E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pajtohen për taksat

Kosova e Shqipëria u pajtuan që të mos aplikojnë më taksë doganore. Kryeministri Sali Berisha deklaroi se që nga e mërkura duhet të eliminohen të gjitha barrierat doganore mes dy vendeve Nga Express më 23 qershor 2011 në ora 13:36

Eksportuesit kosovarë tash e tutje do t’i eksportojnë produktet në Shqipëri, pa kurrfarë takse. Kështu ka vendosur kryeministri Sali Berisha, pas një takimi që kishte me ministren e Tregtisë dhe Industrisë të Kosovës, Mimoza Kusari-Lila.

Ata ranë dakord që të eliminohen çmimet referente të aplikuara nga doganat respektove, të cilat po shkaktojnë frustrim tek eksportuesit kosovarë.

Në takim u diskutua edhe ndërtimi i rrugës 34-kilometërshe Fierzë - Koman, bashkëpunimi diplomatik, unifikimi dhe standardizimi i sistemeve të edukimit, kulturës, dhe ekonomisë.

Kusari-Lila parashtroi problemin e çmimeve referente të zbatuara nga Dogana e Republikës së Shqipërisë për prodhimet nga Kosova që eksportohen në Shqipëri. Ajo përmendi rastin e fundit të qumështit të freskët, për të cilin u përdorën çmimet referente duke dyfishuar taksën dhe në këtë mënyrë duke e bërë të pamundur plasimin e qumështit të freskët në tregun e Shqipërisë. Gjatë verës, Kosova ka mbiprodhim të qumështit të freskët gjersa në Shqipëri, për shkak të turizmit, ka kërkesë më të madhe, gjë që do të rezultonte në një tregti shumë efikase.

Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha, tha se çdo pengesë e tregtisë në mes të Kosovës dhe Shqipërisë duhet të eliminohet dhe garantoi që nga ky takim, më nuk do të aplikohen çmimet referente. Berisha përsëriti se çdo produkt që prodhohet në Kosovë dhe që ka origjinë kosovare, do të mund të hyjë në Shqipëri pa u përdorur çmimi referent dhe e njëjta do të vlejë për produktet nga Shqipëria të cilat eksportohen në Kosovë.
Këtë vendim Berisha ia komunikoi drejtpërdrejtë edhe Drejtorit të Përgjithshëm të Doganave të Shqipërisë, Flamur Gjymishka, i cili ishte prezent në takim.

Njëherit, Kryeministri Berisha shprehu gatishmërinë për bashkëpunim diplomatik duke hapur ambasada të përbashkëta në çdo shtet dhe kështu duke ndarë kostot e blerjeve dhe të stafit diplomatik, model ky i përdorur nga shumë shtete të zhvilluara perëndimore siç janë shtetet skandinave apo gjermanofolëse. Një projekt i tillë është mirëpritur nga zëvendëskryeministrja Kusari Lila e cila konfirmoi mbështetjen.

Sa i përket ndërtimit të rrugës Fierzë - Koman, Kusari-Lila ritheksoi rëndësinë e kësaj rruge që ka rol kyç për zhvillimin ekonomik dhe turistik të Kosovës Perëndimore. Berisha e rikonfirmoi përkrahjen për këtë projekt dhe tha se, studimi i fizibilitetit tashmë veç ka përfunduar, mirëpo për shkak të buxhetit të limituar, kjo rrugë nuk do të mund të ndërtohet deri në vitin 2013.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›