Pahor nis bisedimet me Serbinë për Konferencën e Ballkanit
Kryeministri slloven Borut Pahor bëri të ditur se ka nisur një të dërguar në Zagreb dhe Beograd me qëllim të zgjidhjes së kontestit rreth pjesëmarrjes së Kosovës në konferencën për Ballkanin Perëndimor. Konferenca, e cila është planifikuar më 20 mars në Slloveni, është në pikëpyetje sepse Serbia kundërshton që Kosova të përfaqësohet si shtet i pavarur. Pahor ka thënë se në radhë të parë për shkak të këtij kontesti është e pamundur të thuhet se konferenca nuk do të mbahet fare, duke shtuar se nëse edhe mbahet, nuk mund të thuhet se do të jetë e suksesshme. Serbia i ka thënë Sllovenisë më herët sa nuk do të marrë pjesë në këtë konferencë nëse Kosova atje nuk përfaqësohet në pajtim me rezolutën 1244 të KB, që do të thotë si Kosovo-UNMIK. Por edhe autoritetet e Prishtinës insistojnë që Kosova në këtë konferencë të trajtohet vetëm si shtet i pavarur.
SHBA
Obama i premton Papandreut mbështetje
Kryeministri grek Jorgos Papandreu ka marrë mbështetjen e presidentit të SHBA-ve Barak Obama për tejkalimin e krizës financiare që ka përfshirë gjithë Greqinë. “Si në kohë të këqija ashtu edhe në kohë të mira, për Greqinë dhe grekët, SHBA-të do të jenë një mik dhe partner”, deklaroi shefi i Shtëpisë së Bardhë. Nga ana tjetër, Papandreu theksoi se ka marrë një premtim nga Obama, i cili i tha se kjo çështje do hyjë në axhendën e tij.
“Shtetet e Bashkuara do të kontribuojnë shumë në këtë drejtim”, shtoi Papandreu, duke nënvizuar se nuk u kërkoi asnjë ndihmë ekonomike konkrete SHBA-ve.
Indonezi
Policia vret një terrorist në Azi
Terroristi 39-vjeçar Dulmatin, Alias Umar Patek është vrarë nga forcat e njësisë anti-terror të Indonezisë, duke deklaruar më pas se ai ishte figurë udhëheqëse në organizatën terroriste “Xhemaah Islamijah” dhe aktivizues i njërës nga bombat në sulmet e kryera në Bali në vitin 2002. Në këtë tragjedi gjetën vdekjen mbi 200 vetë, në mesin e tyre gati 100 turistë australianë. Kryeministri i Australisë, Kevin Rud, i përgëzoi autoritetet indoneziane për suksesin e treguar në luftë kundër terrorizmit dhe e konsideroi vrasjen e terroristit si një sukses të forcave të armatosura.
Afganistan
Ahmadinexhad deklaron: “Amerika nuk mund të sjellë paqe”
Në një vizitë në Kabul që përkoi për disa orë me vizitën e Sekretarit amerikan të Mbrojtjes Robert Gejts, presidenti iranian Mahmud Ahmadinexhad përsëriti thirrjen që trupat amerikane të tërhiqen nga Afganistani, duke thënë se prania e tyre nuk do të sillte paqe. Ahmadinexhad u takua me presidentin Hamid Karzai dhe kritikoi ashpër misionin e Shteteve të Bashkuara për të stabilizuar këtë vend. Disa ditë më parë Gejts e akuzoi Iranin se po luante lojë dyfishe në Afganistan, nga njëra anë duke deklaruar mbështetjen për qeverinë e Kabulit dhe nga ana tjetër duke minuar përpjekjet amerikane për të përmirësuar qeverinë.
11 Mars 2010