E Diel, 1 Nëntor 2026

Arsimi profesional, gati drafti ri, ndryshimet që do të pësojë ligji



Jonida Tashi

Drafti i ri ligjor për ndryshime në ligjin e Arsimit Profesional tashmë është gati dhe pritet të bëhet vetëm miratimi i këtij dokumenti në Parlament. Lajmi bëhet i ditur nga burime zyrtare të Ministrisë së Arsimit, të cilat sqarojnë se është përgatitur drafti i ligjit të ri “Për Arsimin Profesional” dhe dërgimi i tij në Parlament, për miratim së shpejti, do të hapë rrugën për një sërë ndryshimesh të rëndësishme, për ta çuar këtë sektor më afër kërkesave të tregut dhe nevojave të shoqërisë. Në këtë kontekst, është përgatitur dhe drafti i ndryshimeve në përbërjen dhe funksionimin e Këshillit Kombëtar të Arsimit Profesional, duke i dhënë një rol më të madh partnerëve socialë në propozimin e politikave zhvillimore të tij. Ndërkohë, kjo Ministri ka përgatitur dhe projektligjin e ndryshimeve në përbërjen dhe funksionimin e Këshillit Kombëtar të Arsimit Profesional, duke i dhënë një rol më të madh partnerëve socialë. Këshilli Kombëtar i Arsimit dhe Formimit Profesional është një organ kolegjial pranë ministrit të Arsimit dhe Shkencës dhe ministrit të Punës dhe Çështjeve Sociale. Ai i sugjeron Këshillit të Ministrave, politika për zhvillimin e sistemit të arsimit dhe formimit profesional.
Ndryshimet
Ministria e Arsimit ka paraqitur disa ndryshime në ligjin e Arsimit Profesional, të cilat më shumti kanë të bëjnë me
nxitjen e vetëpunësimit të të rinjve që përfundojnë shkollat profesionale ose kurset e formimit profesional. Po ashtu, në listën e ndryshimeve janë përfshirë edhe disa mekanizma që do të mundësojnë rritjen e fleksibilitetit në këndvështrimin financiar të autonomisë së shkollave profesionale dhe qendrave të formimit profesional. Sipas deklaratës së bërë para pak ditësh nga vetë kreu i Arsimit, Myqerem Tafaj, ligji i ri do të ketë ndryshime që synojnë të rrisin rolin e Këshillit Kombëtar të Arsimit Profesional, të rregullojnë raportet mes Këshillit dhe Agjencisë së Formimit Profesional si dhe të rregullojnë edhe raportet e marrëdhëniet me partnerët socialë, dhe me pushtetin vendor. Të gjitha këto nevoja për ndryshimin e arsimit profesional kanë bërë që Ministria e Arsimit të marrë përsipër hartimin e një ligjit të ri, për të krijuar një bazë të re të financimit dhe formimit profesional, objektivi i të cilit është që sektori privat dhe partnerët privat duhet të kenë akses të plotë në vendimmarrje dhe implementim.
Punësimi
Pas miratimit të ndryshimeve të propozuara nga Ministria e Arsimit për arsimin profesional, reforma në këtë sektor do të përfshijë edhe shkollat profesionale. Këto të fundit, sipas ministrit të Arsimit, duhen konceptuar në radhë të parë si qendra shumëfunksionale që ofrojnë disa profile studimesh me kohëzgjatje dhe kualifikime të shumëllojshme jo vetëm për të rinjtë, por edhe për të rriturit që kanë nevojë të rishkollohen për t’u ripozicionuar në tregun e punës. Vetëm disa ditë më parë Parlamenti ka miratuar dhe ligjin “Për Kornizën Shqiptare të Kualifikimeve”. Ky ligj krijon bazën institucionale të kualifikimeve me tetë nivele, që integron dhe krijon koherencë jo vetëm midis niveleve, por edhe midis kualifikimeve të përgjithshme, kualifikimeve profesionale dhe formimit profesional. “Korniza Shqiptare e Kualifikimeve është në një linjë me Kornizën Europiane të Kualifikimeve, dhe nëpërmjet mekanizmit të akumulimit dhe transferimit të krediteve, krijon shanse për njohjen e certifikatave shqiptare edhe në kontekstin europian e më gjerë. Kjo do të ketë një impakt të dukshëm edhe në rritjen e mobilitetit të kualifikimeve dhe sidomos të punësimeve brenda dhe jashtë vendit.

Viti akademik 2010-2011
Sllovakia ofron një bursë për studime universitare

Sllovakia ofron një bursë për studime universitare pranë universiteteve të saj publike, për vitin akademik 2010-2011, në degët: Pedagogji, Kujdestari dhe Shkenca pedagogjike, Shkenca sociale dhe të sjelljes, Ekonomi, Shkenca ekologjike dhe mjedisore, Bujqësi, Menaxhim pyjesh, Menaxhim i ujit dhe Shkenca shëndetësore jo-mjekësore. Kandidatët e interesuar për këtë bursë studimi duhet të paraqesin pranë Sektorit të Marrëdhënieve me Jashtë në Ministrinë e Arsimit dokumentet e mëposhtme: kërkesën për studime, ku të specifikohen tri degë, në të cilat aplikanti dëshiron të studiojë; Dëftesën e shkollës së mesme, ose vërtetimin e notave të tre viteve të para dhe të semestrit të parë të vitit të katërt të shkollës së mesme. Këto dokumente duhet të jenë të firmosura nga Drejtoria Arsimore e Qarkut, ose nga Zyra Arsimore e rrethit përkatës; formularin e aplikimit, i cili ndodhet në adresën e poshtëshënuar të Ministrisë së Arsimit të Sllovakisë; certifikata për pjesëmarrje në olimpiada ose konkurse të ndryshme të organizuara në nivel lokal ose kombëtar; raportin mjekësor për aftësi studimi; fotokopjen e kartës së identitetit ose certifikatën e lindjes; 4 fotografi me përmasa 4 cm x 6cm. Afati i fundit për dorëzimin e dokumentacionit në MASH është data 23 mars 2010.

11 Mars 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›