Insistojnë në kontratë
AKP-ja edhe më tutje nuk heq dorë nga përmbushja e zotimeve për spin-offet speciale, ende nuk janë liruar nga raportimi. Përveç monitorimit, AKP-ja është në përpjekje të vazhdueshme për të gjetur një mundësi për ndërmarrjet e privatizuara me spin-off special, për të dalë nga kriza.
Në konferencën e djeshme për media të Bordit të AKP-së, kryetari i Bordit të Drejtorëve, Dino Hasanaj ka numëruar rezultate modeste të Agjencisë së privatizimit në tremujorin e dytë të këtij viti.
Një nga problemet me të cilat AKP-ja po ballafaqohet qe një kohë të gjatë, është ai i ndërmarrjeve të privatizuara me spin-off special. Asanaj tha se Bordi është duke monitoruar në vazhdimësi spin-offet speciale në përpjekje për të gjetur një zgjidhje për spin-offet tashmë të gjobitura për mospërmbushje të zotimeve. “Bordi, së bashku me menaxhmentin e Agjencisë, po takohemi me blerësit e ndërmarrjeve shoqërore dhe po shikojmë mundësitë se a mundet dhe si mund të krijohen kushte për përmbushjen e zotimeve nga ana e blerësve dhe realizimin e kontratës së privatizimit”, tha ai.
“AKP-ja ka trashëguar nga Agjencia e mëparshme 25 ndërmarrje të privatizuara me spin-off special. I kemi liruar 13 ndërmarrje si rrjedhojë e përmbushjes së zotimeve sipas marrëveshjes”. Bordi ka vendosur po ashtu që ndërmarrja ‘Metaliku’ të përfshihet në tenderët e privatizimit, ndërsa NSH “Ereniku” të kalojë nën administrim direkt të AKP-së, me qëllimin për t’i ruajtur asetet e ndërmarrjes.
Ndërkaq sa i përket ndarjes së 20-përqindëshit, Asanaj tha se janë aprovuar 9 lista përfundimtare të punëtorëve dhe menaxhmenti autorizohet që të bëjë shpërndarjen e përkohshme të 20-përqindëshit për këto ndërmarrje.
“Gjatë tremujorit të dytë, kemi bërë hapa shumë të rëndësishëm në shpërndarjen e shumës së 20-përqindëshit për punëtorët. Kemi bërë shpërndarje të pjesshme të 20-përqindëshit për 30 NSH në shumë 5.2 milionë euro dhe kanë përfituar afër 3 mijë punëtorë. Në total, përfitimet e punëtorëve nga pjesa e 20-përqindëshit kanë arritur shumën rreth 40 milionë euro dhe u është shpërndarë 20 mijë e 200 punëtorëve përmes BSPK-së”.
Deri tani, sipas tij, janë shpallur 50 valë të privatizimit, janë privatizuar 300 Ndërmarrje Shoqërore dhe janë krijuar 657 Ndërmarrje të Reja. “Gjatë këtij tremujori, kemi mbajtur Valën 49 dhe 50 të privatizimit, ku ishin në shitje 24 ndërmarrje të reja. Kemi mbajtur shitjen e aseteve me likuidim nr. 7, për 24 asete. Për këta tenderë, pranuam rreth 190 oferta dhe çmimet më të larta kapën shumën rreth 28 milionë euro. Kemi mbajtur 7 Valë shitjeje me likuidim, ku janë shitur 183 asete të NSH-ve”, ka thënë ai.
Ndërkaq, sa i përket nënshkrimit të kontratave, Bordi i AKP-së ka përmbyllur 33 kontrata, 13 me likuidim, 20 me spin-off; “Jemi duke i finalizuar kontratat e Valës 48, 49 dhe shitjeve me likuidim nr. 6, 7. Deri më tani, kemi 607 kontrata të nënshkruar me spin-off; 170 kontrata me likuidim”.
Asanaj ka veçuar si të arritur edhe rritjen deri në tetë herë të normave të interesit për Fondin e mirëbesimit. Sipas tij, Fondet e mirëbesimit deri më tani kanë përfituar nga kamatat 5 milionë €. “Deri më tani, janë grumbulluar mbi 556 milionë €, nga privatizimi 522 milionë, nga likuidimi me shitje të aseteve 34 milionë €. Nga Fondet e mirëbesimit, për momentin në BQK kemi të deponuara 530 milionë €”.
Problem tjetër që ka shoqëruar që nga fillimi AKP-në si dhe ish AKM-në është procesi i likuidimit të ndërmarrjeve shoqërore, ku deri tani janë likuiduar vetëm dy ndërmarrje Asanaj edhe në këtë drejtim thotë se ka lëvizje pozitive, sidomos me ndryshimet që do të pësojë Ligji i privatizimit. “Bashkë me Qeverinë, Kuvendin dhe institucione të tjera jemi duke ndryshuar legjislacionin aktual dhe unifikimin e bazës ligjore dhe përshtatjen me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Ndryshime thelbësore parashihen në Ligjin e AKP-së, ndryshime që do të përshpejtojnë procesin e likuidimit. Pastaj pritet aprovimi i Ligjit për Dhomën e Veçantë dhe aprovimi i Ligjit për riorganizimin e Trepçës”.
Ai ka potencuar se Qeveria e ka miratuar pakon e re ligjore, pritet të diskutohet dhe miratohet edhe në Kuvendin e Kosovës dhe kështu të zëvendësohen Rregulloret e UNMIK-ut, të cilat kanë paraqitur dhe po paraqesin pengesa për veprimtarinë e AKP-së dhe vonesa në shpërndarjen e fondeve te kreditorët dhe pronarët e ligjshëm.