvizjeje bëjnë të ditur se e gjithë mbledhja e firmave do të mbyllet me një konferencë për shtyp. ku do të deklarohet numri i saktë i nënshkruesve. Ndërkohë, pas kësaj, janë planifikuar një sërë aktivitetesh në lidhje me njëvjetorin e Pavarësisë së Kosovës dhe përpjekjet për shtimin e vendeve që e kanë njohur atë, si pjesë e “Javës për Kosovën”.
Përfundimi i mbledhjes së firmave përkon edhe me vizitën e ministrit të Jashtëm, z. Lulzim Basha në Arabinë Saudite, ku mori mbështetje për çështjen e Kosovës, si një ndër elementet e shumta të lobingut që është bërë për njohjen e pavarësisë së vendit më të ri në Ballkan nga vendet e OKI-së në tërësi dhe vendet arabe në veçanti.
Peticioni
Peticioni është iniciuar nga një grup besimtarësh myslimanë, por vetë rezultatet e tij janë mbifetare. Në qytetin e Fierit mësohet se ka firmosur edhe prifti ortodoks i qytetit, duke e kthyer këtë lëvizje në një çështje mbarëshqiptare. “Ky peticion ka nisur të bëhet publik në disa media në vendet arabe, që në momentin e inicimit. Mjaft studentë shqiptarë kanë nisur të publikojnë lajmin në vendet ku jetojnë. Ndërkaq, pas firmosjes ne mendojmë t’ua nisim ambasadave të vendeve arabe në Tiranë, si dhe OKI-it, si ombrellë e këtyre vendeve”, – bëri të ditur z. Hoxholli, duke u shprehur optimist në reagimin që do të ketë nga vendet e Organizatës së Konferencës Islamike mbi kërkesën e mijëra qytetarëve shqiptarë që përfaqësohen me anë të peticionit.