Pagesat për orët e natës, shteti në borxh me gardianët
TIRANE - Shteti borxh te policët e burgjeve. Bëhet fjalë për pagesat suplementare që ata duhet të përfitonin gjatë vitit 2009, për vështirësitë e shërbimeve të kryera natën. Kështu, policët e burgjeve pohuan dje se shteti u detyrohet rreth 1000 efektivëve të burgjeve shuma nga 4 deri në 6 mijë lekë të reja në muaj për periudhën shkurt – dhjetor 2009, të cilat nuk janë paguar ende. Vetë policët pohojnë se gjatë gjithë vitit të kaluar u është komunikuar se këto para do i merrnin njëherësh në fund të vitit, por që nuk ua dhanë, ndërsa që nga një janari i këtij viti janë paguar rregullisht. Burime nga policia e burgjeve sqarojnë se pagimi i orëve të natës për policët e burgjeve është sanksionuar në ligj në shkurt të vitit të kaluar, por që nuk ishte përfshirë në buxhetin e pagave të burgjeve, i cili ishte miratuar në dhjetor 2008. Tashmë e vetmja zgjidhje për këta policë është kompensimi i pagesave të tyre në ushqime, sipas normave ushqimore, të përcaktuara më parë për ta. Por ndryshe nga këta rreth 70% e stafit policor të burgjeve, ose rreth 2700 efektivë, kanë arritur t’i marrin këto para pjesë-pjesë gjatë vitit të kaluar duke u likuiduar totalisht. Në lidhje me pagesat e kryera në rregull gjatë 2010-ës, shpjegohet se në buxhetin e këtij viti janë parashikuar edhe pagesat suplementare të policëve të burgjeve, për vështirësitë e punës gjatë turnit të natës. Kurse një pjesë e burgjeve që i kanë kryer gjatë 2009-ës këto pagesa, mësohet se kanë konsumuar para nga fondet rezervë. Ndërkohë një tjetër problem shqetësues për policët e burgjeve ka dalë tashmë pagesa e katër ditëve në muaj, të cilat ata kryejnë shërbime suplementare. Sipas Kodit të Punës policët e burgjeve duhet të punojnë 22 ditë në muaj, por që në fakt punojnë 26, duke bërë vetëm një ditë pushim në javë. Puna e katër ditëve në mjaft raste nuk u është paguar efektivëve të burgjeve, pasi autoritetet policore të tyre nuk kanë pranuar të firmosin borderotë katër ditët më tepër që ua ndalon Kodi i Punës. fa.ma.