Pukë, borxhet "paralizojnë" Bashkinë
PUKE -Borxhet në të cilat është zhytur Bashkia e Pukës, kanë sjell paralizimin e plotë të financave në këtë institucion. Zyra e Përmbarimit, në bazë të vendimeve të dhëna nga Gjykata e Shkallës së Parë e rrethit, ka dërguar në Zyrën e Thesarit urdhër-bllokimin e të gjithë veprimtarisë financiare të Bashkisë së Pukës. Kjo për faktin se Bashkia e qytetit verior rezulton të jetë humbëse e disa proceseve gjyqësore me disa kompani dhe subjekte private, të cilave u detyrohet një shumë të majme parash. Sipas bashkiakëve, situata është mjaft e nderë. "Paralizimi i financave ka kosto të lartë. Në një kohë kur nuk mund të kryesh asnjë veprim financiar (përveç dhënies së rrogave të punonjësve), rrezikohet të paralizohen edhe një sërë shërbimesh, siç janë: ngrohja e shkollave që funksionon me kaldaja, pastrimi i qytetit dhe likuidimi i subjekteve, për të cilat ishte parashikuar që të likuidoheshin në këtë fundvit. Urdhër-bllokimin e financave nga Zyra e Përmbarimit e pranon edhe kryetari i Bashkisë së Pukës, Rustem Strugaj. Kryebashkiaku ka bërë me dije për "Gazeta Shqiptare" se që prej disa muajsh ka paralajmëruar zyrtarisht krijimin e një situate të tillë. "Jemi përballë një situate që nuk dihet se si do të vijojë", - ka thënë numri një i Bashkisë së Pukës. Borxhet që janë thelluar gjatë gjithë vitit, kanë arritur në 12 milionë lekë. Mësohet se Bashkia e Pukës e ka të pamundur shlyerjen e një borxhi të tillë nëse qeveria nuk akordon një fond të veçantë. E gjitha kjo, sipas drejtuesve të Bashkisë së Pukës, ka ardhur si pasojë e fondeve të kufizuara që qeveria i akordon kësaj bashkie që prej vitit 2005. "Puka është lënë në harresë të plotë. Qeveria nuk do t'ia dijë për banorët e varfër të këtij qyteti. Që prej katër vitesh qeveria ka akorduar fonde minimale duke na ndëshkuar për faktin se përfaqësojmë të majtën", - shprehet kryebashkiaku Rustem Strugaj. Bashkia e Pukës pritet të përballet edhe me një sërë procesesh të tjera gjyqësore nga kompani dhe subjekte private, të cilave u detyrohet një shumë të madhe parash.(d.b/GSH/BalkanWeb)