E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: “Debat me Sali Berishën, vetëm pasi të hapen kutitë”



Partia Socialiste vë kusht kryesor hapjen e kutive për të pranuar kërkesën për debat të kryeministrit Sali Berisha. Kërkesës së kryeministrit Berisha për debat të deklaruar dy ditë më parë gjatë forumit mbi ndikimin e krizës ekonomike në media, kreu i PS-së, Edi Rama, dje i është përgjigjur pozitivisht, por vetëm pasi të hapen kutitë.
“Sfidat kanë radhë. Zoti Berisha është sfiduar prej 10 muajsh që të hapë kutitë që mban mbyllur. Sapo të hapë kutitë, unë do të pranoj të debatoj me të ku të dojë dhe kur të dojë. Sepse vetëm hapja e kutive e çliron gjykimin e popullit me votë, ndërsa kur populli nuk është i lirë të gjykojë përmes votës, s'ka debat, por ka përballje mes tij dhe pushtetit të grabitur”, - deklaroi Rama. Kryeministri Berisha, gjatë forumit mbi ndikimin e krizës ekonomike në media, e ka ftuar kreun e socialistëve që të përballet me të në një debat televiziv për çdo çështje. “Dy fjalë dua t’i them zotit Rama: ‘Nuk ka gjë më të trishtuar, - thotë Dante Aligeri, - se të kujtosh kohërat e bukura në hidhërim’. Por, për ne politikanët nuk ka gjë më të trishtuar që të lexojmë raportet e vartësve tanë. Sepse ti lexove një raport të Ditmir Bushatit, sepse ai në atë raport atakon kryetarin e tij Edi Rama për lejet e ndërtimit. Por këto çështje nuk duhet të jenë probleme të forumeve të tilla”, - tha Berisha, duke shtuar: “Unë jam i gatshëm të përballem me ty në çdo debat televiziv, për çdo çështje që të intereson. Respekti im për opozitën është i palëkundur. Por ne duhet të ruhemi edhe nga bashkëpunëtorët që i shkelin rregullat”.
Deklarata
Kreu i socialistëve është ndalur edhe në atë që ai e quan barriera financiare ndaj kërkimit të së drejtës. Sipas tij, qeveria ka katërfishuar tarifat e depozitimit të një padie për qytetarët. “Pasi e kanë gjunjëzuar shtetin e së drejtës, ata që e qeverisin këtë vend me vendim gjykate, jo me votat e popullit, e kanë bërë refren që për çdo problem që njerëzit kanë me keqqeverisjen t'u thonë ikni në gjykatë”, - tha Rama. Ai bëri të ditur se tarifat e reja të miratuara së fundi për shërbimet gjyqësore, të prokurorisë e të noterisë, sigurisht e të gjykatës, në disa raste janë 4-fishuar, ku depozitimi i një padie në gjykatë shkon tani 120 000 lekë. “Që do të thotë, se një pensionist, i cili e ka pensionin në nivelin e taksës së padisë, duhet të rrijë një muaj pa ngrënë e pa marrë asnjë ilaç për të hapur një gjyq për një të drejtë të mohuar”, - tha kreu i PS-së, duke shtuar: “Qoftë në frymën e Kushtetutës, qoftë në atë të Konventës mbi të Drejtat dhe Liritë e Njeriut apo dhe konventave të tjera ndërkombëtare, tendencat janë që të eliminohen barrierat financiare që pengojnë kërkimin e të drejtës së qytetarëve në organet e Drejtësisë. Ndërsa në Shqipërinë e marrë peng nga një pushtet i grabitur, po hapen kudo hendeqe mes qytetarit dhe demokracisë, drejtësisë e mirëqenies së tij ekonomike”.
Protesta
Duke numëruar shumë anomali të qeverisjes aktuale, Rama ka apeluar që të gjithë qytetarët t’i bashkohen protestës së 30 prillit, për demokraci, për drejtësi dhe për mirëqenie, për të hapur kutitë e zgjedhjeve të grabitura, e për të ndalur rrënimin ekonomik. Argumenti i protestës së madhe nuk do të fokusohet vetëm te hapja e kutive, por edhe te kriza ekonomike, rritja e çmimeve dhe e energjisë. Protestuesit e opozitës do ta gdhijnë në sheshin kryesor të Tiranës gjatë natës së 30 prillit, për të mos i lejuar mbështetësit e maxhorancës që të zhvillojnë mitingun e tyre të paralajmëruar në pjesët më të rëndësishme të bulevardit. Në protestë do të ketë pjesëmarrës nga e gjithë Shqipëria, të cilët do të vijnë nga rrethet e tjera me autobusë dhe automjete të ndryshme. Zonat e rretheve të ndryshme do të jenë të ndara, ku çdo drejtues do të përgjigjet për organizimin e qarkut të vet. Zhvillimi i mitingut do të bëhet sipas një organizimi të paracaktuar ku në ballë të formacionit do të jenë drejtuesit e lartë, ndërsa në rreshtat e dytë e të tretë do të qëndrojnë deputetët dhe veteranët. Mësohet se gjatë kësaj proteste 24-orëshe, të pranishmit do të mbajnë në duar vezë dhe domate, por nuk dihet nëse do t’i përdorin për të goditur institucionet. Gjithashtu, në mijëra tullumbacet që do të mbajnë në duar, do të jenë shkruar slogane të PS-së, si “Berisha ik!”, “Hapni kutitë!”, “Dua të shoh votën time”, si edhe me slogane për krizën ekonomike apo rritjen e çmimit të energjisë. Mësohet se protesta e opozitës është mbështetur financiarisht nga biznesmenë, të cilët kanë dalë vullnetarë.

