Studimet në Itali, procedurat për paraqitjen e kërkesës së regjistrimit paraprak
Jonida Tashi
Pas pajisjes certifikatën e njohjes së gjuhës italiane “Celi 3”, çdo i ri shqiptar, i interesuar për të vijuar studimet e larta në Itali, duhet të bëjë kërkesën për regjistrim paraprak në universitetet italiane. Ky proces do të kryhet brenda muajit maj, sipas rregullave të vendosura nga Ambasada Italiane. Kjo e fundit ka përcaktuar se kanë të drejtë të paraqesin kërkesë për pararegjistrim në universitetet italiane, të gjithë maturantët shqiptarë që plotësojnë kushtet e nevojshme për regjistrim. Më pastaj, kërkesat do të merren në shqyrtim nga universitetet italiane të cilat do të vendosin për pranimin, në varësi të vendeve që kanë në dispozicion për studentët e huaj.
Kushtet
Sipas rregullave të vendosura nga Ambasada Italiane, kushti kryesor për t’u regjistruar në universitet në Itali është njohja shumë e mirë e gjuhës italiane, e vërtetueshme nëpërmjet kryerjes së provimit “Celi 3”. Aktualisht, pas mbarimit të testimit me gojë të zotërimit të gjuhës italiane, që përkon me ditën e sotme, Instituti Italian i Kulturës do të nisë procesin e vlerësimit të provimeve me shkrim, duke marrë parasysh edhe nivelin e kandidatëve gjatë provës orale. Mbi bazën e dy provimeve të mësipërme do të nxirret edhe vlerësimi përfundimtar për secilin prej kandidatëve që u janë nënshtruar atyre. Sipas rezultateve të arritura, do të përcaktohet se cili prej 1194 pjesëmarrësve në provimin e marsit do të pajiset me certifikatën “Celi 3”, që hap rrugën për të ndjekur shkollën e lartë në Itali. Deri tani, Instituti Italian i Kulturës ka publikuar rezultatet e provimit të nëntorit 2009 për njohjen e gjuhës italiane, për të cilët janë duke u përgatitur certifikatat “Celi 3”.
Kërkesa
Për të dorëzuar kërkesën për regjistrim paraprak në universitetet italiane, çdo maturant shqiptar duhet të paraqitet personalisht pranë Ambasadës Italiane, i pajisur me pasaportë, sipas afateve që do të caktojë Ambasada. Ndërkaq, për paraqitjen e kërkesës për regjistrim paraprak, kandidati duhet t’i paraqesë Ambasadës dokumentet e mëposhtme: kërkesën e regjistrimit, të plotësuar në të gjitha zërat, si dhe dy kopje të saj, pasi të jetë plotësuar. Në këtë pikë, maturantët duhet të tregohen tepër të kujdesshëm rreth faktit se në kërkesë duhet të shënohet në mënyrë të qartë vetëm një degë universitare. Sipas rregullave të vendosura nga Ambasada Italiane, dega e studimeve e përzgjedhur nuk mund të ndryshohet më. Për të përzgjedhur degën këshillohet që të rinjtë të konsultojnë listën në adresën e internetit: http://www.studiare-in-italia.it/studentistranieri/; formulari i autentikimit të fotografisë, i plotësuar me të dhënat anagrafike, si dhe dy kopje të tij, pasi të jetë plotësuar; fotokopje të formularit A1, të regjistrimit në dy provimet me zgjedhje në Shqipëri. Për kandidatët që e kanë marrë Dëftesën e Pjekurisë duhet detyrimisht të paraqesin vërtetimin e provimeve me zgjedhje (Matura Shtetërore); titulli përfundimtar i shkollës së mesme në origjinal (Dëftesë Pjekurie). Kandidatët, të cilët, e kanë humbur Dëftesën origjinale, mund të paraqesin një vërtetim zëvendësues, që të përmbajë notat e të gjitha viteve të shkollës së mesme (vërtetim). Maturantët e regjistruar në vitin e fundit, dhe që do ta marrin Dëftesën e Pjekurisë në verën e këtij viti, duhet të paraqesin një certifikatë (vërtetim notash), që tregon frekuentimin dhe notat e dy viteve të para si dhe të semestrit të parë të vitit të tretë, me detyrimin për ta dorëzuar Dëftesën e Pjekurisë në origjinal pranë Ambasadës, sapo ta marrin atë së bashku me Certifikatën e Maturës Shtetërore.
