Kosovë, FSK-ja dhe KFOR-i rifillojnë bashkëpunimin ushtarak
Blerina Olldashi
KFOR-i dhe FSK-ja në Kosovë do të rifillojnë bashkëpunimin mes tyre, pas pezullimit disa ditor. Pas bisedimeve nga të dyja palët është mundur të arrihet një marrëveshje, sipas së cilës FSK-ja do të vazhdojë të përdorë armët e demilitarizuara, me pajtimin e KFOR-it, megjithatë Forca e Sigurisë së Kosovës nuk do të ketë rol mbrojtës apo ushtarak, meqë kjo detyrë është e ndërmarrë nga KFOR-i. Presidenti Fatmir Sejdiu bashkë me kryeministrin Hashim Thaçi, zhvilluan dje një takim të përbashkët me komandantin e KFOR-it, gjeneralin Markus Bentler. Pas një bisede, siç thuhet në një komunikatë të Presidencës, ata ranë dakord për vazhdimin e bashkëpunimit midis KFOR-it dhe FSK-së. Ndërkaq, në një komunikatë të lëshuar nga KFOR-i thuhet se presidenti dhe kryeministri kanë punuar me komandantin e KFOR-it që ta zgjidhin në mënyrë të kënaqshme këtë çështje. KFOR-i, siç thuhet në komunikatë, ka tërhequr masën e pezullimit të mbështetjes për Forcën e Sigurisë së Kosovës, e cila ishte ndërmarrë më 5 mars pas pjesëmarrjes së kësaj të fundit me armë në një ceremoni me rastin e një përvjetori të UÇK-së. Në komunikatë thuhet se kjo ka rezultuar në një marrëveshje të re e cila përcakton mënyrën e përdorimit të njësisë ceremoniale të Forcës së Sigurisë së Kosovës që mund të vazhdojë t’i përdorë armët e demilitarizuara, me pajtimin e komandantit të KFOR-it dhe rikonfirmon se Forca e Sigurisë së Kosovës nuk do të ketë rol mbrojtës apo ushtarak, meqë kjo detyrë i përket KFOR-it. Pas kësaj marrëveshjeje, KFOR-i ka konfirmuar se do ta pezullojë masën e mëparshme dhe do të vazhdojë rolin e tij trajnues dhe monitorues. Nga ky takim Zyra e presidentit të Kosovës ka lëshuar një komunikatë, ku ndër të tjera thuhet se, “institucionet e Republikës së Kosovës theksojnë nevojën e bashkërendimit me KFOR-in, në rastet e paraqitjes publike të Gardës Ceremoniale. “Institucionet e Republikës së Kosovës mirëpresin mbështetjen e KFOR-it për FSK-në ndërsa ato ruajnë dhe aplikojnë parimet e respektit të ndërsjelltë, bashkëpunimit të afërt dhe transparencës së plotë. Ne jemi të bindur se zotimet e lartpërmendura janë një bazë e qëndrueshme për KFOR-in për të vazhduar bashkëpunimin dhe përkrahjen e tij për FSK-në”, përfundon komunikata. Disa ditë më parë, Bentler ngriu raportet me FSK-në, për shkak se Garda e armatosur e FSK-së mori pjesë në manifestimin Epopeja e UÇK-së. Sipas KFOR-it, kjo nuk ka përkuar me statusin jo ushtarak të FSK-së. Nga ana tjetër, qeveria e Kosovës ngulmonte se veprimi i FSK-së ishte i rregullt, pasi asnjëherë nuk ka ekzistuar një marrëveshje që pengonte FSK-në të paraqitej e armatosur në një ceremoni.
Banka Botërore i jep Kosovës 20 milionë dollarë për projekte
Qeveria e Kosovës dhe Banka Botërore nënshkruan dje dy marrëveshje në vlerë prej 20 milionë dollarësh. Njëri është projekt i Bankës Botërore, në vlerë prej 12.3 milionë dollarësh, ka të bëjë me regjistrimin e pasurive të patundshme dhe kadastrën në Kosovë, ndërkaq, projekti tjetër në vlerë prej 8 milionë dollarësh ka të bëjë me modernizimin e sektorit publik në Kosovë.
Në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës marrëveshjet i ka nënshkruar ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala dhe në emër të Bankës Botërore, Ranjit Nayak. Kryeministri Hashim Thaçi i vlerësoi shumë të rëndësishme këto projekte. Ai tha se, implementimi i tyre do te ndikojë drejtpërdrejt ne ngritjen e mëtutjeshme të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe të shërbimeve që ato ofrojnë. Kjo është kredia e parë e Bankës Botërore për Kosovën, që nga anëtarësimi i vendit në këtë institucion të rëndësishëm financiar ndërkombëtar në qershor të vitit të kaluar.
11 Mars 2010