GSH: Qeveria fshehu rritjen e çmimit të energjisë
TIRANE-Në datën 23 prill 2009, Kuvendi ka miratuar rritjen me 15 për qind të çmimit të energjisë elektrike duke filluar nga data 1 janar 2010. "Gazeta Shqiptare" zbulon sot në artikullin me titull “Qeveria fshehu rritjen e çmimit të energjisë” se në projektligjin e propozuar nga qeveria lidhur me shitjen e 76 për qind të aksioneve të OSSH-së për llogari të kompanisë CEZ, kanë qenë të bashkëngjitura edhe anekset e kontratës ku përcaktoheshin tarifat e reja. Referuar “Deklaratës Rregullatore”, që është siguruar nga “Gazeta Shqiptare” ndër parametrat kryesorë të përcaktuar në të është edhe shtrenjtimi i tarifave të energjisë deri në vitin 2014. Por ligjvënësve iu është fshehur ky fakt nga ekzekutivi sepse të gjitha anekset e kontratës së privatizimit të OSSH-së- të cilat janë siguruar nga GSH- kanë vajtur të bardha (bosh) në Kuvend. Parlamenti nuk është autoriteti që vendos për rritjen e çmimit të energjisë elektrike. E megjithatë ai i ka miratuar këto akte që janë kompetencë e institucioneve në varësi të tij, sikundër është në rastin konkret Enti Rregullator i Energjisë.“Legjislativi, përmes një vendimi politik të deputetëve të maxhorancës është bërë kësisoj palë me kompaninë private CEZ në rritjen e çmimit të energjisë elektrike.” shkruan sot GSH.ERE miratoi dy ditë më parë rritjen e cmimit të energjisë në masën 13%. Nëpërmjet një njoftimi për shtyp kompania CEZ e konsideron jo të drejtë vendimin e ERE-s, i cili sipas saj ka rritur më shumë çmimin për KESH dhe OST dhe më pak për OSSH. “Vendimi i ERE-s për tarifat mund të çojë OSSH-në në falimentim”- deklaron kompania CEZ. PS akuzon kryeministrin Berisha për rritjen e cmimit të energjisë dhe e cileson ate dhurate e hidhur e Berishes per festa. Ndërsa qeveria deklaron ka siguruar një fond prej 22 milionë dollarësh për të kompensuar shtresat në nevojë si pasojë e rritjes së çmimit të energjisë elektrike.(GSH/BalkanWeb)