Dokumentet për paraqitjen e kërkesës për regjistrim paraprak
Për paraqitjen e kërkesës për regjistrim paraprak studenti duhet t’i paraqesë Ambasadës Italiane në Tiranë dokumentet e poshtë shënuara:
1. Kërkesën e regjistrimit, bashkëngjitur, të plotësuar në të gjithë zërat, si dhe dy kopje të saj, pasi të jetë plotësuar. Në kërkesë duhet të shënohet në mënyrë të qartë vetëm një degë universitare. Dega e studimeve e përzgjedhur nuk mund të ndryshohet më. Për të përzgjedhur degën, këshillohet të konsultoni listën në adresën e internetit:
http://www.studiare-in-italia.it/studentistranieri/.
2. Formulari i autentikimit të fotografisë, i plotësuar me të dhënat anagrafike, sipas modelit bashkëngjitur, si dhe dy kopje të tij, pasi të jetë plotësuar.
3. Fotokopje të formularit A1 të regjistrimit në dy provimet me zgjedhje. Ata që e kanë marrë Dëftesën e Pjekurisë, duhet detyrimisht të paraqesin vërtetimin e provimeve me zgjedhje (Matura Shtetërore).
4. Titulli përfundimtar i shkollës së mesme në origjinal.
Maturantët, të cilët, e kanë humbur Dëftesën origjinale, mund të paraqesin një vërtetim zëvendësues, që të përmbajë notat e të gjitha viteve. Studentët e regjistruar në vitin e fundit, dhe që do të marrin Dëftesën e Pjekurisë në verën e verës 2010, duhet të paraqesin një certifikatë (vërtetim notash), që tregon frekuentimin dhe notat e dy viteve të para si dhe të simestrit të parë të vitit të tretë, me detyrimin për të dorëzuar Dëftesën e Pjekurisë në origjinal pranë Ambasadës, sapo ta marrin atë së bashku me Certifikatën e Maturës Shtetërore.
5. Origjinali si dhe dy fotokopje të plota të titullit të studimit dhe të përkthimit përkatës, të të gjitha faqeve, përfshirë ato ku janë vendosur vulat e Drejtorisë Arsimore, të Ministrisë së Arsimit dhe të Ministrisë së Jashtme.
Titujt e studimit duhet detyrimisht: të jenë të përkthyera në italisht, të vërtetuara nga noteri dhe të legalizuara pranë Ministrisë së Punëve të Jashtme shqiptare; firma e drejtorit të shkollës, që i ka lëshuar, duhet të vërtetohet nga drejtori arsimor i rrethit përkatës, dhe firma e këtij të fundit, duhet të vërtetohet nga funksionari i Ministrisë së Arsimit. Ky vërtetim duhet të përkthehet në italisht dhe të legalizohet nga Ministria e Jashtme shqiptare.
6. Fotokopje e dy faqeve të para të pasaportës.
7. Dy fotografi me ngjyra, format pasaporte.
8. Fotokopje e certifikatës së njohjes së gjuhës italiane “Celi 3” e mbrojtur në momentin e regjistrimit paraprak dhe e lëshuar nga istitucionet e autorizuara nga Ministria e Arsimit Italiane, dhe që mund t’i gjeni duke konsultuar faqen e kësaj Ministrie në internet, në adresën: www-miur.it, në zërin “Università”.
Dorëzimi i dokumenteve
Dokumentet duhet të futen në zarf, mbi të cilin duhet të shkruhet qartë:
Emri dhe mbiemri i studentit
Universiteti, fakulteti, dega e studimit
Numri i telefonit (celular, telefon shtëpie, apo edhe e-mail-i nëse keni)
Mesatarja e notave (vetëm për studentët që e kanë marrë Dëftesën e Pjekurisë)
11 Mars 2010