Avokati kërkon përjashtimin e trupit gjykues
Gjykata e Krimeve të Rënda refuzoi dje kërkesën e Aldo Bares për të përfituar gjykim të shkurtuar. Kryesuesja e kolegjit penal, gjyqtarja Fatmira Hajdari, shpjegoi se i pandehuri nuk mund të përfitonte nga kjo klauzolë për shkak se do të ishte e vështirë të provoheshin më pas akuzat ndaj tij. Ndërkaq, i menjëhershëm ka qenë reagimi i avokatit të Bares, Vladimir Meçe. Ky i fundit deklaroi në sallën e gjyqit se kolegji penal ka paragjykuar këtë dosje dhe për këtë ai do të kërkonte përjashtimin e këtij trupi gjykues. Gjyqtarja Hajdari i sugjeroi avokatit që një kërkesë të tillë duhet ta bënte në sekretarinë e Gjykatës për Krimet e Rënda. Avokati i ka siguruar se do ta bëjë kërkesën zyrtare. Për procedurë, kjo kërkesë do të shqyrtohet nga kryetari i kësaj gjykate, Dritan Hallunaj. Gjatë seancës së kaluar, avokati Meçe i kërkoi trupit gjykues që të lehtësonte pozicionin e klientit të tij duke pranuar kërkesën e tij për gjykim të shkurtuar. Me këtë kërkesë, Aldo Bare nuk pranonte fajësinë për akuzat që rëndojnë mbi të, por pranonte aktet e prokurorisë në gjendjen që janë. Nëse kërkesa e tij do të pranohej, atëherë Bare do të përfitonte njëlloj si miku i tij Enver Dondollaku, gjykim të shkurtuar dhe maksimumi si masë e dënimit për të do të ishte 25 vite burg. I menjëhershëm ka qenë reagimi i prokurorit të çështjes, duke i kujtuar kolegjit penal se i pandehuri kishte disa seanca që këmbëngulte mbi pavlefshmërinë e akteve. Sipas tij, pikërisht për këtë arsye është e pakuptimtë kjo kërkesë nga ana e tij në këtë moment gjyqësor. Kreu i bandës së Lushnjës akuzohet për krijimin e organizatës kriminale, për më tepër se 20 vrasje, për rrëmbim personi, shkatërrim prone, dhunim varresh, kryerje veprash penale në bashkëpunim nga organizata kriminale. Aldo Bare akuzohet gjithashtu për drejtimin e njërit prej rrjeteve më të fuqishme të trafikut ndërkombëtar të drogës në drejtim të Europës Perëndimore, për të cilat bashkëpunohet me partnerët tanë perëndimorë.
11 Mars 2010