Elbasan, Rama: “Më 30 prill do të fitojmë betejën për të vërtetën”

Në protestën e radhës, kësaj here në qarkun e Elbasanit, kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, apeloi se duhet të shkojmë të gjithë në bulevardin e Tiranës më 30 prill, për të treguar më me forcë se asnjëherë tjetër se jemi të gatshëm që të vazhdojmë të luftojmë si qytetarë një betejë, të cilën do ta fitojmë, sepse me ne është e vërteta. Në këtë protestë Rama shoqërohej dhe nga aleatët e djathtë, si Preç Zogaj dhe Spartak Ngjela, të cilët gjithashtu u kanë bërë thirrje banorëve që më 30 prill të mblidhen në bulevard për të protestuar kundër qeverisë së kutive të mbyllura. Kryetari socialist shoqërohej edhe nga deputetët e PS-së së qarkut Elbasan. “Përpara katër muajsh ne ishim këtu, në këtë shesh, dhe sot, pas katër muajsh, ne rikthehemi këtu, ndërkohë që në këto katër muaj mbi 80 mijë njerëz kanë humbur vendet e tyre të punës. Sali Berisha premtoi se do të hapte 160 mijë vende pune dhe pasi grabiti votat po mbyll përditë rrugë shprese dhe mundësi për të jetuar duke bërë që të humbasin çdo ditë qindra vende pune dhe vetëm në tre muajt e fundit kanë humbur 71 mijë vende pune. Ndërsa nga 28 qershori e deri sot kanë humbur më shumë se 100 mijë vende pune dhe kjo sepse pushteti i sotëm nuk buron nga vota e popullit, por nga mekanizmi i korrupsionit që e pengoi popullin të çojë në qeveri ata që zgjodhi më 28 qershor”, - u shpreh Rama, duke iu drejtuar qytetarëve të Elbasanit.
Më tej Rama u ndal në kutitë e 28 qershorit, për të cilat tha se ato janë shprehja e votës së popullit. “Ato nuk janë një pronë për të cilën dy palë bëjnë një sherr. Ato nuk janë thjesht disa mijëra kuti që kanë brenda disa qindra, mijëra e më shumë se 1 milion e gjysmë fletë votimi. Ato kuti janë e vetmja mundësi që populli ka në demokraci për të thënë fjalën e vet dhe janë e vetmja arsye që një qeveri në demokraci e dëgjon popullin e vet. Në vendet ku ne duam të shkojmë, në vendet e zhvilluara, në vendet demokratike, në familjen europiane ku ne duam të integrohemi qeveria është çdo ditë e vëmendshme për popullin e saj, sepse varet prej tij”, - theksoi kryesocialisti.

Protestë në Përrenjas, ish-minatorët me pankarta “Berisha largohu!”

Partia Socialiste, në vijim të organizimit të protestave, në qytetin e Përrenjasit ka zhvilluar një protestë, ku merrnin pjesë qindra ish-minatorë, të papunë, pensionistë, të rinj dhe të reja, si dhe përfaqësues të pushtetit vendor të bashkive Përrenjas dhe Librazhd. Deputeti i Partisë Socialiste për Librazhdin, Taulant Balla, në fjalën e tij akuzoi kryeministrin Sali Berisha se ai po i varfëron çdo ditë shqiptarët përmes faturave të dritave, rritjes marramendëse të çmimeve të ushqimeve dhe shërbimeve bazë. “Edhe shtatë ditë na ndajnë nga 30 prilli, dita e fillimit të çlirimit të zgjidhjeve për shqiptarët. Prandaj ju bëj thirrje të gjithëve të marshojmë së bashku drejt Tiranës më 30 prill”, - u shpreh Balla. Në këtë protestë merrte pjesë edhe kryetari i Sindikatës së Minatorëve, Fiqiri Xibri.

26 Prill 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›