Pajtim Bello: ‘Si e merrnim plotfuqinë kur negocionim marrëveshje
TIRANE- Ish-zv/ministri i Ekonomisë dhe Energjetikës, Pajtim Bello ka kryesuar disa herë grupet negociatore të palës shqiptare që kanë nënshkruar marrëveshje dypalëshe me shtete të huaja. Në një intervistë të dhënë dje për “Gazeta Shqiptare”, ai sqaron procedurat ligjore që janë ndjekur nga këto grupe negociatore, që sikundër sqaron, në çdo rast janë pajisur me plotfuqi nga Kryetari i Këshillit të Ministrave, kur si subjekt i marrëveshjeve ka qenë qeveria dhe nga Presidenti i Republikës, kur si subjekt i marrëveshjeve ka qenë shteti shqiptar. “Nuk na ka shkuar asnjëherë ndërmend se mund të mos merrej plotfuqia, si kur marrëveshjet janë kërkuar nga pala jonë, edhe kur janë kërkuar ato nga pala tjetër. Nëse do të vepronim ndryshe, do të tejkalonim kompetencat dhe do të shkelnim ligjin, jo vetëm nga ana formale por edhe esenciale”, - shprehet Bello. I fokusuar mandej në faktin se grupi negociator i palës shqiptare që nënshkroi marrëveshjen e përcaktimit të kufirit detar me Greqinë nuk është pajisur me plotfuqi nga Presidenti i Republikës, ai thekson se “përderisa marrëveshja në fjalë lidhet midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë, është e qartë se asnjë lloj procedure nuk duhej kryer pa siguruar plotfuqinë që në nisje. Këtu kemi të bëjmë me mosrespektim të funksioneve kushtetuese të institucionit të Presidentit, pra është shkelur vetë Kushtetuta”. Për pasojë, Bello shprehet i bindur në një vendim të drejtë të Gjykatës Kushtetuese. “Askush dhe asnjë institucion i Shqipërisë nuk ka përse të kompleksohet nga fakti që marrëveshja është futur në Kuvend për t’u miratuar dhe pas firmosjes nga ish-ministri i Jashtëm mund të kemi pasoja në marrëdhëniet me Greqinë. Greqia, si vend anëtar i Bashkimit Europian, nuk do të gjykojë për keq pse ne kërkojmë të repektojmë ligjet dhe Kushtetutën e vendit tonë, kështu që në marrëdhëniet midis dy vendeve nuk do të ndodhë asgjë për keq”, - përfundon ai.Z.Bello, gjatë periudhës që ju keni qenë zv/ministër i Ekonomisë dhe Energjetikës, do të keni nënshkruar në emër të shtetit shqiptar apo të qeverisë, marrëveshje dypalëshe me shtete dhe qeveri të tjera.. A keni marrë apo jo plotfuqi për të përfaqësuar shtetin shqiptar dhe cili autoritet shtetëror ja u ka dhënë atë?Më ka rastisur disa herë të kryesoj Palën Shqiptare në negocimin e marrëveshjeve sidomos në emër të qeverisë. Në çdo rast, pavarësisht nivelit të përfaqësimit, është marrë plotfuqia për përfaqësimin. Nuk na ka shkuar asnjëherë ndërmend se mund të mos merrej plotfuqia, si kur marrveshjet janë kërkuar nga pala jonë edhe kur janë kërkuar ato nga pala tjetër. Nëse do të vepronim ndryshe do të tejkalonim kompetencat dhe do të shkelnim ligjin, jo vetëm nga ana formale por edhe esenciale.Cilat janë procedurat ligjore që janë ndjekur gjatë nënshkrimit të një marrëveshjeje dypalëshe, për nënshkrimin e së cilës ju keni hedhur edhe firmën tuaj?Ligji nr.8171, datë 09/07/1998 “Për lidhjen e traktateve dhe marrëveshjeve ndërkombëtare” është i qartë dhe i mirësistemuar nga këndvështrimi i procedurave që duhen ndjekur për negocimin dhe firmosjen e këtyre lloj marrëveshjeve. është ngritur grupi i punës me