Shfrytëzojnë prostitutë gjimnazisten, 4 në pranga
TIRANE - Katër persona u arrestuan dje nga sektori i Antitrafikëve, gjatë operacionit të koduar “Mysafiri”, për gjetjen e një vajze të zhdukur prej 3 muajsh. Të arrestuarit akuzohen se tre muaj më parë kanë rrëmbyer një 17-vjeçare, me të cilën kanë abuzuar seksualisht e më pas e kanë shfrytëzuar për prostitucion. Të arrestuarit janë Gentian Prenga, 27 vjeç, Artur Përndokaj, 44 vjeç, Albert Stafa 27 vjeç dhe Fjordi Avdiu, 24 vjeç. Tre muaj hetime intensive, bazuar edhe në procedimin penal nr.1117 të këtij viti nga Prokuroria e Tiranës, solli arrestimin e tyre për 3 akuza mjaft të rënda. Burime nga policia thanë se të arrestuarit akuzohen për “trafikim femrash”, “heqje të paligjshme të lirisë” dhe për njërin prej tyre, Fjordi Avdiu, është ngritur edhe akuza e “mbajtjes së lokaleve për prostitucion”, duke qenë pronar i një prej hoteleve që shfrytëzohej nga 3 të tjerët. Të njëjtat burime thanë se të arrestuarit tre muaj më parë kanë marrë me forcë një 17-vjeçare në fshatin Bërxullë të Tiranës. Pasi e kanë përdhunuar ata e kanë dërguar vajzën në një hotel në autostradën Tiranë-Durrës, ku e kanë detyruar të ushtrojë prostitucion jashtë dëshirës së saj, duke i çuar vetë klientët në ambientet e hotelit ku ndodhej ajo. Në momentin e arrestimin vajza është gjetur duke ushtruar prostitucion në ambientet e hotel “Vito”, në pronësi të të arrestuarit Fjordi Avdiu, i cili ndodhet në autostradën Tiranë-Durrës. e.d