E Diel, 1 Nëntor 2026

Eshtrat e gjetura në "Jasen", dyshime për viktima shqiptare

Ministria e Brendshme e Maqedonisë, pritet të japë hollësi mbi identitetin e eshtrave të gjetura në ish-bazën ushtarake sekrete "Jasen" në periferi të Shkupit. Dy muaj më parë në dy shpella të kësaj zone në një thellësi prej 30 metrash janë gjetur eshtrat e tre trupave. Analizat e para të mjekësisë ligjore kanë bërë të ditur se vdekja e tyre ka ardhur si pasojë e dhunës. Ekipet e ekspertizës thonë se viktiamt mund të kenë vdekur që para 19 vitesh. Misteri rreth kësaj baze top sekret që shfrytëzohej nga ish-armata Jugosllave, pritet të nxjerrë në pah edhe sekrete dhe krime të tjera që dyshohet se janë kryer aty, ndërsa viktimat e para mund të rezultojnë të jenë shqiptarë. Kështu ekipet e ekspertizës po punojnë për të përfunduar detajet e kësaj ngjarjeje të ndodhur vite më parë. Veprimtarë të lëvizjes shqiptare të NDSH-së, dyshimet për një punëtor të zhdukur të OHIS, zhdukja e pilotit shqiptar Sinan Vitia, por edhe të zhdukurit shqiptar nga konflikti i vitit 2001, mund të jenë eleminuar pikërisht në bazën ushtarake sekrete "Jasen" në afërsi të Shkupit. Kjo bazë ushtarake deri para pavarësimit të Maqedonisë ka qenë e mbikqyrur drejtpërdrejt nga gjenerali serb Milutin Kukanjac, i cili ka ndërruar jetë në vitin 2002. Para tij, këtë detyrë e kryente edhe i akuzuari serb për krime lufte, gjenerali Ratko Mlladiç.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›