urdhër të kryeministrit. është përgatitur draft-marrëveshja dhe është miratuar në parim në Këshillin e Ministrave. Më tej, drafti i është përcjellë palës tjetër, kjo në rastin kur negocimet i kemi iniciuar ne. Në rastin kur negocimet i ka iniciuar pala tjetër, ne kemi përgatitur draft-marrëveshje mbi projektin e dërguar (kundër-projekt) dhe këtë kundër-projekt e kemi miratuar në parim në Këshillin e Ministrave. Në rrugë diplomatike, përmes Ministrisë së Punëve të Jashtme (MPJ) është caktuar data dhe vendi i negocimit. Përpara se të shkohej për të negociuar, është lëshuar plotfuqia sipas rastit nga kryeministri apo Presidenti. E thashë më lart, në asnjë rast nuk kemi shmangur plotfuqinë. Por duhet të jetë e qartë se plotfuqia për të zhvilluar bisedimet nuk përjashton plotfuqinë për firmosjen përfundimtare të marrëveshjes. E gjithë kjo procedurë është zhvilluar në përputhje me përcaktimet e neneve 3,4,5,6 dhe 7 të ligjit të sipërcituar.Ju keni qenë kryetar i disa delegacioneve shtetërore të palës shqiptare. Keni pasur apo jo bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Jashtme?Bashkëpunimi me MPJ-në ka qenë i pashmangshëm, se është i përcaktuar në ligjin e sipërcituar. Roli i kësaj ministrie ka qenë parësor në ushtrimin e procedurave që në nisje dhe deri në mbyllje të procesit, pavarësisht nga ministria e linjës që mund të drejtonte grupin e punës apo delegacionin. Ky rol i MPJ-së ka pasur të bëjë me përgatitjen e draft-marrëveshjes dhe dërgimin e saj për miratim në Këshillin e Ministrave, me marrjen e plotfuqisë, me komunikimin në rrugë diplomatike me palën tjetër, me koordinimin ndërministror kur ka qenë i nevojshëm etj.Ekipi i negociatorëve i palës shqiptare që nënshkroi marrëveshjen e përcaktimit të kufirit detar me Greqinë, pohoi para Gjykatës Kushtetuese se nuk e ka marrë plotfuqinë nga Presidenti i Republikës për të negociuar me palën greke në emër të shtetit shqiptar. Argumenti i dhënë prej Drejtoreshës së çështjeve Juridike dhe të Drejtës Ndërkombëtare në Ministrinë e Punëve të Jashtme ishte se, “me Greqinë kemi marrëdhënie jashtëzakonisht të mira dhe një besim reciprok dypalësh”. A përbën ky fakt një shkelje të rëndë të ligjit dhe cilat mund të jenë pasojat e kësaj shkeljeje?E kam ndjekur me vëmendje debatin në media dhe prezantimet para Gjykatës Kushtetuese. Dua të them se për këtë rast plotfuqia duhej të lëshohej nga Presidenti i Republikës, siç përcaktohet në nenin 4, paragrafi tretë i ligjit të sipërcituar. Përderisa marrëveshja në fjalë lidhet midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Greqisë, është e qartë se asnjë lloj procedure nuk duhej kryer pa siguruar plotfuqinë që në nisje. Këtu kemi të bëjmë me mosrespektim të funksioneve kushtetuese të institucionit të Presidentit, pra është shkelur vetë Kushtetuta. Pra tagrin e Presidentit e ka marrë dikush tjetër, por se kush, ende nuk ka dalë e qartë. Plotfuqia nuk jepet vetëm pse dhe kur e kërkon pala tjetër dhe lëshimi i saj nuk varet nga niveli apo cilësia e marrëdhënieve midis shteteve që negociojnë dhe as nga besimi reciprok. Nëse do të flisnim për besim reciprok në rastin konkret kur Greqia mban “gjallë” ligjin e luftës me vendin tonë, do të thosha se besimi mbi kufijtë