E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sot mbërrijnë në vend vaksinat e para kundër A/H1N1

TIRANE-Vaksina ndaj virusit A/H1N1 në vendin tonë do të mbërrijë ditën e premte nga Hungaria. Janë rreth 10 mijë doza, të cilat do të shpërndahen në Tiranë, në Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza", në repartet intensive të saj, si dhe në Sanatorium. Kjo deklaratë u bë nga drejtori i Politikave në Ministrinë e Shëndetësisë, Pëllumb Pipero. "Unë besoj që vaksinat e para ndaj gripit pandemik A/H1N1 do të mbërrijnë të premten, janë 10 mijë dozat e para. Ka një plan dërgese nga kompania në të cilën janë prenotuar vaksinat në Hungari. Në javët në vijim pritet të vijnë me nga 10 mijë dozat e tjera të vaksinës, kjo edhe për shkak të kapacitetit pro-dhues të kompanisë, po ashtu dhe për mundësitë e transportit", - tha Pipero. Pavarësisht se vaksina ndaj A/H1N1 ka sjellë efekte anësore, si reaksione alergjike në shtete të ndryshme që e kanë aplikuar, Pipero thotë se këto janë efekte afatshkurta që sjellin edhe vaksinat e tjera, ndërkohë që ai tregon se për vaksinën që do të përdoret në vendin tonë nuk ka raporte nga shtetet që e kanë përdorur që ajo të ketë shkaktuar probleme. "Grupe të caktuara vaksinash në vende të ndryshme, të prodhuara nga kompani të ndryshme, kanë dhënë efekte anësore afatshkurtra të vaksinave, ndërkohë që efektet afatgjata të këtyre vaksinave ende nuk njihen. Vaksina vjen nga Hungaria, nga një firmë shumë e njohur prodhuese e vaksinave. është aplikuar jo vetëm në Hungari, por dhe në vende të tjera dhe nuk ka asnjë raport deri tani që kjo vaksinë që vjen tek ne, ka dhënë efekte anësore në vendet respektive", - ka deklaruar Pipero. Sipas përfaqësuesve të Shëndetësisë, grupet e para që do të vaksinohen janë fëmijët e moshës 1 deri në 5 vjeç, gratë shtatzëna, personeli mjekësor dhe të sëmurët kronikë. Pipero ka këmbëngulur që personat të mos ndihen të riskuar nga vaksina, pasi kjo është e vetmja mënyrë që ata mund t'i bëjnë ballë virusit të gripit të derrit.Aktualisht numri i viktimave të shkaktuara nga gripi i derrit ka shkuar në pesë në vendin tonë. Ndërkohë që 12 persona janë shtruar në spitalin Infektiv dhe shtatë në Sanatorium, nga këta, tre persona ndodhen në gjendje të rëndë shëndetësore. Ndërsa numri i personave të konfirmuar me virusin A/H1N1 është 334, ku mosha mesatare e rasteve të prekura është 23 vjeç. Sipas ISHP-së, deri më sot janë marrë 2.357 mostra të grupmoshave 15-24 vjeç.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›