shtetërore, pra niveli i besimit është zero. Por, plotfuqia është detyrim ligjor dhe kjo bëhet se është plotfuqia që mund të mbrojë më mirë interesat e vendit gjatë negocimit dhe në firmosjen e marrëveshjes. Konkretisht, nëse Presidentit do t’i kërkohej plotfuqia, ai do të ishte informuar se një Grup Ndërministror do të fillonte të negocionte mbi kufirin detar me Republikën e Greqisë dhe Presidenti do të vlerësonte nëse duhej apo jo të zhvilloheshin këto negocime në këtë kohë, apo mund të negocioheshin mbasi të ishin negociuar e zgjidhur të tjera çështje të mbetura hapur midis dy shteteve. Presidenti do të informohej me përbërjen emërore dhe institucionale të grupit të punës dhe në këtë rast, përmes institucioneve që ai mbulon, do të vlerësonte edhe përshtatshmërinë e secilit anëtar të grupit që do të negocionte në emër të tij për interesat e Republikës së Shqipërisë. Por mbi të gjitha, Presidenti do të informohej se kush ishte projekti i palës sonë, mbi të cilin do të negociohej, pra Presidenti nuk mund të lëshonte një plotfuqi pa ditur cili do të ishte kufiri detar pas negocimit; pra pala jonë detyrimisht do të kishte draft marrëveshjen e miratuar nga Këshilli i Ministrave, gjë që nuk ka ndodhur në rastin konkret. Por mbi të gjitha, ministri i Jashtëm nuk duhej ta firmoste marrëveshjen pa marrë plotfuqinë e Presidentit. Kjo është një shkelje shumë e rëndë sepse Presidenti vihet përpara faktit të kryer nga qeveria, duke e zhveshur atë nga tagri kushtetues. Një ngjarje e tillë tregon se Shqipëria është konsideruar tokë e një grushti njerëzish dhe ata mund të negociojnë si, kur e me kë të duan për fatet e saj. Presidenti, para se të jepte plotfuqinë, do të kërkonte cila është harta me kufijtë përfundimtare, gjë që edhe sot e kësaj dite mungon. Pra siç e shikoni, është shkelur jo vetëm ligji i sipërcituar, por edhe Kushtetuta e Republikës, sepse Presidentit të Republikës i është marrë tagri kushtetues dhe jo vetëm njëherë. Pasojat e kësaj shkeljeje të ligjit janë të shumanshme, sepse në fund të fundit të gjithë jemi të bindur se nuk është arritur varianti më i mirë për ne, referuar ligjeve dhe praktikave ndërkombëtare, pra janë cënuar sovraniteti dhe interesat e vendit sot e mbase më shumë në të ardhmen. Mos të harrojmë se shumë shpejt mbi këtë vijë kufiri në det do të negociohen marrëveshje të tjera me karakter ekonomik e mbase edhe ushtarak dhe atëherë ne do të kuptojmë avazin e violinës së Nastradinit! Por, shkelja e ligjit dhe e Kushtetutës kanë krijuar një rast të mirë që negocimet dhe marrëveshja e firmosur nga ministri Basha të konsiderohen të pavlefshme dhe gjithçka të kthehet për t’u rinegociuar, gjë që do të rregullojë gabimet e bëra. Le të shpresojmë në një vendim të drejtë të Gjykatës Kushtetuese. Askush dhe asnjë institucion i Shqipërisë nuk ka përse të kompleksohet nga fakti që marrëveshja është futur në Kuvend për t’u miratuar dhe pas firmosjes nga ish- ministri i Jashtëm mund të kemi pasoja në marrëdhëniet me Greqinë. Greqia, si vend anëtar i Bashkimit Europian, nuk do të gjykojë për keq pse ne kërkojmë të respektojmë ligjet dhe Kushtetutën e vendit tonë, kështu që në marrëdhëniet midis dy vendeve nuk do të ndodhë asgjë për keq.(s.g/GSH/BalkanWeb)